Home KRYESORE Zbulim i madh...

Zbulim i madh historik/Teatri i lashtë i Neros zbulohet pranë Vatikanit

29
0

Arkeologët njoftuan se kanë zbuluar pranë Vatikanit teatrin e Neros. Kjo strukturë perandorake përmendet në shkrimet e lashta romake, por nuk ishte gjetur ndonjëherë. Objektet ofrojnë një pamje të rrallë të historisë, që nga Perandoria Romake dhe deri në shekullin e 15-të.

Arkeologët thanë se zbuluan Teatrin e Neros tek kopshti i një prej hoteleve luksoze të Romës, Four Seasons Hotel, vetëm pak hapa nga Vatikani.

Megjithëse përmendej në shkrimet romake, teatri perandorak nuk ishte gjetur dot. Arkeologët ishin duke gërmuar thellë nën kopshtin e Palazzo della Rovere që në vitin 2020, në kuadrin e rinovimeve të kësaj godine të rilindjes.

“Mund ta imagjinoni që gjysma e teatrit vazhdon nën rrugën prapa; duhet të ketë një diametër prej 42 metrash… Kolonat që gjenden të shtrira në tokë duhet të kenë qenë pjesë e dekorit, dhe janë me vlerë të madhe”, thotë Marzia Di Mento, kryearkeologe.

Pallati i shekullit të 15-të në rrugën Via della Conciliazione që të çon drejt Sheshit të Shën Pjetrit, është selia e një urdhëri të lashtë, pasardhës i Urdhërit të Kryqit të Shenjtë të Jeruzalemit, nga periudha e kryqëzatave.

Zyrtarët i quajnë “të jashtëzakonshme” zbulimet nga gërmimi. Ata thonë se objektet ofrojnë një pamje të rrallë të historisë, që nga Perandoria Romake dhe deri në shekullin e 15-të. Perandori Nero qeverisi Romën nga viti 54 deri në vitin 68 të erës së re.

“Gërmimet tek pallati i Kalorësve të Kryqit të Shenjtë janë në zonën e fushave të Vatikanit, që rrethonin qytetin e lashtë. Në këtë zonë gjendeshin dy rrugë shumë të rëndësishme, Via Cornelia dhe Via Trionfale, dhe mbi të gjitha këtu gjendeshin që nga periudha perandorake Kopshtet e Agripas, një nga objektet me luksoze dhe më të rëndësishme perandorake”, thotë arkeologu Alessio De Cristofaro.

Ndër gjetjet ka kupa qelqi dhe poçe balte të shekullit të 10-të, të cilat janë të pazakonta pasi nuk dihet shumë për këtë periudhë të Romës. Arkeologët thonë se në të kaluarën janë gjetur gjithsej vetëm shtatë kupa qelqi nga ajo epokë, ndërsa tek gërmimet e tanishme u gjetën edhe shtatë të tjera.

Arkeologët gjithashtu zbuluan kolona dhe murale të dekoruara me fletë të arta, që mundësuan identifikimin e objektit si Teatri i Neros, i përmendur në tekstet e Plinit, autor dhe filozof i lashtë romak.

“Burimet letrare na tregojnë se brenda premisave të Kopshteve të Agripas, perandori Kaligula ndërtoi një cirk të madh për lojëra me karroca me kuaj, dhe pas kësaj Plini tregon se këtu Nero ndërtoi një teatër ku ai vetë bënte prova përpara se të dilej tek audienca më e madhe në Teatrin e Pompeut. Këtu bëheshin shfaqjet më private, që ndiqeshin vetëm nga audienca aristokrate, nga njerëzit që ishin pranë perandorit, por edhe për disa përfaqësues të popullsisë së Romës”, thotë arkeologu De Cristofaro.

Zyrtarët thonë se objektet antike të lëvizshme do të dërgohen në muze, ndërsa rrënojat e strukturës së teatrit do të mbulohen sërish, pasi të jenë bërë të gjitha studimet e nevojshme./VOA/

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit