Kryeministri Rama pritet me ceremoni në Tokio: Fuqizojmë marrëdhëniet mes dy vendeve

Kryeministri Edi Rama u prit në Tokio me ceremoni nga homologia Sanae Takaichi.

Pas ceremonisë, dy liderët dhanë një deklaratë për shtyp.

Kryeministrja e Japonisë vlerësoi kontributin e Shqipërisë në stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa theksoi se Japonia është partnere e Shqipërisë, Takaichi bëri thirrje për një bashkëpunim më të thelluar.

Swiss Digital Desktop Reklama

“E mirëpres me zemër vizitën e kryeministrit Rama sot. Jam shumë e lumtur t’ju takoj për herë të parë. Shqipëria është një partnere e rëndësishme, me të cilën ndajmë parime dhe vlera të përbashkëta. Jemi të kënaqur që negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme. Japonia, në kuadër të nismës së bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor, do të vijojë të mbështesë fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në BE. I shpreh respekt Shqipërisë për kontributin aktiv që jep në stabilitetin rajonal. Ju falënderoj për mbështetjen e vizionit për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur”, tha kryeministrja japoneze.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Ju falënderoj për mikpritjen, të cilën nuk do ta harroj. Kam pasur mundësinë të jem pjesë e shumë ceremonive, por kjo e sotmja është e veçantë. Dua të them se kjo është vizita ime e dytë në Japoni. Me shumë kënaqësi presim fuqizimin e kësaj marrëdhënieje, të bazuar te vlerat dhe parimet e përbashkëta për botën ku dëshirojmë të jetojmë. Është e vërtetë që e kam parë strategjinë e Indo-Paqësorit dhe e mbështesim plotësisht. Me shumë kërshëri presim të eksplorojmë mundësi të ndryshme se si mund të afrohemi më shumë me Japoninë”, tha Rama.

Kryeministri Rama ka ftuar homologen e tij të Japonisë, Sanae Takaichi që të vizitojë Shqipërinë vitin e ardhshëm, kur edhe në Tiranë do të mbahet samiti i NATO-s.

“Dëshiroj t’u them dhe paraprakisht që vitin e ardhshëm në Tiranë ne do të organizojmë samitin e NATO-s dhe për këtë arsye kam kënaqësinë e veçantë t’ju ftoj të merrni pjesë në atë samit. Dhe në fakt, kur të vini do të jetë dhe rasti i parë kur një kryeministër apo kryeministre të vizitojë Shqipërinë në një vizitë shtetërore dhe do të ishte kënaqësi që t’ju mikprisnim dhe në një farë mënyrë të marrim hak, në thonjëza për këtë mikpritje kaq të ngrohtë që ju na keni ofruar dhe na ka lënë mbresa”, tha Rama.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?