Home KRYESORE Nikoll LESI: ...

Nikoll LESI: Te Papa Françesku!

728
0

-Reportazh nga Nikoll Lesi-

Kam vite që nuk kam shkruar reportazh. Por emocionet e provuara në këtë moshë 60 vjeçare nga vizita te Papa Françesku në Selinë e Shenjtë në Vatikan, janë mbresëlenëse, në mos disi hyjnore.

Unë kam takuar edhe dy Papë të tjerë, Papa Gjon Palin e II-të dhe Papa Benediktin. Këtë herë ishte me një Papë që drejton Kishën Katolike në një epokë digjitale dhe paksa të rrëmujshme.

***

Që në avionin e linjës Tiranë-Romë, aty ku isha ulur në radhën e parë rrinte një pako e madhe me mbishkrimin FRAGILE. Stuardesat e kishin vendosur me kujdes dhe njera rrinte afër pakos. Shefi i kabinetit të Presidentit të Republikës, Hermioni Braho, me tha se është një pikturë e Kishës së Rubikut (Mirditë) dhuratë për Papa Françeskun.

Foto: Në aeroportin e Rinasit duke u nisur për Romë

Ishte pikturë e madhe.

Sa herë tronditej avioni, stuardesa rrinte ulur dhe mbante shtërnguar pakon-pikturë. Me sa duket ishte lajmëruar se kjo do shkonte te Papa në Vatikan. Ndaj kujdesi ishte i dyfishtë.

Ajo e mbante pikturën sikur do t’ia dhuronte vetë Papës. Në atë pikturë ishte historia e kishës katolike shqiptare, ishte historia e vetë Shqipërisë.

Kur avioni u ul në Romë, dy policë dhe stuardesa e morën me kujdes, pa lejuar asnjë pasagjer të zbriste dhe piktura u ruajt si të ishte njeri.

Në mesditë arritëm në hotel ku pritej të vinte Presidenti me gjithë delegacionin që e shoqëroi në Kalabri. Atje Bajram Begaj takoi arbereshët dhe shkoi në shumë komuna të tyre. Ishte shpallur “Qytetar Nderi” i Bashkisë së Pallogorios në Kalabri.

Ndërkohë piktura dukej sikur na vështronte me sytë e priftërinjve katolikë ndër shekuj.

Në foto: Presidenti Begaj shpallet “Qytetar Nderi” në bashkinë Pallogorios në Kalabri

Ditën e hënë në ora 08.30 u nisëm drejt Selisë së Shenjtë, Vatikan, për të takuar Papa Françeskun. Presidenti Begaj do pritej në audiencë të veçantë nga kreu i Kishës Katolike përsëdyti herë, gjë që nuk ndodh brenda një kohe të shkurtër në protokollin e Vatikanit.

Begaj ishte shoqeruar nga bashkëshortja e tij, një grua e fisme, e kulturuar; diplomuar për matematikë  dhe informatikë. Ishin edhe dy djemtë e presidentit, Doriani dhe Klajdi, student në mjeksi, të kendshëm në biseda sociale dhe pasionantë për Shqipërinë.

Kur hymë në oborrin në  Piazza San Pietro, mbushur me qindra e qindra njerëz, shumëkush prej tyre kujtoi se po vinte Papa për në Selinë e Shenjtë, sepse autokolona ishte me disa makina e ku vetura e presidentit shqiptar shoqërohej me makina policie që sirenat nuk ndalonin prej policisë.

Edhe unë pjesë e delegacionit. Thashë se kisha qenë edhe herë të tjera në Vatikan, natyrisht jo vetëm në San Pietro, por brenda aty ku rri Udhëheqësi shpirtëror i katolikëve të botës. Por ecja e vargut të makinave ngadalë në sheshin San Pietro e ku flamuri shqiptar valvitej te makina e kreut të shtetit shqiptar, bëri që turistët të drejtoheshin nga vargu i makinave tona duke bërë foto e video.

Sapo hymë në oborrin e Vatikanit garda veneciane që ruan Vatikanin ishte rreshtuar.

Trupat e Gardës Zvicerane u krijuan në 22 janar 1506 për të mbrojtur Papën dhe pallatet e papës. Ishte Papa Julius II, i zgjedhur në 1503, i cili vendosi të rrethohej me një trupë rojash të zgjedhura, për t’u mbrojtur nga kundërshtarët dhe krimet e shpeshta politike që ndodhnin në Romë në atë kohë. Dhe duke qenë se disa vite më herët, Papa Sixtus IV kishte lavdëruar një kompani të ushtarëve zviceranë, Julius II zgjodhi pikërisht burra të asaj kombësie.

Me hapa emocionues filluam ngjitjen e shkallëve të Vatikanit, ku është bërë historia e botës dhe ku çdo gur apo tullë mbart histori pothuaj dy mijë vjeçare.

Ecnim dhe shikonim piktura murale, të gdhendura edhe në ar. Aty ishte kultura dhe njerëzimi, ishte dashuria dhe respekti për njeriun. Në një pikturë murale, të madhe, ishte Parajsa dhe Ferri! Atje do shkojnë të vdekshimit e kësaj bote e ku rrugës, andej, të porta e Parajsës do hyjnë vetëm ata që nuk kanë bërë keq kësaj bote, këtej. Andej do jetë udhë e gjatë, ku dikush kap ferrin e disa Parajsën.

Në fillim hyri Presidenti Begaj te Ati i Shenjtë. Papa Francesku dihet se ka një respekt të veçantë për Shqipërinë. Ai ka qenë në vendin tonë ku u prit nga të gjithë; katolikë, myslimanë, bektashinjë dhe ortodoksë.

Shqipëria ka vlera universale për raportet dhe harmoninë fetare. Këtë e di mjaft mirë Vatikani.

Me pas hyri bashkëshortja dhe dy djemtë e Presidentit.

Foto e familjes presidenciale në takimin me Papa Francesku

Na erdhi radha për të takuar Papën.

Hyra, eca me kujdes se e dija protokollin si “njeri i shtëpisë”. Kur i afrova Papës thashë në italisht: “Santo Padre! Io sono cattolico, mi chiamo Nicola e la ringrazio per l’amore che ha per l’Albania”.

Bëmë fotografitë dhe më pas Presidenti shqiptar dhuroi pikturën e kishës së Rubikut.

Filloi zbritja. Do të takohej një kat me poshtë Sekretari i Shtetit të Vatikanit ose siç quhet kryeministri.

Aty prapë pritëm sa të mbaronte takimi i Presidentit Begaj me kryeministrin e Vatikanit. Takimi zgjati, ndaj fillova të lëvizë sa në njerën anë në tjetrën të koridorëve të Vatikanit. Nuk lejohej filmimi, por stafi u tregua gjeneroz, nuk më ndaloi.

Kur po rrinim në paradhomën e kryeministrit mora një përkthyese të presidencës dhe iu afrova një prifti me gradë që nga spaletat mendova do të ishte lart në hierarki.

-Sa vite keni këtu?- iu drejtova.

-Sot!

-Si sot?!

-Për sot erdha.

-A jeni prift?

-Jo!

-Po si, ç’bëni këtu?

-Unë jam avokat!

-Si?!

-Vijë me detyrë shpirtërore kur duhet të shërbejë Zotit dhe Selisë së Shenjtë. Kam studion time të avokatisë në Milano-tha e qeshi.

U habita, e pashë dhe ngula sytë te tre tjerët, afër tij. E kuptoi se po habitesha dhe ndërhyri.

-Edhe kolegu këtu, ja ky (dhe tregoi njerin) është avokat këtu në Romë. Ka ardhur vullnetarisht sot. Ndërsa ata, andej, janë priftërinjë.

I pashë dhe mendova avokatët tanë në Tiranë që turren për të rrjepur ndonjë lekë.

Pasi doli Presidenti Begaj na shoqeruan nëpër Vatikan, atje ku nuk hyn kushdo!

Jehona e zëri tonë ushëtinte nëpër muret e larta dhe përhapej si një simfoni.

Kisha qenë në Vatikan edhe në vitin 2003, kur ishte President Moisiu. Asokohe sapo ishin vendosur urat mes Nanos dhe Berishës. Ndaj në delegacionin me Presidentin Moisiu kishin ardhur Berisha, Rama, Topalli, Dade dhe disa të tjerë. Isha edhe unë.

Kur u ktheva në Tiranë tregova historinë e vizitës.

Natyrisht e zbukurova disi, por si në atë filmin “Zbukuroj, por nuk gënjejë” tregova se kur na shoqeruan te një vend që ishte i shenjtë, e ku mund ta laje mëkatet në privatësi, prifti që na shoqeronte na tha se kush e ndjen se ka bërë mekate mund të lutet dhe Zoti ia fal. Por nëse mashtron kthehesh në gur!

Berishën, si ish-president, e respektuam që ta prekte i pari.

-Jozi, preke ti!- tha doktori dhe u largua disi.

-I takon Nikollës se është dhe kreu demokristian!- tha Jozi dhe u spostua.

-Edi, të takon ty si kryebashkiak!- thashë dhe iu largova paksa edhe me GURIT.

Edhe Edi iku. Edhe të tjerët.

Asnjë nuk e preku!

Përkthyesi që ishte gazetar i radio Vatikanit me tha në vesh.

-E degjove se çfarë tha ai që iu shoqeronte?

-JO!

-Delegacion me mëkatar nuk ka hyrë në Vatikan tash 2 mijë vjet!- tha nën zë.

Dhe ia futa një te qeshure që shkaktoi reagimin e Presidentit Moisiu.

Sapo mu kujtua kjo histori e vjetër u ndodhëm në kopshtet e Vatikanit, thurur bukur në gjelberim. Shetitëm. Kur po niseshim për të ikur Presidenti këmbënguli për të vizituar edhe Biblotekën e Vatikanit. Hymë brenda pa shumë zhurmë. E mahnitshme, libra të vjetër dhe ku ndodhet edhe Meshari i Gjon Buzukut. Në Biblotekën e Vatikanit, ruhen thesaret botërore të kulturës, artit dhe historisë së botës.

Pak fjalë për ambasadoren

Në të vertetë, ambasadorja jonë, Majlinda Frangaj, ishte një emër i nderuar dhe shumë i njohur në Vatikan. Me një pasion të jashtëzakonshëm ajo studionte, mbante takime për Shqipërinë, për harmoninë fetare; ajo ishte në Selinë e Shenjtë si një nga ambasadorët e huaj me të respektuar. Ajo meriton një shkrim të veçantë, por jo sot në reportazhin tonë.

Vizita në Vatikan ishte skenar i saj, pasi vizituam vende në Selinë e Shenjtë, ku nuk shkon kushdo, pasi kryeqendra botërore e katolicizmit ka rregulla strikte shekullore.

U larguam nga Vatikani ku Papa na priti, na respektoi dhe na përqafoi.

U kthyem dhe për çudi nuk pati asnjë lëkundje avioni gjatë gjithë udhëtimit deri në Rinas.

U duk sikur dora e Zotit e lëvizte ngadalë drejt Atdheut, aty ku krishterimi ka qenë prej afro dy mijë vitesh.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit