KUR POLICIA SULMOHET, AUTORITETI I SHTETIT VIHET NË PROVË !

Nga Musa Kurtulaj

Në pak muaj, Shqipëria ka parë një varg ngjarjesh që nuk mund të kalohen si incidente të zakonshme.

Në Sarandë, dy punonjës policie u dhunuan, ndërsa së fundmi u sulmua edhe shefi i krimeve. Po në Sarandë, më herët, një punonjës policie u dhunua nga një person i arrestuar, ndërsa po shoqërohej me furgon drejt gjykatës.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në Shkodër, vetëm pak kohë më parë, edhe një tjetër punonjës policie u dhunua. Në Tiranë, një punonjës policie mbeti i plagosur pasi u sulmua qëllimisht me automjet.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në Durrës, një person me makinë rrezikoi jetën e dy punonjësve të Policisë. Dhe rasti më tragjik, një muaj më parë: në Elbasan, një punonjës policie humbi jetën në krye të detyrës, pasi u vra nga një person i shpallur në kërkim.

Të marra veçmas, këto janë ngjarje të ndryshme, por të marra së bashku, janë një sinjal alarmi për autoritetin e shtetit dhe sigurinë e atyre që kanë detyrë të zbatojnë ligjin.

Ndaj, pas rasteve të tilla vjen pyetja e pashmangshme: Nëse polici nuk është i sigurt në krye të detyrës apo jashtë saj, si mund të ndihet i sigurt qytetari?

Punonjësi i policisë nuk është dhe nuk mund të jetë mbi ligjin. Ai duhet të jetë ndër njerëzit e parë që e respekton dhe e zbaton atë. Por pikërisht për këtë arsye, shteti duhet t’i garantojë atij mbrojtjen dhe mbështetjen institucionale që i nevojiten për të përballuar situatat e rrezikshme.

Polici ka të drejtë të vetëmbrohet brenda kufijve që përcakton ligji. Por e drejta në letër nuk mjafton nëse në terren një punonjës policie sulmohet, dhunohet apo edhe vritet.

Nuk mund të kërkojmë nga polici të përballet me krimin, ndërkohë që ai vetë ndihet i pambrojtur përballë dhunës.

Askush nuk ka të drejtë të ngrejë dorë mbi një punonjës policie. Askush nuk ka të drejtë ta kërcënojë, ta sulmojë apo t’i rrezikojë atij jetën.

Kush e bën këtë, duhet të përballet me forcën e plotë të ligjit, me një ndëshkim të drejtë, të shpejtë dhe proporcional me rëndësinë e veprës.

Jo për hakmarrje, jo për të vendosur policinë mbi qytetarin, por për të treguar qartë e prerë se shteti demokratik nuk negociohet me dhunën.

Kur dikush guxon të sulmojë një polic të armatosur, me uniformë dhe në krye të detyrës ose jo, problemi nuk është vetëm guximi apo papërgjegjshmëria e autorit, por është edhe një test për forcën, seriozitetin dhe vendosmërinë e shtetit.

Nëse duam të forcojmë besimin e qytetarëve te institucionet, duhet të tregojmë se ata që mbrojnë ligjin mbështeten dhe mbrohen fuqishëm nga shteti.

Policë sa për të mbajtur uniformën nuk na duhen, por na duhen policë të mbështetur dhe me autoritet të qartë ligjor për të vepruar në terren.

Nuk duhet harruar se dobësimi i autoritetit të policisë nuk është thjesht problem i Policisë së Shtetit, por është problem i sigurisë së çdo shqiptari.

Shteti duhet të jetë i fortë ndaj dhunës, ligji duhet të jetë i prerë ndaj atij që sulmon zbatuesin e ligjit, uniforma që mbron qytetarin duhet të respektohet, të mbrohet dhe të mos lejohet të poshtërohet.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?

Ke arritur limitin e votimit.

Results

Po 3471 (72.1%)
Jo 1345 (27.9%)

Vota totale: 4816