Rama: Nuk ka asnjë shans që investimi në Zvërnec të ndalojë, sa të jem unë këtu
Kryeministri Edi Rama u pyet nga mediat lidhur me ngjarjen në Zvërnec në konferencën e mbajtur me presidentin e Këshillit të Europës, Antonio Costa.
Rama tha se inkurajon hetimin e nisur nga SPAK për origjinën e pronës, por shtoi se “nuk ka asnjë shans që investimi në Zvërnec të ndalojë, sa të jem unë këtu”.
“Kjo çështje e SPAK-ut ka dy pjesë: pjesën pozitive që i takon SPAK-ut dhe pjesën e shëmtuar që i takon zëdhënësve të vetofruar të SPAK-ut.
Pjesa pozitive lidhet me hetimin mbi origjinën e një pasurie. Për sa kohë ky është një problem i ngritur, me apo pa të drejtë, dhe i shumëpërfolur, aq më tepër kur lidhet me një hetim të nisur ndaj subjektit, është shumë pozitive që SPAK ta hetojë origjinën e kësaj prone. Kjo është e mirëseardhur dhe unë e nxis këtë hetim.
Pjesa e shëmtuar është ajo e zëdhënësve të vetofruar që shpërndajnë gjysmë të vërteta, të cilat në fakt janë gënjeshtra të plota, pasi investitorët që sot janë zotëruesit e pronës, sipas legjislacionit shqiptar, janë investitorë me reputacion të padiskutueshëm. Burimet financiare për kryerjen e pagesës janë hetuar imtësisht nga Agjencia e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe kanë rezultuar plotësisht ligjore, me origjinë nga institucione financiare me reputacion global.
Kjo çështje, siç ka dy pamje, duhet trajtuar në dy pjesë. Investimi vazhdon me pronarët e rinj dhe të ligjshëm dhe, në rast se del një tjetër origjinë e pronës, ata që kanë të drejtë mbi të mund të marrin paratë e tyre. Të gjitha palët janë të kënaqura, përveç asaj që ka mashtruar.
Do t’u bëja thirrje zëdhënësve të vetofruar që të mendojnë disa herë përpara se të shkruajnë të pavërteta, pasi dëmtojnë Shqipërinë. Dihet kush janë investitorët, sepse janë njerëz me reputacion. Nuk ka asnjë shans që ky investim të ndalet sa kohë unë jam këtu.
Unë jam absolutisht i hapur për të diskutuar me këdo që ka pretendime, por duhet të sqarojmë se për çfarë bëhet fjalë. Nëse pretendimet lidhen me pronën, ekziston rruga ligjore dhe mund të çojë në zgjidhjen më të drejtë të mundshme”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

