Gjergj Luca nga Fieri u bën një pyetje protestuesve: “More, si ju del ju përnatë për të dalë shëtitje?”
Nga kantieri ku puna nuk ndalet as të shtunave dhe vijon deri në orët e freskut, sipërmarrësi Gjergj Luca ka zgjedhur t’u drejtohet protestuesve me një pyetje provokuese, por edhe simbolike: “More, si ju del ju përnatë për të dalë shëtitje?” Mes zhurmës së makinerive dhe ritmit të pandërprerë të punës në kompleksin “Rozafa Apollonia”, ai e krahason protestën me atë që e quan “protesta e punës”, një angazhim që, sipas tij, nuk shprehet me pankarta e thirrje, por me kantierë që ecin përpara, investime që marrin formë dhe vepra që lënë gjurmë.
E shtuna, për shumëkënd, është dita e pushimit. Por në kantierin e kompleksit “Rozafa Apollonia”, ajo është një tjetër ditë pune, ku zhurma e makinerive nuk pushon dhe betoni vazhdon të hidhet, edhe kur mbrëmja bie mbi kantier. Ritmi nuk njeh fundjavë, sepse afatet nuk presin dhe objektivat kërkojnë përkushtim.
Në pamjet e publikuara, Luca shfaqet duke drejtuar vetë një mjet pune në kantier, mes punëtorëve dhe makinerive që vijojnë aktivitetin edhe gjatë natës. Është një simbolikë që synon të përcjellë mesazhin se një sipërmarrje nuk ndërtohet nga fjalët, por nga puna, përkushtimi dhe përgjegjësia për të përmbushur afatet.
“Në këtë kantier protesta fillon në orën shtatë të mëngjesit,” shkruan ai në rrjetet sociale “por me një ndryshim, ne e vazhdojmë gjithë natën deri sa gdhihet. Nuk bëjmë xhiro duke shpallur pretendime me ulërima; ne lëmë gjurmë me protestën tonë. Ngrejmë biznese që sot na i shani, por nesër do t’i keni klientë shembullorë.”
Ky është një diskurs që e identifikon punën si formën më bindëse të përgjigjes ndaj skepticizmit dhe kritikës. Në vizionin e Lucës, rezultati konkret ka më shumë peshë se debati, ndërsa vepra synon të flasë më fort se retorika.
Luca rishfaqet sërish në Fier, në prag të përmbylljes së një tjetër etape të rëndësishme të kompleksit “Rozafa Apollonia”, një investim që synon të jetë më shumë sesa një ndërtim fizik. Projekti është konceptuar si një nyje e re e ekonomisë prodhuese shqiptare, ku bujqësia, përpunimi, logjistika, tregtia dhe shërbimet ndërthuren në një zinxhir të vetëm vlere. Ambicia nuk kufizohet te ngritja e një godine, por te krijimi i një modeli zhvillimi që gjeneron punësim, fuqizon prodhimin vendas dhe rrit konkurrueshmërinë e ekonomisë.
Në këtë kuptim, kantieri bëhet metaforë e një ideje më të madhe, se zhvillimi nuk ndërtohet vetëm me plane apo slogane, por me njerëz që punojnë, me investime që marrin formë dhe me vepra që mbeten. Çdo metër kub betoni, çdo natë pune dhe çdo afat i respektuar janë pjesë e një filozofie që e sheh punën si aktin më të fuqishëm të besimit te e ardhmja.
“Rroftë puna! Rroftë Shqipëria! Mos rrini në tallava, por punoni!”, është thirrja me të cilën Luca e mbyll mesazhin e tij, duke e kthyer punën jo vetëm në një aktivitet ekonomik, por në një deklaratë bindjeje se prosperiteti i një shoqërie ndërtohet mbi kulturën e krijimit, përgjegjësisë dhe veprimit.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

