Home Aktualitet Lirohen 300 q...

Lirohen 300 qytetarët e Kosovës të ndaluar në kufirin Serbi-Kroaci, BE: U shkel marrëveshja për lëvizjen e lirë

112
0

Mbi 300 qytetarë të Kosovës që kishin mbetur të bllokuar në pikën kufitare Serbi-Kroaci, tashmë janë liruar. Dhjetëra autobusë nga Kosova që nga orët e vona të së martës e deri më tani kanë qenë të bllokuar nga Serbia në kufirin me Kroacinë, duke mos i lejuar që të vazhdojnë tutje. Ky veprim i Serbisë nxiti reagime të shumta. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me këto veprime, Serbia po hakmerret ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Bashkimi Evropian është i informuar për këtë ngjarje. BE-ja konstaton se Serbia është duke e shkelur marrëveshjen për lirinë e lëvizjes. Këtë e ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Peter Stano, zëdhënës i BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth këtij rasti që ka nxitur reagime të ashpra nga Kosova.

“Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje”, ka deklaruar Stano.

Ai shtoi se BE-ja “fton Serbinë që të përmbahet nga veprimet e tilla unilaterale dhe të pakoordinuara dhe menjëherë t’i kthehet respektimit të marrëveshjes“. Stano ka përsëritur thirrjen për të dyja palët që të respektojnë obligimet nga dialogu. “Presim nga palët që në tërësi të zbatojnë detyrimet e tyre nga dialogu, të cilat janë obliguese dhe të vlefshme. Ne, po ashtu, presim nga palët që të sigurojnë një ambient të përshtatshëm për dialog në mënyrë që të shmanget çfarëdo veprimi i cili mund të rrezikoj sigurinë dhe stabilitetin“, thuhet në reagimin e BE-së.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit