Home Aktualitet Zelensky në T...

Zelensky në Tiranë, deputeti ukrainas: Vizitë me shumë rëndësi për Shqipërinë, Rusia ka sytë në Ballkan

92
0

Deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko ka folur për vizitën që do të bëjë në Tiranë presidenti Zelensky. Në një intervistë për ”A2cnn”, ai thotë se Ballkani është një rajon shumë i rëndësishëm të cilin Rusia përpiqet ta destabilizojë. ”Është shumë me vend që presidenti ynë të jetë në Shqipëri. Dhe jam i sigurt se kjo vizitë do të jetë e frytshme. Dhe shpresoj që pas kësaj të ketë më shumë bashkëpunim mes vendeve tona. Gjithashtu e di që do të ketë një përfaqësim shumë të lartë gjatë këtij samiti, dhe kështu do të ketë mundësi të flitet jo vetëm për Ballkanin, por një pamje shumë më të gjerë, gjë që është shumë e rëndësishme”.

Intervista e plotë

Përshëndetje zoti Goncharenko, faleminderit që jeni me ne sot. Dëshiroj që ta nisim bisedën tonë me vizitën e presidentit të Ukrainë, Volodymyr Zelensky, në Tiranë. Ai do të marrë pjesë në samitin e paqes këtu në Shqipëri. Çfarë mund të presim nga ky event dhe si e shikoni të ardhmen e Ukrainës. A ka bërë Zelenski mjaftueshëm në këto dy vite luftë kundër Rusisë? Si mund të ndihmojë Shqipëria, Ukrainën në këto momente?

-Po, është shumë e rëndësishme. Jam i lumtur që shoh Presidentin Zelensky të vijë në Shqipëri. Ballkani është një rajon shumë i rëndësishëm të cilin Rusia përpiqet ta destabilizojë. Dhe Ballkani gjithashtu ka shumë të përbashkëta me Ukrainën. Pra kemi një luftë të përbashkët. Është shumë me vend që presidenti ynë të jetë në Shqipëri. Dhe jam i sigurt se kjo vizitë do të jetë e frytshme. Dhe shpresoj që pas kësaj të ketë më shumë bashkëpunim mes vendeve tona. Gjithashtu e di që do të ketë një përfaqësim shumë të lartë gjatë këtij samiti, dhe kështu do të ketë mundësi të flitet jo vetëm për Ballkanin, por një pamje shumë më të gjerë, gjë që është shumë e rëndësishme.

E dimë që ju jeni një mik shumë i mirë i Shqipërisë dhe Kosovës. Ju keni thënë se duhet njohur pavarësia e Kosovës dhe gjithashtu duhet të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Europës. E dimë që ju keni formuar grupin e “miqve të Kosovës” dhe një projektligj në parlamentin ukrainas për njohjen e Kosovës. Si ka shkuar kjo iniciativë, kur ne mund të presim që kjo njohje të ndodhë.

-Mendoj, për fat të keq, se ukrainasit dhe kosovarët kanë shumë gjëra të përbashkëta. Ne kemi përjetuar gjenocid. Ne po luftojmë për pavarësinë tonë. Prandaj besoj vërtetë se Kosova e meriton njohjen. Prandaj unë e mbështes Kosovën dhe ne do ta mbështesim Kosovën në rrugën e saj drejt Këshillit të Europës dhe më pas në të ardhmen drejt Bashkimit Europian. Dhe po, unë sponsorizova projektligjin në parlamentin ukrainas për njohjen e Kosovës. Për momentin nuk është miratuar dhe nuk mendoj se do të miratohet gjatë luftës, por ndoshta gjatë këtij samiti në Shqipëri, kjo do të jetë diçka që do të diskutohet edhe me presidentin tonë. Por duket se është një moment kur ukrainasit po jetojnë një situatë kur raketat u bien në kokë, është mjaft e vështirë për ta të kuptojnë se çfarë urgjence është që ta marrin këtë vendim. Por jam i sigurt se pas përfundimit të luftës, Ukraina do ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe do të ndërtojë më shumë bashkëpunim me këtë vend.

Sa i përket Kosovës, Rusia e ka përdorur më shpesh kohët e fundit për të sulmuar perëndimin dhe gjithashtu NATO-n, Bashkimin Europian. Presidenti ukrainas ka thënë sePutini ka një qëllim të qartë për të destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor, siç ka theksuar ai, që të fillojë një konflikt këtu. Por kush po ndihmon me këtë? Pra, kush janë miqtë e Rusisë dhe Putinit në Ballkan?

-Është e qartë se janë forcat nacionaliste në Serbi. Miqtë e Rusisë në Ballkan, ky është i vetmi mik i Rusisë. Të gjithë të tjerët e kuptojnë dhe e dinë se sa e tmerrshme është Rusia edhe për Serbinë. Por fatkeqësisht në Serbi ka forca që e shohin vetën, e shohin Serbinë si një perandori e vogël në Ballkan, si Rusia është një perandori e madhe dhe ata janë si një perandori e vogël.

Për fat të keq, për shkak të kësaj, Rusia ka terren atje. Dhe ne pamë se si Rusia shumë herë u përpoq të destabilizonte Ballkanin, duke organizuar grusht shteti në Mal të Zi, duke u përpjekur t’i vinte zjarrin Bosnjë dhe Hercegovinës, duke e shtyrë Serbinë të ishte më agresive ndaj Kosovës. Në përgjithësi, Rusia është pjesë e asaj që unë e quaj “boshti i demave të tërbuar”, ku bën pjesë Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut, vende të cilat duan që t’i vënë sa më shumë zjarr botës. Ata po qëndrojnë pas luftës në Lindjen e Mesme. Jam i sigurt se ata po qëndrojnë pas krizës në Detin e Kuq. Ata duan të destabilizojnë Afrikën dhe duan të destabilizojnë Ballkanin.

A mendoni se Rusia ka pasur gisht në sulmin e Banjskës shtatorin e kaluar në Kosovë?

-Jam i sigurt se Rusia ka marrë pjesë në përgatjtjen e tij. Të paktën Rusia ka qenë e lumtur që ndodhi.

Serbia e ka deklaruar veten mike shumë të mirë të Rusisë. Dhe presidenti Vucic, kohët e fundit deklaroi se Rusia po fiton në Ukrainë. Ai gjithmonë ka refuzuar të sanksionojë Rusinë për luftën e nisur dy vjet më parë. Në anën tjetër, Kosova gjithmonë ka mbështetur Ukrainën në sanksionet kundër Rusisë me trajnimin e personelit ushtarak etj. Pse Ukraina nuk sheh qartë në këtë çfarë po ndodh dhe nuk vepron për t’iu afruar Kosovës?

-Nëse flasim për njohjen, unë tashmë ju tregova situatën këtu, kështu që besoj se është çështje kohe. Nëse flasim për Serbinë dhe zotin Vucic, ai po mundohet të luajë një lojë të dyfishtë. Gjithashtu po përpiqen të tregojnë një lloj mbështetjeje për Ukrainën. Ata gjithashtu përpiqen të tregojnë aspiratat e tyre europiane. Unë nuk u besoj fjalëve të presidentit Vucic, por Ukraina tani vërtetë është në situatë të vështirë.

Jemi në luftë ekzistenciale. Mos e harroni këtë. Pra, kjo është shumë e rëndësishme për ne që të punojmë absolutisht me të gjitha palët. Por duke folur për Presidentin Vucic, mund t’ju them se ai nuk ka të drejtë. Ukraina nuk po e humb këtë luftë. Rusia nuk po fiton. Në fund të ditës fitorja do të jetë e jona. Dhe në realitet, fitorja tashmë është e jona, sepse Putin u përpoq të fshinte Ukrainën nga harta e botës dhe ai dështoi.

Për ta përmbyllur, cili është mesazhi apo këshilla juaj për Kosovën dhe Serbinë për të arritur një marrëveshje që do të sjellë paqe dhe normalizim si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë dhe për të shmangur përsëritjen e skenarit Rusi-Ukrainë. Pra për të shmangur një luftë, sepse po shohim që Serbia po merr armatim të rëndë kryesisht nga Rusia dhe kërcënon Kosovën. Çfarë mund të këshilloni për këtë çështje?

-Këshilla ime është shumë e thjeshtë që Kosova të jetë e gatshme të mbrohet. Sepse askush në botë nuk do të të mbrojë përveç vetes. Ky është mësimi i nxjerrë nga ne në Ukrainë. Dhe vetëm nëse do të tregoni qëndrueshmëri siç e treguat kur luftuat për pavarësinë tuaj, atëherë aleatët e vendeve të tjera mund të vijnë për t’ju ndihmuar. Por para së gjithash, duhet të jeni gati. Këshilla ime për Serbinë është shumë e lehtë. Duhet ta trajtojë veten si Gjermania përpara bashkimit. Kur Gjermania ishte perandori, ishte një makth i vazhdueshëm për të gjithë fqinjët dhe për vetë gjermanët. Miliona gjermanë vdiqën për asgjë.

Ky është realiteti. Dhe pasi Gjermania, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore përmes deimperializimit, u bë një vend normal pa asnjë ide imperialiste, atëherë Gjermania u bë një vendi mrekullueshëm, i begatë, i bukur, aq i respektuar në të gjithë botën. E njëjta gjë me Rusinë dhe Serbinë. Nëse duan të bëhen vende normale, duhet të ndalojnë të bëhen perandori dhe të largohen nga kjo mënyrë e të menduarit. Kjo është këshilla ime për Serbinë dhe për të jetuar në paqe me fqinjët tuaj. Dhe në këtë rast, jam i sigurt se edhe Serbia ka të ardhme të ndritur. Në të kundërt do të këtë gjakderdhje të vazhdueshme.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit