Qeveria miraton një sërë vendimesh, nga mbrojtja e mjedisit te taksat dhe rindërtimi

Këshilli i Ministrave ka zhvilluar sot, më 2 shtator, ka miratuar disa vendime dhe projektligje që prekin fusha të ndryshme, përfshirë mbrojtjen e mjedisit, rindërtimin, sigurinë publike dhe administrimin fiskal. Në fokus të vendimeve të miratuara janë edhe veprimtaritë që klasifikohen si të rrezikshme për mjedisin.

Janë përcaktuar kriteret dhe mënyrat për vlerësimin e kërcënimeve të mundshme, si dhe të dëmeve që mund t’i shkaktohen mjedisit. Ndryshime janë miratuar edhe në aktet që lidhen me zonat me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore në Bashkinë Shijak. Në të njëjtën kohë, qeveria ka përcaktuar përdorimin e fondit të rindërtimit për ndërhyrje në forcimin e banesave në Tiranë, Durrës, Shijak, Lezhë dhe Krujë.

Në fushën e sigurisë publike, Këshilli i Ministrave ka miratuar kriteret për dhënien e medaljes së Shërbimit të Rendit Publik. Gjatë mbledhjes janë miratuar gjithashtu disa projektligje që lidhen me marrëveshjet ndërkombëtare të Shqipërisë me Lituaninë dhe Gjermaninë për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe luftën kundër evazionit fiskal.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një tjetër projektligj i miratuar parashikon ndryshime në kuadrin ligjor për administrimin e objekteve të konfiskuara, të cilat janë ndërtuar pa leje. Vendimet dhe projektligjet e miratuara synojnë të sjellin ndryshime në disa prej këtyre fushave, duke përfshirë mbrojtjen e mjedisit, rindërtimin e banesave, sigurinë publike dhe administrimin e detyrimeve fiskale.

Swiss Digital Mobile Reklama

Vendimet e plota të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 2 Shtator 2026:

V E N D I M PËR MIRATIMIN E KRITEREVE NË BAZË TË TË CILAVE BËHET VLERËSIMI I KËRCËNIMIT TË MUNDSHËM DHE PËRCAKTIMI I DËMIT NË MJEDIS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 3, të nenit 50, të ligjit nr.10 431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim miraton kriteret për vlerësimin e kërcënimit të menjëhershëm për dëm në mjedis dhe për përcaktimin e dëmit në mjedis, me qëllim zbatimin e masave parandaluese dhe rehabilituese, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e mjedisit.
2. Për qëllime të këtij vendimi, termat e përdorur në këtë vendim kanë kuptimin që u jepet sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e mjedisit, ndërsa termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Dëm” konsiderohet çdo ndryshim negativ i matshëm në një burim natyror ose çdo cenim i matshëm i shërbimeve të ofruara nga një burim natyror, i shkaktuar drejtpërdrejt ose tërthorazi;
b) “Dëm mjedisor” konsiderohet:
i. dëmtimi i llojeve të mbrojtura dhe i habitateve natyrore, që përfshin çdo dëm që ka ndikime të konsiderueshme negative në arritjen ose ruajtjen e statusit të favorshëm të ruajtjes së këtyre habitateve ose llojeve. Këto ndikime vlerësohen në raport me gjendjen e mëparshme, duke marrë parasysh kriteret e përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Dëmtimi i llojeve të mbrojtura dhe i habitateve natyrore nuk përfshin ndikimet negative të identifikuara paraprakisht, të cilat rrjedhin nga një veprim i operatorit, i autorizuar shprehimisht nga autoritetet kompetente, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e natyrës, biodiversitetit, habitateve dhe llojeve të mbrojtura;
ii. dëmtimi i ujërave, që përfshin çdo dëm me ndikim të konsiderueshëm negativ në statusin ekologjik, kimik ose sasior, apo në potencialin ekologjik të ujërave, në përputhje me legjislacionin në fuqi për burimet ujore, si dhe në gjendjen mjedisore të ujërave detare, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e mjedisit detar. Dëmtimi i ujërave nuk përfshin ndikimet negative të lejuara, në përputhje me përjashtimet e parashikuara nga legjislacioni përkatës në fuqi;
iii. dëmtimi i tokës, që përfshin çdo ndotje të tokës, e cila krijon një rrezik të konsiderueshëm për shëndetin e njeriut, si pasojë e futjes së drejtpërdrejtë ose të tërthortë të substancave, preparateve, organizmave ose mikroorganizmave në, mbi ose nën tokë.
c) “Gjendje e mëparshme” konsiderohet gjendja e burimeve natyrore dhe e shërbimeve të tyre në kohën e shkaktimit të dëmit, e cila do të kishte ekzistuar nëse dëmi në mjedis nuk do të kishte ndodhur, e vlerësuar mbi bazën e informacionit më të mirë të disponueshëm;
ç) “Kërcënim i menjëhershëm për dëm mjedisor” konsiderohet mundësia e mjaftueshme që një dëm i tillë të ndodhë në të ardhmen e afërt;
d) “Masa parandaluese” konsiderohen të gjitha masat e marra në përgjigje të një ngjarjeje, veprimi ose mosveprimi, që ka krijuar një kërcënim të menjëhershëm për dëm në mjedis, me qëllim parandalimin ose minimizimin e këtij dëmi;
dh) “Shërbime të ofruara nga burimet natyrore” konsiderohen funksionet që kryhen nga një burim natyror, në dobi të një burimi tjetër natyror ose të publikut;
e) “Veprimtari profesionale” konsiderohet çdo veprimtari e ushtruar në kuadër të një aktiviteti ekonomik ose biznesi, publik ose privat, fitimprurës ose jofitimprurës.
3.Ky vendim nuk zbatohet për dëmin në mjedis ose për kërcënimin e menjëhershëm për një dëm të tillë, kur dëmi ose kërcënimi i menjëhershëm është:
a) pasojë e një konflikti të armatosur, armiqësie, lufte civile ose kryengritjeje;
b) rezultat i aktiviteteve, qëllimi kryesor i të cilave është mbrojtja kombëtare ose siguria ndërkombëtare apo i aktiviteteve, qëllimi i vetëm i të cilave është mbrojtja nga fatkeqësitë natyrore;
c) pasojë e dëmeve që vijnë nga një incident, për të cilin përgjegjësia ose dëmshpërblimi bien brenda fushës së zbatimit të konventave ndërkombëtare, të ratifikuara në Republikën e Shqipërisë;
ç) pasojë e rreziqeve nukleare, që rrjedhin nga veprimtari të mbuluara nga instrumentet përkatëse ndërkombëtare në fushën e energjisë bërthamore, ose nga një incident apo veprimtari për të cilin përgjegjësia ose kompensimi bien brenda fushës së zbatimit të ndonjë prej instrumenteve ndërkombëtare, në të cilat Republika e Shqipërisë është palë.
4. Zbatimi i këtij vendimi nuk cenon të drejtën e operatorit për të kufizuar përgjegjësinë e tij, në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon kufizimin e përgjegjësisë për kërkesat detare dhe për veprimtaritë e lundrimit të brendshëm.
5. Në rastet e ndotjes me karakter difuz, ky vendim zbatohet vetëm kur është e mundur të përcaktohet një lidhje shkakësore midis dëmit në mjedis ose kërcënimit të menjëhershëm për një dëm të tillë dhe veprimtarive të operatorëve individualë.
II. KRITERET PËR VLERËSIMIN E KËRCËNIMIT TË MUNDSHËM DHE TË MENJËHERSHËM TË DËMIT MJEDISOR
1. Vlerësimi i ekzistencës së një kërcënimi të menjëhershëm për dëm mjedisor bazohet në këto kritere, për aq sa janë të zbatueshme, sipas rastit:
a) Natyra, sasia, përqendrimi dhe rrezikshmëria e substancave ndotëse ose e faktorëve të tjerë dëmtues;
b) Probabiliteti që dëmi të ndodhë dhe afati kohor, brenda të cilit ai mund të ndodhë;
c) Afërsia me burime ujore, habitate natyrore, lloje të mbrojtura, zona të mbrojtura, zona të banuara ose zona të tjera të ndjeshme mjedisore;
ç) Ekzistenca e rrugëve të mundshme të përhapjes së ndotjes ose të faktorëve dëmtues në ajër, ujë, tokë, habitate ose zinxhir ushqimor;
d) Gjendja teknike, niveli i sigurisë dhe funksionimi i instalimeve, pajisjeve, proceseve ose sistemeve të kontrollit;
dh) Shkalla e mundshme e dëmit, përhapja territoriale, kohëzgjatja dhe mundësia e rikuperimit natyror;
e) Rreziku i mundshëm për shëndetin e njeriut;
ë) Historiku i incidenteve, mosfunksionimeve, shkeljeve ose ngjarjeve të ngjashme të lidhura me veprimtarinë e operatorit.
2. Vlerësimi i kërcënimit të menjëhershëm për dëm në mjedis kryhet, rast pas rasti, mbi bazën e informacionit më të mirë të disponueshëm, të dhënave teknike, inspektimeve në terren, analizave laboratorike, të dhënave të monitorimit dhe çdo informacioni tjetër të nevojshëm. Agjencia Kombëtare e Mjedisit gjatë procesit të vlerësimit përcakton të paktën:
a) burimin e mundshëm të kërcënimit ose të dëmit;
b) veprimtarinë profesionale dhe operatorin ose operatorët e mundshëm të lidhur me këtë burim;
c) burimin natyror ose shërbimin e burimit natyror që mund të preket;
ç) rrugët e mundshme të përhapjes së ndotjes ose të faktorëve dëmtues;
d) mundësinë, afatin kohor dhe shkallën e ndodhjes së dëmit;
dh) nevojën për masa parandaluese ose për vijimin e procedurës për përcaktimin e dëmit në mjedis, sipas rastit.
3. Për qëllime të vlerësimit, merren në konsideratë:
a) përshkrimi i ngjarjes, incidentit, veprimit ose mosveprimit, që ka krijuar kërcënimin ose dëmin;
b) vendndodhja, hartat, koordinatat dhe përhapja e mundshme territoriale e ndikimit;
c) të dhënat për substancat, preparatet, organizmat, mikroorganizmat ose faktorët e tjerë dëmtues;
ç) lejet, autorizimet, raportet e vetëmonitorimit, raportet e inspektimit dhe të dhënat e shkarkimeve ose emetimeve;
d) rezultatet e analizave laboratorike, matjeve në terren dhe të monitorimit mjedisor;
dh) të dhënat për gjendjen e mëparshme të burimeve natyrore dhe të shërbimeve të tyre;
e) informacioni për llojet e mbrojtura, habitatet natyrore, ujërat, tokën dhe zonat e ndjeshme që mund të preken;
ë) masat e marra ose të propozuara nga operatori për parandalimin, kufizimin ose kontrollin e dëmit.
4. Për përcaktimin e lidhjes shkakësore, ndërmjet dëmit në mjedis ose kërcënimit të menjëhershëm për një dëm të tillë dhe veprimtarisë së operatorit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit (në vijim AKM) bazohet, ndër të tjera, në:
a) lidhjen kohore ndërmjet veprimtarisë, incidentit, emetimit ose shkarkimit dhe shfaqjes së dëmit apo kërcënimit;
b) lidhjen hapësinore ndërmjet burimit të mundshëm të ndotjes dhe burimit natyror të prekur;
c) përputhjen ndërmjet natyrës së substancave ose faktorëve dëmtues dhe llojit të dëmit të konstatuar;
ç) rrugët e mundshme të transportit ose përhapjes së ndotjes në ajër, ujë, tokë, habitate ose në zinxhirin ushqimor;
d) rezultatet e monitorimit, analizave laboratorike, modelimeve teknike ose vlerësimeve të ekspertëve;
dh) ekzistencën ose mungesën e shkaqeve alternative të arsyeshme për dëmin e konstatuar.
5. Kërkesa drejtuar AKM-së shoqërohet me informacionin dhe të dhënat përkatëse, që mbështesin vëzhgimet e paraqitura.
6. AKM-ja, në rastin e pranimit ose refuzimit të kërkesës për veprim, njofton brenda 10 (dhjetë) ditëve punë, palët përkatëse dhe jep arsyet e vendimit. Vendimi i AKM-së duhet të jetë i argumentuar dhe të mbështetet në kriteret e përcaktuara në këtë vendim.
7. Pas përcaktimit të dëmit mjedisor dhe përpara miratimit të masave rehabilituese, AKM-ja, brenda 7 (shtatë) ditëve punë fton palët e përmendura, si dhe personat, në pronën e të cilëve do të zbatohen masat të paraqesin vëzhgimet e tyre. Këto vëzhgime merren në konsideratë gjatë vendimmarrjes.
8. Masat e marra nga AKM-ja nuk përjashtojnë dhe nuk kufizojnë përgjegjësinë e operatorit për dëmin mjedisor.
9. Çdo vendim i AKM-së për marrjen e masave parandaluese ose rehabilituese duhet të jetë i arsyetuar dhe të përcaktojë bazën faktike e ligjore mbi të cilën mbështetet. AKM-ja informon operatorin për të drejtën e ankimit, mjetet juridike dhe afatet përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
10. Çdo vlerësim ose vendim i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për kërcënimin e menjëhershëm ose dëmin në mjedis përmban, së paku:
a) përshkrimin e ngjarjes, veprimtarisë ose rrethanave që kanë krijuar kërcënimin ose dëmin;
b) identifikimin e operatorit ose operatorëve të mundshëm, kur kjo është e mundur;
c) burimin natyror ose shërbimin e burimit natyror të prekur ose që rrezikon të preket;
ç) të dhënat dhe provat mbi të cilat mbështetet vlerësimi;
d) analizën e lidhjes shkakësore;
dh) vlerësimin e rëndësisë së dëmit ose të mundësisë së ndodhjes së tij;
e) bazën ligjore dhe faktike të vendimit;
ë) masat parandaluese që kërkohen dhe, kur është e nevojshme, referimin te masat rehabilituese të propozuara ose të miratuara;
f) afatet për zbatimin e masave, kur ato përcaktohen;
g) të drejtën e ankimit dhe afatet përkatëse.
11. Vlerësimi ose vendimi dokumentohet, sipas rastit, duke u bazuar në formatin e përcaktuar në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi, pa cenuar marrjen në konsideratë të çdo informacioni tjetër të nevojshëm.
12. Kur dëmi në mjedis prek ose mund të prekë territorin e një shteti tjetër, AKM-ja bashkëpunon me autoritetet përkatëse të atij shteti dhe shkëmben informacionin e nevojshëm. Në rast se dëmi ka origjinën në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe mund të prekë një shtet tjetër, AKM-ja njofton në kohë autoritetet përkatëse të shtetit që mund të preket mbi natyrën e dëmit, burimin e mundshëm dhe masat e ndërmarra ose të propozuara.
III. KRITERET PËR PËRCAKTIMIN E DËMIT MJEDISOR
1. Përcaktimi i dëmit mjedisor kryhet në raport me gjendjen e mëparshme të burimeve natyrore dhe të shërbimeve të tyre, bazuar në kriteret e përcaktuara në këtë vendim dhe në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Rëndësia e dëmit vlerësohet duke marrë parasysh:
a) shkallën dhe përhapjen e ndikimeve negative;
b) kohëzgjatjen e tyre;
c) kapacitetin e burimeve natyrore për rikuperim natyror;
ç) ndikimin në shëndetin e njeriut, kur është i provuar.
3. Për dëmtimin e llojeve të mbrojtura dhe të habitateve natyrore, vlerësimi i dëmit kryhet duke marrë parasysh kriteret e shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, në veçanti ndikimin në statusin e favorshëm të ruajtjes, rolin ekologjik të zonës së dëmtuar, rrallësinë e llojit ose habitatit, kapacitetin për rigjenerim natyror dhe mundësinë e rikuperimit brenda një periudhe të shkurtër kohore.
4. Për dëmtimin e ujërave, vlerësimi kryhet duke marrë parasysh ndikimin e dëmit në statusin ekologjik, kimik ose sasior, potencialin ekologjik të ujërave, si dhe në gjendjen mjedisore të ujërave detare, në përputhje me legjislacionin në fuqi për burimet ujore dhe mbrojtjen e mjedisit detar.
5. Për dëmtimin e tokës, vlerësimi kryhet duke marrë në konsideratë nëse ndotja krijon rrezik të konsiderueshëm për shëndetin e njeriut, si pasojë e futjes së drejtpërdrejtë ose të tërthortë të substancave, preparateve, organizmave ose mikroorganizmave në, mbi ose nën tokë. Në këtë vlerësim merren në konsideratë natyra dhe përqendrimi i ndotësve, përdorimi aktual ose i pritshëm i tokës, rrugët e ekspozimit dhe grupet e popullsisë që mund të preken.
IV. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Zbatimi i këtij vendimi bëhet pa cenuar dispozitat e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e mjedisit, si dhe aktet e tjera nënligjore, të miratuara në zbatim të tij, për përgjegjësinë mjedisore, masat parandaluese dhe rehabilituese, përcaktimin e kostove dhe sigurimin e fondeve për kompensimin e dëmit në mjedis.
2. Ngarkohet Agjencia Kombëtare e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M PËR MIRATIMIN E KRITEREVE DHE TË PROCEDURAVE TË PËRFSHIRJES SË ORGANIZATAVE TË SHOQËRISË CIVILE NË OFRIMIN E SHËRBIMEVE TË KUJDESIT ALTERNATIV NË FAMILJE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 26, të ligjit nr.92/2025, “Për kujdesin alternativ në familje në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim ka për qëllim miratimin e kritereve, të procedurave e të mënyrës së përfshirjes së organizatave të shoqërisë civile (në vijim OSHC) në mbështetjen e ofrimit të shërbimeve të kujdesit alternativ në familje, me qëllim garantimin e cilësisë së shërbimeve dhe mbrojtjes së interesit më të lartë të fëmijës.
2. OSHC-të përfshihen në:
a) mbështetjen e identifikimit të fëmijëve dhe familjeve në nevojë për kujdes alternativ, promovimin dhe ndërgjegjësimin për kujdesin alternativ në familje;
b) mbështetjen e bashkisë në proceset e përgatitjes dhe ofrimit të shërbimeve për kujdesin alternativ në familje;
c) ofrimin e trajnimeve dhe mbështetjes së vazhdueshme për familjet kujdestare.
II. KRITERET PËR PËRFSHIRJEN E ORGANIZATAVE TË SHOQËRISË CIVILE
3. Organizatat e shoqërisë civile ofrojnë mbështetje teknike në ofrimin e shërbimeve të kujdesit alternativ në familje, pa të drejtë vendimmarrjeje, sipas fushave të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, nëse plotësojnë të gjitha kriteret e mëposhtme:
a) Kriteret ligjore dhe administrative:
i. Të jenë të regjistruara sipas legjislacionit në fuqi;
ii. Të kenë në objektin e veprimtarisë ofrimin e shërbimeve sociale dhe mbrojtjen e fëmijës;
iii. Të mos jenë në procedura falimentimi, likuidimi ose në konflikt interesi me autoritetet vendimmarrëse;
iv. Të jenë të pajisura me licencë për ofrimin e shërbimeve shoqërore, kur kjo kërkohet nga legjislacioni në fuqi.
b) Kriteret profesionale dhe teknike:
i. Të kenë përvojë të dokumentuar jo më pak se 5 vjet në fushën e mbrojtjes së fëmijës, kujdesit alternativ ose shërbimeve sociale;
ii. Të kenë një ekip multidisiplinar të përbërë, të paktën nga punonjës socialë dhe/ose psikologë të licencuar;
iii. Të zbatojnë metodologji të strukturuara të menaxhimit të rastit, në përputhje me aktet nënligjore përkatëse;
iv. Të kenë kapacitete për ofrimin e shërbimeve në mënyrë të vazhdueshme dhe në përputhje me standardet e cilësisë.
c) Kriteret organizative dhe të menaxhimit:
i. Të kenë strukturë të qartë organizative dhe përshkrime të roleve dhe përgjegjësive;
ii. Të disponojnë politika dhe procedura të brendshme për mbrojtjen e fëmijës, etikën profesionale dhe mbrojtjen e të dhënave personale dhe konfidencialitetin;
iii. Të kenë sisteme funksionale për dokumentimin, raportimin dhe ruajtjen e të dhënave;
iv. Të zbatojnë mekanizma të brendshëm monitorimi dhe vlerësimi të cilësisë së shërbimeve.
ç) Kriteret financiare dhe të qëndrueshmërisë:
i. Të kenë kapacitete të provuara për menaxhimin financiar të fondeve publike ose të donatorëve;
ii. Të kenë sisteme të brendshme të kontrollit financiar dhe transparencës;
iii. Të paraqesin evidencë të qëndrueshmërisë financiare për zbatimin e shërbimit gjatë periudhës së kontraktimit.
d) Kriteret e integritetit dhe sigurisë:
i. Të zbatojnë procedura për verifikimin e integritetit të stafit (përfshirë kontrollin e figurës për punë me fëmijë);
ii. Të garantojnë mjedise dhe praktika të sigurta për fëmijët;
iii. Të respektojnë parimin e interesit më të lartë të fëmijës në çdo ndërhyrje.
4. Plotësimi i kritereve të përcaktuara në pikën 3, të këtij vendimi, vlerësohet nga një komision i ngritur me urdhër të kryetarit të bashkisë, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse, në bazë të dokumentacionit të paraqitur dhe, kur është e nevojshme, nëpërmjet verifikimeve në terren.
5. Dokumentacioni për vlerësimin e organizatave të shoqërisë civile si dhe vlerësimi përkatës është i përshkruar në shtojcën nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.
III. PROCEDURAT E PËRFSHIRJES SË ORGANIZATAVE TË SHOQËRISË CIVILE
6. Organizatat e shoqërisë civile përfshihen në mbështetjen e sistemit të kujdesit alternativ në familje nëpërmjet:
a) marrëveshjeve të bashkëpunimit me njësitë e vetëqeverisjes vendore për aktivitete mbështetëse, këshilluese, ndërgjegjësuese, trajnuese dhe për forcimin e kapaciteteve në fushën e kujdesit alternativ në familje;
b) mbështetjes teknike dhe profesionale për bashkitë në proceset e identifikimit të nevojave, përgatitjes dhe mbështetjes së familjeve kujdestare, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
c) ofrimit të trajnimeve, këshillimit profesional dhe mbështetjes psikosociale për familjet kujdestare dhe fëmijët në kujdes alternativ, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse;
ç) pjesëmarrjes në mekanizmat ndërinstitucionalë në nivel vendor, në funksion të koordinimit, referimit dhe monitorimit të rasteve, sipas legjislacionit në fuqi;
d) mbështetjes së bashkive në monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të planeve të kujdesit alternativ në familje.
7. Njësia e vetëqeverisjes vendore është përgjegjëse për organizimin dhe administrimin e procesit të përfshirjes së organizatave të shoqërisë civile, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në veçanti:
a) identifikon dhe vlerëson nevojat për mbështetje në fushën e kujdesit alternativ në familje, në bazë të analizës së situatës dhe të dhënave të disponueshme;
b) shpall thirrje për shprehje interesi ose procedura të tjera transparente përzgjedhjeje për realizimin e bashkëpunimit nëpërmjet kontraktimit të shërbimeve, në përputhje me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik apo marrëveshjeve të bashkëpunimit pa karakter financiar;
c) administron dhe shqyrton dokumentacionin e paraqitur nga organizatat e interesuara, duke verifikuar përmbushjen e kritereve të përcaktuara në këtë vendim;
ç) kryen vlerësimin e kapaciteteve teknike, profesionale dhe organizative të
organizatave, kur është e nevojshme edhe nëpërmjet verifikimeve në terren;
d) lidh marrëveshje bashkëpunimi me organizatat e përzgjedhura, duke përcaktuar qartë rolet, përgjegjësitë, standardet e bashkëpunimit, mekanizmat e raportimit dhe monitorimit;
dh)mbikëqyr zbatimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe cilësinë e mbështetjes së ofruar.
8. Përfshirja e organizatave të shoqërisë civile nuk cenon kompetencat dhe përgjegjësitë e njësisë së vetëqeverisjes vendore për vlerësimin, vendimmarrjen, miratimin dhe mbikëqyrjen ose rishikimin e masave të shërbimit të kujdesit alternativ në familje, sipas legjislacionit në fuqi.
9. Procesi i përfshirjes bazohet në parimet e transparencës, bashkëpunimit, mosdiskriminimit, interesit më të lartë të fëmijës dhe trajtimit të barabartë të subjekteve pjesëmarrëse.
IV. ROLET DHE PËRGJEGJËSITË INSTITUCIONALE
10. Ministria përgjegjëse për çështjet sociale:
a) siguron koordinimin në nivel kombëtar dhe harmonizimin e praktikave;
b) ushtron funksionin e monitorimit të përgjithshëm të zbatimit të këtij vendimi.
11. Shërbimi Social Shtetëror:
a) ofron mbështetje teknike dhe metodologjike për njësitë e vetëqeverisjes vendore;
b) monitoron cilësinë e mbështetjes dhe aktiviteteve të realizuara nga organizatat;
c) raporton periodikisht pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale.
12. Njësitë e vetëqeverisjes vendore:
a) organizojnë dhe administrojnë procesin e përfshirjes së organizatave;
b) lidhin, administrojnë dhe mbikëqyrin zbatimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile;
c) garantojnë koordinimin mes strukturave të mbrojtjes së fëmijës dhe aktorëve vendorë;
ç) raportojnë periodikisht mbi zbatimin e këtij vendimi pranë Shërbimit Social Shtetëror dhe ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale, sa herë i kërkohet;
d) mbajnë dhe administrojnë regjistrin e organizatave të shoqërisë civile të përfshira.
V. DISPOZITA TË FUNDIT
13. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Shërbimi Social Shtetëror dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***

V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE PËR DHËNIEN E MEDALJES SË SHËRBIMIT TË RENDIT PUBLIK

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 17, të ligjit nr.93/2022, “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Ky vendim ka për qëllim përcaktimin e kritereve për dhënien e Medaljes së Shërbimit të Rendit Publik” shtetasve shqiptarë dhe të huaj, që kanë dhënë kontribut të veçantë në luftën kundër krimit, mbrojtjen e jetës, rendit dhe qetësisë publike, ruajtjen dhe administrimin e pronës, kontrollin e situatave të jashtëzakonshme, si dhe në ushtrimin me kurajë e guxim të detyrave dhe përgjegjësive në fushën e rendit e të sigurisë publike.
Neni 2
Fusha e zbatimit
Ky vendim zbatohet për punonjësit e strukturave shtetërore, që ushtrojnë funksione në fushën e rendit e të sigurisë publike, përfshirë Policinë e Shtetit dhe shërbimet e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin. Ai zbatohet gjithashtu edhe për shtetasit shqiptarë dhe të huaj, që kanë dhënë kontribut të veçantë në ruajtjen e rendit e të sigurisë publike.
KREU II
KRITERET PËR DHËNIEN E MEDALJES SË SHËRBIMIT TË RENDIT PUBLIK
Neni 3
Kriteret e përgjithshme
1. Medalja e Shërbimit të Rendit Publik u jepet shtetasve shqiptarë dhe të huaj, që kanë dhënë kontribut të dalluar:
a) në luftën kundër krimit dhe parandalimin e veprimtarive kriminale;
b) në mbrojtjen e jetës, shëndetit, integritetit dhe sigurinë e qytetarëve;
c) në ruajtjen, administrimin dhe mbrojtjen e pronës publike e private;
ç) në garantimin e rendit, qetësisë publike e menaxhimin e situatave të konfliktit, duke respektuar liritë dhe të drejtat themelore të njeriut;
d) në menaxhimin dhe kontrollin e situatave të jashtëzakonshme;
dh) në ushtrimin me kurajë e guxim dhe përkushtim të detyrave në fushën e rendit e të sigurisë publike;
e) veçanërisht në rrethana që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.
2. Përfituesi i medaljes duhet:
a) të mos jetë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për kryerjen e veprimeve apo mosveprimeve që përbëjnë vepër penale;
b) të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
c) të ketë demonstruar sjellje të lartë qytetare, integritet moral dhe etikë profesionale, si dhe përkushtim të vazhdueshëm në ushtrimin e detyrave funksionale;
ç) të ketë dhënë kontribut në ruajtjen dhe forcimin e autoritetit, besueshmërisë e të imazhit institucional të strukturës përkatëse.
3. Për verifikimin e përmbushjes së kritereve, propozimi shoqërohet me dokumentacion provues, përfshirë vërtetime, raporte zyrtare, vlerësime profesionale ose dokumente të tjera, të lëshuara nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja. Për shtetasit, kriteret e parashikuara në pikën 2, të këtij kreu, zbatohen për aq sa janë të aplikueshme.
Neni 4
Kriteret e veçanta për dhënien e medaljes për punonjësit në Policinë e Shtetit
1. Medalja e Artë e Shërbimit të Rendit Publik u jepet punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në përmbushjen e detyrave funksionale, në një nga rastet e mëposhtme:
a) Kryejnë akte heroike të dokumentuara, duke rrezikuar jetën e tyre për mbrojtjen e qytetarëve;
b) Parandalojnë ose neutralizojnë kërcënime, që lidhen me ngjarje shumë të rënda (terroriste, kriminale, emergjenca civile me rrezik masiv), të vërtetuara nga raportet zyrtare të Policisë së Shtetit;
c) Drejtojnë dhe realizojnë me sukses operacione të mëdha me ndikim kombëtar e ndërkombëtar;
ç) Shërbejnë në strukturat e Policisë së Shtetit, për jo më pak se 30 (tridhjetë) vjet, e gjatë kësaj periudhe kanë dëshmuar profesionalizëm dhe sjellje shumë të mirë, sipas vlerësimeve të tyre në punë;
d) Kryejnë apo ndërmarrin akte të sakrificës personale, që kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë publike, duke parandaluar humbjen e jetës, dëmtimet e rënda fizike të qytetarëve ose përshkallëzimin e një situate të rrezikshme.
2. Medalja e Argjendtë e Shërbimit të Rendit Publik u jepet punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë dhënë kontribut të dalluar profesional dhe operacional në ushtrimin e detyrave funksionale, në një nga rastet e mëposhtme:
a) Kryejnë veprime të guximshme, të dokumentuar, në luftën kundër krimit, sidomos ndaj krimit të organizuar dhe autorëve të rrezikshëm;
b) Japin ndihmesë të dukshme në operacione policore ose të mbrojtjes civile, me ndikim të madh në sigurinë publike;
c) Menaxhojnë me efektivitet situata emergjente, operacione shpëtimi ose ngjarje që kanë paraqitur rrezik për jetën, pronën ose rendin publik;
ç) Shërbejnë në strukturat e Policisë së Shtetit, për jo më pak se 20 (njëzet) vjet, e gjatë kësaj periudhe kanë dëshmuar profesionalizëm dhe sjellje shumë të mirë, bazuar në vlerësimin e tyre në punë;
d) Realizojnë veprimtari të veçanta shkencore, profesionale ose drejtuese, që kanë kontribuuar në forcimin e rendit e të sigurisë publike.
3. Medalja e Bronztë e Shërbimit të Rendit Publik u jepet punonjësve të Policisë së Shtetit, që kanë dhënë kontribut të dalluar në ushtrimin e detyrës, në një nga rastet e mëposhtme:
a) Kryejnë me profesionalizëm, kurajë ose efektivitet të dalluar veprime konkrete në mbrojtje të qytetarëve dhe ruajtjes së rendit publik;
b) Shërbejnë në strukturat e Policisë së Shtetit, për jo më pak se 15 (pesëmbëdhjetë) vjet, e gjatë kësaj periudhe kanë dëshmuar profesionalizëm dhe integritet në kryerjen e detyrave të përditshme me ndikim të ndjeshëm në komunitet, bazuar në vlerësimin e tyre në punë;
c) Japin kontribut të dalluar në operacione të përbashkëta, patrullime apo kontrolle, që kanë sjellë rezultate të dukshme për komunitetin në forcimin e sigurisë publike dhe rritjen e besueshmërisë së publikut ndaj institucionit.
Neni 5
Kriteret e veçanta për dhënien e Medaljes së Shërbimit të Rendit Publik për punonjësit e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin
1. Medalja e Artë e Shërbimit të Rendit Publik u jepet punonjësve të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ushtrimin e detyrës, në një nga rastet e mëposhtme:
a) Kryejnë akte heroizmi ose sakrifice personale gjatë operacioneve të shpëtimit ose mbrojtjes nga zjarri, duke rrezikuar jetën për shpëtimin e qytetarëve;
b) Udhëheqin dhe menaxhojnë me sukses operacione madhore të sigurisë nga rreziku i zjarrit dhe/ose shpëtimin, me ndikim të drejtpërdrejtë e të matshëm në shpëtimin e jetëve dhe pronës;
c) Demonstrojnë gjatë ushtrimit të detyrës profesionalizëm, përkushtim dhe kontribut të shtuar në operacione të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, të vlerësuara pozitivisht përgjatë karrierës së tyre profesionale dhe ky kontribut është dëshmuar në mënyrë të vazhdueshme, prej jo më pak se 25 (njëzet e pesë) vjetësh në shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin.
2. Medalja e Argjendtë e Shërbimit të Rendit Publik u jepet punonjësve të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, që kanë dhënë kontribut të dalluar profesional dhe operacional në ushtrimin e detyrës, në një nga rastet e mëposhtme:
a) Kryejnë veprime të dokumentuara guximtare, të vërtetuara me raporte zyrtare të ngjarjes në situata rreziku, që kanë rezultuar me shpëtimin e jetës e të pronës dhe parandalimin e pasojave të rënda;
b) Marrin pjesë në mënyrë aktive të suksesshme në veprime operacionale operuese dhe/ose menaxhuese të rëndësishme, në nivel kombëtar, rajonal ose ndërkombëtar;
c) Demonstrojnë gjatë ushtrimit të detyrës profesionalizëm, përkushtim dhe kontribut të shtuar në operacione të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, të vlerësuara pozitivisht përgjatë karrierës së tyre profesionale, dhe ky kontribut është dëshmuar në mënyrë të vazhdueshme, prej jo më pak se 20 (njëzet) vjetësh në shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin.
3. Medalja e Bronztë e Shërbimit të Rendit Publik u jepet punonjësve të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin që kanë dhënë kontribut të dalluar në ushtrimin e detyrës, në një nga rastet e mëposhtme:
a) Kryejnë me përkushtim dhe profesionalizëm detyrat në situata të vështira, duke dhënë kontribut efektiv në stabilizimin e situatës, parandalimin e përhapjes së zjarrit ose minimizimin e pasojave;
b) Marrin pjesë në mënyrë aktive dhe efektive në operacione të rëndësishme për fikjen e zjarreve dhe shpëtimin, duke realizuar izolimin e vatrave të zjarrit, evakuimin e personave, shpëtimin e jetëve ose mbrojtjen e pronës;
c) Japin kontribut të shtuar në trajnimin dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të strukturave të shërbimit zjarrfikës, duke hartuar, duke zhvilluar ose duke zbatuar programe trajnimi me ndikim të veçantë në përmirësimin e kapaciteteve operacionale;
ç) Tregojnë sjellje shumë të mirë në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive (sipas vlerësimeve në punë), me karrierë jo më pak se 15 (pesëmbëdhjetë) vjet në shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin.
Neni 6
Kriteret e veçanta për dhënien e medaljes së shërbimit të rendit publik për shtetasit shqiptarë ose të huaj
1. Medalja e Shërbimit të Rendit Publik, në nivelin “E artë”, “E argjendtë” ose “E bronztë”, i jepet shtetasit shqiptar ose të huaj që ka dhënë kontribut të dalluar, të dokumentuar dhe të verifikueshëm në mbrojtjen e jetës dhe pronës, forcimin e rendit e të sigurisë publike, menaxhimin e situatave të jashtëzakonshme ose forcimin e bashkëpunimit në fushën e rendit e të sigurisë publike.
2. Medalja e Artë e Shërbimit të Rendit Publik i jepet shtetasit shqiptar ose të huaj për akte heroizmi dhe ndërhyrje të jashtëzakonshme, si:
a) shpëtimi i jetëve të qytetarëve dhe forcimi i rendit publik;
b) ndërhyrje të dokumentuara në operacione kundër krimit të organizuar, terrorizmit ose situatave që rrezikojnë sigurinë kombëtare;
c) veprime të jashtëzakonshme gjatë fatkeqësive natyrore, zjarreve ose situatave emergjente.
3. Medalja e Argjendtë e Shërbimit të Rendit Publik i jepet shtetasit shqiptar ose të huaj për kontribut të dalluar në ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, si:
a) pjesëmarrje aktive dhe efektive në operacione të rëndësishme policore, të mbrojtjes civile ose emergjencave, me rezultat të verifikueshëm në uljen e rrezikut për jetën dhe pronën;
b) dhënie e kontributit të specializuar (profesional, teknik, analitik ose organizativ), që ka ndikuar në rritjen e efikasitetit të strukturave të rendit e të sigurisë publike.
4. Medalja e Bronztë e Shërbimit të Rendit Publik i jepet shtetasit shqiptar ose të huaj për kontribut mbështetës dhe bashkëpunues, në funksion të rendit e të sigurisë publike, si:
a) mbështetja në realizimin e operacioneve ose aktiviteteve të strukturave të rendit dhe të sigurisë publike, me ndikim të drejtpërdrejtë në zbatimin e detyrave institucionale;
b) kontribut në iniciativa, projekte ose aktivitete, që synojnë parandalimin e rreziqeve ndaj rendit publik dhe rritjen e sigurisë në komunitet;
c) bashkëpunimi i dokumentuar me institucionet përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, në forma logjistike, teknike ose organizative.
KREU III
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 7
Organet e ngarkuara për zbatim dhe hyrja në fuqi
Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M PËR MIRATIMIN E LISTËS SË VEPRIMTARIVE QË KONSIDEROHEN SI TË RREZIKSHME PËR MJEDISIN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të pikës 3, të nenit 50, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së veprimtarive që konsiderohen si të rrezikshme për mjedisin, të përcaktuara sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Lista e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, zbatohet pa cenuar detyrimet e tjera që rrjedhin nga legjislacioni sektorial në fuqi. Veprimtari të rrezikshme për mjedisin konsiderohen veprimtaritë ekonomike ose profesionale që, për nga natyra e rrezikut ndaj burimeve natyrore, përmasat, teknologjia ose substancat e përdorura, paraqesin rrezik të lartë për dëme mjedisore dhe sjellin përgjegjësi mjedisore, sipas legjislacionit në fuqi, duke shkaktuar:
a) dëme ndaj burimeve natyrore;
b) ndotje të ujërave, tokës dhe ajrit;
c) dëmtim të biodiversitetit dhe habitateve të mbrojtura;
ç) rrezik për shëndetin e njeriut.
3. Ngarkohet Agjencia Kombëtare e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.80, DATË 14.2.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E SHOQËRISË AKSIONARE PËR PRODHIMIN DHE SHPËRNDARJEN E DOKUMENTEVE BIOMETRIKE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 105, të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, të nenit 5, të ligjit nr.8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik dhe digjital të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 7, e vendimit nr.80, datë 14.2.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e shoqërisë aksionare për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Shoqëria aksionare administron dhe zhvillon, nëpërmjet furnizimit nga shoqëria “ALBTraceCo”, sh.a., me kapacitetet e nevojshme të infrastrukturës dhe teknologjive të sigurisë së lartë, që sigurojnë mbrojtjen e të dhënave sensitive të shtetasve, identitetin dhe të dhënat biometrike, dokumentet fizike biometrike boshe, zhvillimin, integrimin ose administrimin e platformave dhe sistemeve kritike shtetërore, shërbime shtesë në funksion të prodhimit të shpërndarjes së dokumenteve biometrike, përfshirë projektimin, zhvillimin, implementimin, operimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve elektronike që lidhen me identitetin biometrik, identitetin digjital, identifikimin elektronik, autentifikimin, gjurmueshmërinë, verifikimin elektronik, si dhe çdo shërbim tjetër teknologjik ose të integruar që shërben për realizimin e këtij qëllimi.”.
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, shoqëria aksionare përgjegjëse për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike dhe shoqëria “ALBTraceCo”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.181, DATË 30.3.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIFORCIMIT TË NJËSIVE INDIVIDUALE TË BANIMIT DHE NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT) NË BASHKITË TIRANË, DURRËS, SHIJAK, LEZHË DHE KRUJË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nënndarjes “i”, të shkronjës “b”, të nenit 13, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.181, datë 30.3.2022, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 1 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në pjesën hyrëse, vlera “… 4 254 481 452 (katër miliardë e dyqind e pesëdhjetë e katër milionë e katërqind e tetëdhjetë e një mijë e katërqind e pesëdhjetë e dy) lekë …” zëvendësohet me vlerën “… 3 834 599 901 (tre miliardë e tetëqind e tridhjetë e katër milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e nëntëqind e një) lekë …”;
b) Në shkronjën “a”, vlera “… 1 166 365 230 (një miliard e njëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e treqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë e dyqind e tridhjetë) lekë …” zëvendësohet me vlerën “… 746 483 679 (shtatëqind e dyzet e gjashtë milionë e katërqind e tetëdhjetë e tre mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekë …”;
2. Në pikën 2/3 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në pjesën hyrëse, vlera “… 1 079 695 259 (një miliard e shtatëdhjetë e nëntë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e pesë mijë e dyqind e pesëdhjetë e nëntë) lekë …” zëvendësohet me vlerën “… 880 926 422 (tetëqind e tetëdhjetë milionë e nëntëqind e njëzet e gjashtë mijë e katërqind e njëzet e dy) lekë …”;
b) Në shkronjën “a”, vlera “… 711 979 470 (shtatëqind e njëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e katërqind e shtatëdhjetë) lekë …” zëvendësohet me vlerën “… 513 210 633 (pesëqind e trembëdhjetë milionë e dyqind e dhjetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e tre) lekë …”;
II. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.650, DATË 13.8.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, MIRATUAR NË BUXHETIN E VITIT 2020, PËR FINANCIMIN E HARTIMIT TË PROJEKTIT TË NDËRHYRJEVE REHABILITUESE/PËRSHTATËSE, TË NEVOJSHME PËR KTHIMIN E STRUKTURËS SË OBJEKTEVE QË JANË KLASIFIKUAR SI OBJEKTE ME DËMTIME TË MËDHA STRUKTURORE OSE DËMTIME SHUMË TË RËNDA JOSTRUKTURORE, NË BASHKITË TIRANË DHE KURBIN”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nënndarjes “i”, të shkronjës “b”, të nenit 13, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.650, datë 13.8.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 1, vlera “… 144 289 030 (njëqind e dyzet e katër milionë e dyqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e tridhjetë) lekë …” zëvendësohet me vlerën “… 130 186 061 (njëqind e tridhjetë milionë e njëqind e tetëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëdhjetë e një) lekë …”;
b) Në shkronjën “a”, të pikës 2, vlera “… 87 358 750 (tetëdhjetë e shtatë milionë e treqind e pesëdhjetë e tetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë) lekë …” zëvendësohet me vlerën “ … 73 255 781 (shtatëdhjetë e tre milionë e dyqind e pesëdhjetë e pesë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e një) lekë …”.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.716, DATË 26.11.2025, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË SHIJAK”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.716, datë 26.11.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e disa zonave me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në Bashkinë Shijak”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 1 bëhen ndryshimi dhe shtesat e mëposhtme:
a) Shkronja “m” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“m) Zona nr.18, fshati Eminas i Vogël, pjesë e njësisë administrative Gjepalaj, Bashkia Shijak, Qarku Durrës, me sipërfaqe 46 (dyzet e gjashtë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;”.
b) Pas shkronjës “nj” shtohen shkronjat “o”, “p”, “q”, “r”, “rr”, “s”, “sh”, “t”, “th”, “u” dhe “v”, me këtë përmbajtje:
“o)Zona nr.21, fshati Likesh, pjesë e njësisë administrative Gjepalaj, Bashkia Shijak, Qarku Durrës, me sipërfaqe 101 (njëqind e një) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
p) Zona nr.22, fshati Hardhishtë, pjesë e njësisë administrative Gjepalaj, Bashkia Shijak, Qarku Durrës, me sipërfaqe 19 (nëntëmbëdhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
q) Zona nr.23, fshati Eminas i Vogël, pjesë e njësisë administrative Gjepalaj, Bashkia Shijak, Qarku Durrës, me sipërfaqe 37 (tridhjetë e shtatë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
r) Zona nr.24, fshati Likesh, pjesë e njësisë administrative Gjepalaj, Bashkia Shijak, Qarku Durrës, me sipërfaqe 17 (shtatëmbëdhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
rr) Zona nr.25, fshati Shetël, pjesë e njësisë administrative Gjepalaj, Bashkia Shijak, Qarku Durrës, me sipërfaqe 53 (pesëdhjetë e tre) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
s) Zona nr.26, fshati Metallë, pjesë e njësisë administrative Maminas, Bashkia Shijak, Qarku Durrës, me sipërfaqe 29 (njëzet e nëntë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
sh)Zona nr.27, fshati Vlashaj, pjesë e njësisë administrative Maminas, Bashkia Shijak, Qarku Durrës, me sipërfaqe 6 (gjashtë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
t) Zona nr.28, fshati Bodinak, pjesë e njësisë administrative Maminas, Bashkia Shijak, Qarku Durrës, me sipërfaqe 83 (tetëdhjetë e tre) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
th)Zona nr.29, fshati Karreç, pjesë e njësisë administrative Maminas, Bashkia Shijak, Qarku Durrës, me sipërfaqe 10 (dhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
u) Zona nr.30, fshati Rreth, pjesë e njësisë administrative Xhafzotaj, Bashkia Shijak, Qarku Durrës, me sipërfaqe 52 (pesëdhjetë e dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
v) Zona nr.31, fshati Pjezë, pjesë e njësisë administrative Xhafzotaj, Bashkia Shijak, Qarku Durrës, me sipërfaqe 20 (njëzet) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH.”.
2. Hartave treguese, sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhen vendimit në fuqi, i shtohen hartat treguese, sipas sistemit KRGJSH, për zonat nr.21, nr.22, nr.23, nr.24, nr.25, nr.26, nr.27, nr.28, nr.29, nr.30 dhe nr.31, të cilat i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
II. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Shijak për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M PËR NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA PËRGJEGJËSE PËR TURIZMIN TE MINISTRIA E EKONOMISË DHE INOVACIONIT, TË NJË PJESE TË PRONËS NR.284/1, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 3774, VILË BASHTOVË, KAVAJË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.707, DATË 21.11.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË PËRGJEGJËSE PËR TURIZMIN TË DISA PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, NË VIJËN BREGDETARE SHKODËR-FIER”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të nenit 28, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga ministria përgjegjëse për turizmin te Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, të një pjese të pronës nr.284/1, me sipërfaqe prej 77 358 (shtatëdhjetë e shtatë mijë e treqind e pesëdhjetë e tetë) m2, me vendndodhje në zonën kadastrale 3774, Vilë Bashtovë, Kavajë, sipas planit të rilevimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për realizimin e projekteve ose investimeve me interes publik ose me rëndësi kombëtare që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.
2. Në shtojcën, bashkëlidhur vendimit nr.707, datë 21.11.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi të ministrisë përgjegjëse për turizmin të disa pronave të paluajtshme shtetërore, në vijën bregdetare Shkodër-Fier”, të ndryshuar, në pikën 20, të dhënat e pasurisë nr.284/1, zona kadastrale 3774, në kolonën “Sip. m² ose ha”, zëvendësohen me sipërfaqen 184 092 m².
3. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit përdor sipërfaqen e pronës, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, vetëm për qëllimin e parashikuar në këtë pikë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për administrimin e pronës shtetërore.
4. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M PËR KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Tiranë Rurale 1, Tiranë Rurale 2, Kamzë-Vorë, Elbasan, Shkodër, Pogradec, Lezhë, Fier, Vlorë, Durrës-Kavajë-Krujë, Sarandë, Zonat e Stimuluara, Kukës, Gjirokastër dhe Berat.
2. Vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 840 702 155,51 (tetëqind e dyzet milionë e shtatëqind e dy mijë e njëqind e pesëdhjetë e pesë presje pesëdhjetë e një) lekë, për sipërfaqen 61 477,13 (gjashtëdhjetë e një mijë e katërqind e shtatëdhjetë e shtatë presje trembëdhjetë) m², sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi për pasuritë me numrat rendorë sipas kolonës nr.14, të shtojcës nr.1, përkatësisht: nr.7, nr.8, nr.9, nr.10, nr.11, nr.14, nr.20, nr.28, nr.32, nr.33, nr.34, nr.38, nr.39, nr.40, nr.46, nr.49, nr.50, nr.51, nr.53, nr.62, nr.78, nr.79, nr.80, nr.89, nr.101, nr.104, nr.111, nr.113, nr.117, nr.122, nr.128, nr.134, nr.135, nr.137, nr.159, nr.160, nr.164, nr.165, nr.166, nr.167, nr.168, nr.169, nr.170, nr.173, nr.174, nr.175, nr.177, nr.180, nr.181, nr.182, nr.183, nr.184, nr.199, nr.202, nr.203, nr.207, nr.218, nr.220, nr.223, nr.224, nr.226, nr.227, nr.228, nr.229, nr.235, nr.253, nr.258, nr.259, nr.279, nr.284, nr.290, nr.298, nr.300, nr.301, nr.302, nr.319, nr.320, nr.322, nr.324 dhe nr.327, sipas seksionit të veçantë (kolona 19), të shtojcës nr.1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikave 3 dhe 4, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
4. Të ardhurat, që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore, edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen, përdoren për kompensimin e pronarëve.
5. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Tiranë Rurale 1, Tiranë Rurale 2, Kamzë-Vorë, Elbasan, Shkodër, Pogradec, Lezhë, Fier, Vlorë, Durrës-Kavajë-Krujë, Sarandë, Zonat e Stimuluara, Kukës, Gjirokastër dhe Berat kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.328, DATË 29.5.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRANSFERIMIN TE KORPORATA E INVESTIMEVE SHQIPTARE TË PRONAVE SHTETËRORE, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË DISA INSTITUCIONEVE SHTETËRORE, PËR REALIZIMIN E PROJEKTIT TË INVESTIMIT “PËR ZHVILLIMIN DHE MENAXHIMIN E PRONAVE SHTETËRORE””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.71/2019, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, dhe në zbatim të shkronjës “b”, të pikës 1, të kreut II, të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.328, datë 29.5.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për transferimin te Korporata e Investimeve Shqiptare të pronave shtetërore, në përgjegjësi administrimi të disa institucioneve shtetërore, për realizimin e projektit të investimit “Për zhvillimin dhe menaxhimin e pronave shtetërore””, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Në shtojcën nr.1, bashkëlidhur vendimit, shtohen pasuritë e listuara në shtojcën nr.1.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
b) Në shtojcën nr.2, bashkëlidhur vendimit, shtohen pasuritë e listuara në shtojcën nr.2.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
c) Shtojca nr.3, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohet me shtojcën nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare, Qendra e Botimeve për Diasporën, Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, Avokatura e Shtetit, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Agjencia Kombëtare Bërthamore, Agjencia për Eficiencën e Energjisë, Qendra Rajonale e Inovacionit të Institutit Evropian të Teknologjisë dhe Inovacionit për Lëndët e Para, Akademia e Energjisë, Albgaz, sh.a., Enti Rregullator i Energjisë, që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për përcaktimin e standardit, metodologjisë, termave dhe kushteve të bashkëpunimit për përmbushjen e interesit publik, autoritetit në përgjegjësi administrimi të të cilit regjistrohet prona e re shtetërore, që zhvillohet si rezultat i përmbushjes së kushtit të transferimit të pronës/autorizimit për zhvillim, në të cilin përcaktohen edhe kushtet e nevojat për dorëzimin e pronës, si dhe sigurimin e ambienteve të përkohshme për vazhdimin e aktiviteteve të institucioneve publike që përdorin/administrojnë këto prona, në rastet kur institucionet, për nevoja të zhvillimit të projektit të investimit, janë të detyruara të lirojnë këto prona.
3. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit të ndryshojnë marrëveshjen përkatëse të bashkëpunimit, me qëllim mbulimin nga Korporata, nëpërmjet projektit të investimit “Copëzat”, të punimeve për përshtatjen e ambienteve të punës në pronën në përgjegjësi administrimi të këtij institucioni, sipas projektit arkitekturor dhe preventivit të përgatitur prej saj.
4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Qendra e Botimeve për Diasporën, Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, Avokatura e Shtetit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Agjencia Kombëtare Bërthamore, Agjencia për Eficiencën e Energjisë, Qendra Rajonale e Inovacionit të Institutit Evropian të Teknologjisë dhe Inovacionit për Lëndët e Para, Akademia e Energjisë, Albgaz, sh.a., Enti Rregullator i Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M PËR TRANSFERIMIN TE KORPORATA E INVESTIMEVE SHQIPTARE TË NJË PJESE TË PASURISË NR.8/738, ZONA KADASTRALE 8340, PËR REALIZIMIN E PROJEKTIT TË INVESTIMIT “KOMPLEKSI GOVERNATIV, BULEVARDI I RI, TIRANË”, SI DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.434, DATË 6.3.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRANSFERIMIN E PASURIVE, TROJE DHE OBJEKTE, ME INTERES VENDOR, NË PRONËSI TË BASHKISË SË TIRANËS, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.120, DATË 4.3.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË TRANSPORTIT DHE TELEKOMUNIKACIONIT”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.71/2019, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, si dhe në zbatim të shkronjës “b”, të pikës 1, të kreut II, të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, me NIPT M01917011D, të pjesës prej 2 431 (dy mijë e katërqind e tridhjetë e një) m², të pasurisë nr.8/738, zona kadastrale 8340, me sipërfaqe të përgjithshme 20 528.3 (njëzet mijë e pesëqind e njëzet e tetë pikë tre) m², sipas shtojcës nr.1 dhe planit të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi, për realizimin/financimin e projektit të investimit “Kompleksi Governativ, Bulevardi i Ri, Tiranë”, përfshirë përmbushjen e nevojave për ambiente funksionale për institucionet publike përfituese dhe Hekurudhën Shqiptare, sh.a., si dhe zhvillimin e stacionit të ri hekurudhor. Shpenzimet e projektimit, ndërtimit dhe vënies në funksion mbulohen nga nënprojektet e projektit të investimit “Copëzat” dhe nga projekte të tjera të Korporatës së Investimeve Shqiptare.
2. Autorizimin e shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, vetë ose nëpërmjet entitetit të krijuar prej saj, për të vepruar si zhvillues, nëpërmjet instrumentit ligjor të sipërmarrjes, për realizimin e projektit të investimit, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, dhe përmbushjen e interesit publik, që lidhet me nevojat e institucioneve, të përcaktuara në shtojcën nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Autorizimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare dhe institucioneve, të përcaktuara në shtojcën nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi, që brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, vetë apo nëpërmjet institucioneve të autorizuara prej tyre, të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për përcaktimin e standardit, metodologjisë, termave dhe kushteve të bashkëpunimit për përmbushjen e interesit publik, autoritetit në pronësi apo përgjegjësi administrimi të të cilit regjistrohet prona e re shtetërore, që zhvillohet si rezultat i përmbushjes së kushtit të transferimit të pronës apo përmbushjes së interesit të Korporatës, kushteve e nevojave për dorëzimin e pronës së re.
4. Autorizimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare për negociimin me subjekte private dhe publike, me qëllim lidhjen e kontratave përkatëse për zhvillimin e pronave të transferuara, në pronësi apo për të cilat ka autorizim zhvillimi, në funksion të realizimit të projektit të investimit, bazuar në vendimin nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, dhe akteve të nxjerra në zbatim të tij.
5. Autorizimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare, vetë ose nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj, të kryejë veprimet me:
a) Agjencinë Shtetërore të Kadastrës për ndarjen e pjesës së pasurisë, sipas planit të rilevimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi, në kuadër të realizimit të projektit të investimit;
b) institucionet publike kompetente për planifikimin e zhvillimin e territorit apo me institucione të tjera, në kuadër të realizimit të projektit të investimit;
c) sigurimin e regjistrimit në emër të Republikës së Shqipërisë dhe Korporatës së Investimeve Shqiptare, sipas parashikimeve të marrëveshjes së bashkëpunimit të pronave të reja shtetërore, që do të krijohen në kuadër të projektit të investimit.
6. Në funksion të zhvillimit të pronës së përcaktuar në këtë vendim, kur është e nevojshme, për realizimin e projektit dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për të proceduar:
a) me prishjen e objekteve, pjesë e pronës së përcaktuar në këtë vendim;
b) në zbatim të pikës 5, të kreut II, të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, të kryejë procesin e konsolidimit të pronës, në rast se konstatohet mospërputhje ndërmjet gjendjes faktike dhe gjendjes juridike të saj.
7. Në vendimin nr.434, datë 6.3.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për transferimin e pasurive, troje dhe objekte, me interes vendor, në pronësi të Bashkisë së Tiranës, dhe për një ndryshim në vendimin nr.120, datë 4.3.2004, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit”, të ndryshuar”, hiqet pjesa prej 2 431 (dy mijë e katërqind e tridhjetë e një) m² e pasurisë nr.8/738, zona kadastrale 8340, sipas shtojcës nr.1 dhe planit të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
8. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, institucionet përfituese të përcaktuara në shtojcën nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi, Bashkia Tiranë, Hekurudha Shqiptare, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?