Home Aktualitet Diploma e Bel...

Diploma e Belind Këlliçit, dalin dokumentet që provojnë regjistrimin e rregullt në universitetin amerikan

344
0

Belind Këlliçi është kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 14 Majit, dhe ditët e fundit është bërë viral një lajm se ai ka mashtruar shtetin amerikan. Raportimi ngrinte dyshimin se Këlliçi ka nisur studimet universitare pa pasur diplomë të shkollës së mesme. Sipas shkrimit të publikuar në disa media, Belind Këlliçi ka mashtruar universitetin amerikan Coppin në Maryland, pasi nuk kishte marrë diplomë nga shkolla e mesme Harry Fultz.

Artikulli bazohet në një dokument të Harry Fultz, sipas të cilit Këlliçi ka kryer vetëm 4 nga 5 vitet e ciklit të studimit. “Siç na u konfirmua zyrtarisht edhe nga Instituti “Harry Fultz”, edhe nga Ministria e Arsimit, Këlliçi nuk rezulton të ketë diplomë të shkollës së mesme, e për rrjedhojë nuk ka si të kryhet njësimi i diplomës universitare”, thuhet në shkrim.

Faktoje.al ka kërkuar informacion fillimisht pranë “Harry Fulzt”-it në Tiranë e më tej edhe pranë universitetit Coppin në Maryland mbi ish-studentin Këlliçi dhe procedurat që ndiqen zakonisht për regjistrimet e reja. Sipas përgjigjes së kthyer nga Harry Fultz, regjistrimi në universitet në fund të vitit të katërt të studimeve, është një praktikë normale e kësaj shkolle, pasi ka përputhje të kurrikulave me disa universitete.

“Kjo praktikë është ndjekur në shkollën tonë nga shumë nxënës të dalluar të periudhës 1997-2005, të cilët pas 12 viteve shkollim në Shqipëri kanë ndjekur studimet e mëtejshme në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Republikën Çeke, për motivin e pajtueshmërisë kurrikulare dhe të krediteve përkatëse”, sqarohet në përgjigjen e shkollës Harry Fultz për Faktoje, e cila boton dokumentin e plotë. Sipas udhërrëfyesit të universitetit për pranimin e studentëve të huaj, çdo aplikues i ri duhet të dorëzojë disa dokumenta, ndër të cilat:

Të dhënat akademike zyrtare të noterizuara të shkollës së mesme që tregojnë notat e marra, fletët vjetore të notave, certifikatat e provimit dhe certifikatat e përfundimit siç zbatohen për sistemin arsimor në vendin e origjinës së studentit. Të dhënat duhet të merren për secilin nga katër vitet e fundit të shkollës së mesme ose pikët e nivelit të avancuar.

Sipas informacionit të marrë nga Harry Fultz, Belind Këlliçi është pajisur nga kjo shkollë me raportin shkollor me rezultatet përkatëse për katër vite, skeletin e kurikulës për vitet 2001-2005 dhe programet mësimore të detajuara për çdo lëndë si dhe vërtetimin për zhvillimin e programit mësimor në gjuhën angleze. Ndërsa informacionet e marra ndërkohë nga universiteti Coppin në Maryland tregojnë se procedura e regjistrimit ka qenë e rregullt.

Universiteti Coppin ka informuar edhe për studimet që Këlliçi ka përfunduar në këtë universitet. “Sipas të dhënave tona, Belind Këlliçi hyri në Universitetin Coppin në semestrin e vjeshtës së vitit 2005 dhe u diplomua në nivelin Bachelor për Shkenca Menaxhimi në dhjetor 2008. Ai u diplomua me vlerësimin më të lartë “Summa Cum Laude”, që merret nga studentët që fitojnë të paktën 48 orë kredite në universitet dhe një mesatare kumulative të notave midis 3.75 dhe 4 në të gjitha lëndët universitare”.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit