Home Aktualitet Vrau të riun ...

Vrau të riun Klodian Rasha, 13 vite burg për ish-efektivin

91
0

Prokuroria e Tiranës këtë të enjte dha pretencën për ish-efektivin e forcës RENEA, i cili vrau për vdekje të riun Klodian Rasha, më 8 dhjetor të 2020. Mësohet se Nevaldo Hajdaraj i është pranuar kërkesa për gjykim të shkurtuar, dhe përfiton kështu ulje me 1/3 e dënimit duke e çuar në 13 vjet e 4 muaj pretencën e prokurorisë. Prokurori Ardian Braho, gjatë seancës nënvizoi rrezikshmërinë e veprës penale dhe rrethanat e kryerjes së saj. Sipas prokurorit, vepra u krye nga një punonjës policie gjatë ushtrimit të detyrës së tij dhe me armën e shërbimit. “I pandehuri e ka konsumuar veprën pa motiv të qenësishëm, pa u ndjerë i rrezikuar dhe gjatë detyrës”, tha Braho.

Vendimi i Gjykatës së Tiranës pritet që të jepet më 17 qershor. Pas ngjarjes, ish-efektivi Hajdaraj pretendoi se kishte parë një armë në duart e Rashës mbrëmjen e ngjarjes. Pamjet e kamerave të sigurisë, që fiksuan gjithë ngjarjen, provuan të kundërtën. Sipas prokurorisë, ish-efektivi e kishte konstatuar që Rasha nuk kishte armë para se të hapte zjarr drejt tij. “Duke qenë se ai nuk e ndalte vrapin, unë gjatë ndjekjes vura re që ai shtetas diçka nxori nga brezi dhe po e mbante në dorë dhe duke vrapuar më lëshoi kërcënim “Mos u afro se do të qëlloj”. Ai u kthye dhe me dorën me sendin e dyshuar si armë në drejtimin tim. Në atë çast jam rrëzuar përtokë dhe ashtu i shtrirë bëra qitje në drejtim të këmbëve të këtij shtetasi duke pasur frikën se mos më qëllonte. Pastaj jam ngritur në këmbë dhe ai u tremb dhe u nis drejt një kthese dhe në errësirë, eca pak përpara dhe bëra qitjen e dytë pra ende pa u futur shtetasi në kthesë”,-ka thënë pas ngjarjes ish-efektivi, Nevaldo Hajdaraj.

Po ashtu ish-efektivi nënvizoi se kur i’u afruan Klodian Rashës së bashku me policin tjetër dëgjoi që ai rënkonte dhe se e kishte pyetur a kishte pyetur nëse kishte marrë ndonjë plumb, “por ai nuk mu përgjigj dhe kështu njoftova ambulancën”. Kjo vrasje shkaktoi trazira dhe një valë protestash të forta për ditë me rradhë, pothuajse në të gjithë vendin, por që në Tiranë ishin më të fortat.

Për këtë ngjarje Sandër Lleshaj u dorëhoq nga posti i Ministrit të Brendshëm, por largimi i Lleshajt nuk ishte e vetmja masë e qeverisë Rama ndaj vrasjes së Klodian Rashës. Me dy vendime të miratuara, më datën 11 dhjetor 2020 dhe të mbajtura të fshehta, Këshilli i Ministrave aprovoi për familjen Rasha, e më saktë kryefamiljarin Qazim Rasha, një pension mujor prej 96 mijë lekësh. Hajdaraj u akuzua për “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”, por më pas nga pamjet filmike dhe provat e administruara prokuroria e Tiranës riklasifikojë veprën dhe akuzoi efektivin për “Vrasje me dashje”.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit