Home Aktualitet Vrasjet në fa...

Vrasjet në familje dhe ekzekutimet mafioze, Shqipëria ”në dorën” e vrasësve

22
0

Vrasjet dhe atentatet mafioze pas 25 prillit janë shtuar në përmasa të frikshme. Ekzekutimet nuk munguan nga veriu në jug, ku grupet kriminale eliminuan kundërshtarët mes tyre. Jo vetëm bandat po vrasin, por krimi në familje ka shënuar një rritje që fundi nuk i dihet. Pedagogu i çështjeve të sigurisë, Pëllumb Nako, thotë se këto ngjarje tregojnë se krimi i organizuar apo grupet kriminale shqiptare, kohët e fundit sa vijnë dhe po forcohen dhe po e shtojnë edhe më shumë hapësirën të tyre gjeografike edhe gjate vendit.

Gramoz Memaj u vra mbrëmjen e së dielës në Ksamil. Mësohet se ai ka qenë prej disa vitesh emigrant në Angli dhe ishte kthyer para dhjetë vitesh dhe jetonte me nënën, ndërsa ishte i pamartuar. Fqinjët kanë deklaruar se në momentin e ngjarjes nuk janë dëgjuar të shtëna, por vetëm ulërimat e nënës. Memaj ishte nga Tepelena dhe njihej si biznesmen në zonën e Ksamilit. Banorët e njihej si person i qetë dhe pa probleme.

Vizita nga Gjermania e Diana Vukajt në shtëpinë e vëllait të saj të vogël në Shkodër, përfundoi në mënyrë tragjike po mbrëmë, pasi u ekzekutua nga vëllai i saj, Fabian Vukaj me 4 plumba që i morën jetën menjëherë. Mësohet se viktima sot të festonte datëlindjen, që ishte dhe kjo arsyeja e ardhjes së saj nga Gjermania në Shkodër. Diana i jepte një rrogë mujore prej 300 eurosh në muaj vëllait të saj të vogël, por duket kjo nuk i mjaftonte për shkak se dhe luante bixhoz dhe kanë debatuar herë pas herë për para që e motra shpenzonte për mobilimin e një shtëpie të saj në Velipojë. Fabian Vukaj, 55-vjeç ka qenë i dënuar me 10 vite burg para 30 vitesh për tentativë vrasjeje kur ka qenë në ushtri pasi ka goditur me thikë një person.

Këto vrasje tregojnë se rendi është në kushte zero dhe pasiguria është rritur frikshëm. Ndonëse përfshirja e shqiptarëve në trafikun e drogës jashtë vendit nuk është një fenomen i padëgjuar, numri i ngjarjeve kriminale në 2021 është tepër shqetësues për autoritetet. Referuar shifrave për periudhën janar-maj të këtij viti në vend janë shënuar 24 ngjarje kriminale me 24 viktima ose 4 viktima më shumë krahasuar po me të njëjtën periudhë të 2020. Trekëndëshi i nxehtë është krijuar në trinomin Shkodër-Elbasan-Vlorë. Krimi pa frikë mund të themi se është zyrtarisht jashtë kontrollit dhe se bandat kanë marrë kontrollin e rendit dhe vrasin në mes të ditës. Të gjitha vrasjet kanë një të përbashkët, ekzekutuesit janë të mirë stërvitur dhe profesionistë.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta i konsideron tronditëse dhe këto vrasje për të tregojnë revanshin e krimit dhe paaftësinë e Policisë së Shtetit dhe të strukturave të tjera të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, për parandalimin e tyre.  ”Në këtë situatë kaq shqetësuese, që ka krijuar një pasiguri të madhe publike, i bëj thirrje Policisë së Shtetit, që në veçanti, ka për mision dhe përgjegjësi thelbësore ruajtjen e rendit dhe të sigurisë, garantimin e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së jetës dhe pronës së qytetarëve, që të shkundet nga apatia dhe të përmbushë me rigorozitet të gjitha detyrimet e saj ligjore, duke luftuar krimin në çdo qelizë të shoqërisë dhe larguar prej saj çdo nëpunës të korruptuar dhe të lidhur me “botën e errët””,–shkruante disa ditë më parë Presidenti Meta në facebook.

Sipas gazetares së kronikës Etleva Delia, disa prej këtyre krimeve janë drama sociale, që vijnë nga konfliktet brenda familjes, siç ishte rasti i Shkodrës, apo vrasja në Tiranë ku vjehrri ekzekutoi dhëndrin. Kurse gazetari Basir Çollaku thotë se policia ka fajin e vet në këto ngjarje.

“Krimi ka parakaluar dhe Covid-in me viktima, ngjarje që lidhen me problem sociale, të ekonomisë, ngjarje që degradojnë deri në krim. Ka dhe vrasje ku mungon veprimi i policisë, se policia ka një bazë të dhënash për persona me precedent, apo persona me probleme. Ka rritje të krimit, por nuk ka një rritje të ndërshkueshmërisë. Policia ka emra dhe dosje konkrete, pse nuk reagon. Akoma kemi ngelur me ato bandat që nxorri Xhafaj kur ishte ministër. Kur prishen pazaret mes bandave, policia del e thotë pasi janë vrarë njerëz, policia s’duhet t’i lërë fare të bëjnë pazaret, mos ta lënë të shkojnë deri në atë pikë. Reagimet e policisë lënë shije të keqe. Edhe në vrasjen e Klodian Rashës, lë për të dëshiruar sjellja e policisë më pas, që ngrinte alibi, e ku njoftimet binin ndesh njëri me tjetrin”, tha Çollaku për ”TCH”.

R.SH

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit