Home Editorial Fundi i epokë...

Fundi i epokës Berisha!

4276
0

(Ky editorial mund te shikohet më i plotë si video, ndaj klikoje për ta parë).

Nuk kishte se si të gjëndej një mbyllje pa lavdi e Sali Berishës, më keq se sa kështu.

Por në një farë mënyre e kërkoi vetë këtë fund.

Sali Berisha mbetet Burrë Shteti, ka bërë histori në Shqipëri. Ai drejtoi partinë e parë opozitare në vend e cila përmbysi komunizmin dhe hodhi shinat e para në trasenë e kapitalizmit, mes njëmijë halleve ekonomike dhe duke qëndruar mes demokracisë e autoritazmit absolut në vitet e para të pas rrëzimit të sistemit enverian.

Berisha mund të ndahet në tre epoka, por që prapë një emër kanë mbi supe: Sali Berisha!

Në epokën e parë, nga viti 1991 deri në vitin 1997, Berisha ishte një komunist idealist me nocione demokratike dhe i pa korruptuar. Në këto vite ai manifestoi se nuk pranonte dialogun dhe bashkëpunimin, ai përsekutoi opozitën e kohës, duke futur në burg edhe kryetarin e Partisë Socialiste, Fatos Nano. Pushteti i tij ishte absolut dhe kundër lirisë së shtypit, duke u kacafytur fort me gazetën e parë të pavarur KOHA JONE, me të cilën u përplas duke përdorur policinë dhe shërbimin sekret, aqsa me 3 mars 1997 e dogji redaksinë.

Në vitin 1997 Berisha u rrëzua si President Republike.

Nga viti 1997 deri në vitin 2005 ishte një Berishë që dëgjonte, kërkonte mendim, si dhe solli element demokracie në partinë demokratike. Kjo periudhë ishte si një paraepokë derisa mori pushtetin në vitin 2005.

Këtu fillon Epoka e dytë berishiane.

Në mandatin e parë si kryeministër, pra nga viti 2005 deri në vitin 2009, ishte një qeveri që punoi për shtetin dhe qytetarët. Natyrisht që gabime bën çdo pushtet, por duhet pranuar se Berisha ishte një tjetër njeri nga ai që njihte publiku; punoi dhe skicoi Shqipërinë moderne. Ndërsa nga viti 2009 deri në vitin 2013 qeverisja e tij ra në korrupsion masiv.

Ndër këto tetë vite qeverisje Berisha bëri atë që nuk e bënte asnjë kryeministër në histori; ndërtoi Rrugën e Kombit, duke lidhur Kosovën me Shqipërinë. Rruga e Kombit mban, ndonëse jo zyrtarisht, emrin SALI BERISHA.  Po kështu Sali Berisha futi Shqipërinë në NATO si dhe hoqi vizat për krejt shqiptarët, një arritje historike dhe patriotike.

Në vitin 2013 e pas fillon epoka e tretë e Berishës; një epokë me disfata dhe gabime të tmerrshme si politikan kalibri.

Berisha duhej të ishte larguar nga politika sapo humbi zgjedhjet në vitin 2013, kur erdhi Edi Rama në pushtet.

Po të kishte ikur asokohe sot nuk do të kishte këto probleme dhe kokëçarje me drejtësinë, por edhe me emrin e tij, që ka humbur shumë nga shkëlqimi i dikurshëm.

Por Berisha qëndroi në parlament dhe natyrisht në politikë, duke drejtuar nga prapaskena. Ai gaboi me zgjedhjen e Lulzim Bashës si kryetar të partisë demokratike, kur fare mirë mund ta linte të lirë garën për lider. PD-ja kishte plot figura karizmatike dhe me integritet si Sokol Olldashin apo Jozefina Topallin. Edhe emra të tjerë ishin në anijen e partisë demokratike. Por Berisha nuk lejoi garën dhe nuk shikoi larg në horizontin demokrat.

Ishte Sali berisha që lejoi apo nuk foli kur Lulzim Basha përjashtoi nga qënia deputet dhe në politikën demokrate të disa emrave të rëndësishëm si Jozefina Topalli dhe të tjerë.

Epoka e tretë e Berishës është epokë në dekadencë, të plakut Tartuf, të një njeriu që mendonte se nëse i trokiste drejtësia, mund ta largonte me shkopin e deputetit.

Edhe brenda kësaj epoke, Berisha duhej të ikte me vrap nga politika sapo rrëzoi me vota duke mos patur siglën e PD, pra që palosi Lulzim Bashën me zgjedhje të pjesshme vendore.

Gjithkush me mend në kokë tha se pas kësaj Berisha tregoi se është faktor në PD, duke mundur PD e kthyer në vulë pushteti, pra gjithkush tha se do të largohej duke ia lenë vendin një përbashkimi të madh demokrat dhe opozitar e ku lideri do të vinte nga vetë radhët demokrate.

Pra jo i diktuar nga Sali Berisha.

Prapë Berisha nuk iku. Përkundrazi mendoi se ai ishte Zoti në PD dhe se pa atë, vdes opozita. 

Ai veproi gabim, që tashmë është kthyer në faj të madh të tijin për fatin e demokratëve, të cilët nuk vijnë më në pushtet.

Kjo është tragjedi për opozitën dhe një vetvrasje për vetë personin Sali Berisha.

Tani ai përballet me arrestin në një moshë 80 vjeçare, ku as mundësia fizike nuk i jep shans të rikthehet më në pushtet, pushtet i cili duket larg sa është sot planeti Mars për tokësorët.

Berisha nuk e meritonte një fund të tillë, ndonëse vetë e hodhi veten në greminë.

Sido të jetë Berisha mbetet Burri që bëri histori në këto 33 vite dhe ku duhet pas shumë vitëve historianët të peshojnë të mirat dhe këqijat e Sali Berishës ndaj Shqipërisë.

Realisht këtë fund nuk e meritonte ai, që ishte president dhe kryeministër, dhe që bëri epokë.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit