Maran para sfidës me Luksemburgun: Duhet të gjejmë ekuilibrin, rezultatet do të vijnë
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, doli sot në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes miqësore ndaj Luksemburgu, duke theksuar se skuadra është ende në proces përshtatjeje me idetë e tij dhe se nevojitet më shumë kohë për të arritur ekuilibrin e duhur në lojë.
Tekniku kuqezi u shpreh se ka vetëm 20 ditë në drejtimin e përfaqësueses dhe se njohja e plotë e lojtarëve, si në aspektin teknik ashtu edhe psikologjik, kërkon kohë.
“Kam vetëm 20 ditë që njoh lojtarët dhe nuk është e lehtë t’i kuptosh aq mirë në një periudhë kaq të shkurtër. Duhet të gjejmë ekuilibrin si skuadër. Në ndeshjen ndaj Izraeli kishte gjëra që i bëmë mirë, por edhe elementë që duhen përmirësuar. Krijuam 3-4 raste me goditje në portë, por kur u treguam më ofensivë, bëmë gabime në fazën mbrojtëse”, deklaroi Maran.
Ai theksoi se stafi teknik ka punuar intensivisht në aspektin taktik për të korrigjuar mangësitë e evidentuara dhe për ta paraqitur skuadrën më të konsoliduar në përballjen e radhës.
Sipas trajnerit, shenjat e para janë pozitive, pasi lojtarët kanë treguar përkushtim dhe vëmendje të madhe ndaj kërkesave të stafit teknik.
“Besoj se përmirësimi do të vijë. Mendoj se kemi arritur të gjejmë një gjuhë të përbashkët me lojtarët dhe kam parë vëmendje të madhe nga ana e tyre. Duhet të zbresim në fushë me pritshmëri të larta. Këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme edhe në funksion të sfidave që na presin në shtator”, tha ai.
Maran konfirmoi gjithashtu se Anis Mehmeti nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e nesërme, ndërsa shprehu bindjen se me rritjen e nivelit të lojës do të vijnë edhe rezultatet pozitive.
KOHA JONË SONDAZH

