Home Aktualitet Petrit Vasili...

Petrit Vasili: Kuvendi të votojë urgjent Rezolutë për daljen e menjëhershme nga Ballkani i Hapur i Vuçiçit

469
0

Nga Petrit Vasili

Sot Ballkani i Hapur, kjo sipërmarrje politike proruse, është një damkë e zezë, që Shqipëria po e vuan për shkak të Edi Ramës.
Serbia, e cila udhëheq, përdor dhe imponon gjithçka në Ballkanin e Hapur është rreshtuar qartë pro Rusisë dhe kundër sanksioneve ndaj saj duke u vendosur haptas pra pro luftës dhe kundër paqes e stabilitetit.
Edi Rama duke mbështetur Ballkanin e Hapur është i vetmi në Europe, që i qëndron hapur në krah Vuçiçit dhe Serbisë, që është i vetmi vend haptas prorus.
As edhe një shqiptar i vetëm nuk e mbështet këtë qëndrim të Edi Ramës, i cili turpëron dhe dëmton thellësisht vendin dhe interesat e shqiptarëve të sotëm dhe të së ardhmes.
Kuvendi i Shqipërisë duhet të miratojë urgjentisht një Rezolutë të qartë ku ti kërkohet Edi Ramës dhe qeverisë që të dalë menjëherë nga Ballkani i hapur, të anulojë çdo vendim të marrë për këtë qëllim dhe të ndërpresë edhe çdo nismë të filluar dhe që ka të bëjë me Ballkanin e Hapur.
Ky është i vetmi qëndrim, që vendos në vend dinjitetin e nëpërkëmbur të Shqipërisë dhe që rikonfirmon qartë qëndrimi euroatlantik të vendit, i cili përfaqëson edhe vullnetin e të gjithë shqiptarëve.
Në çdo moment politika e jashtme e Shqipërisë është orientuar qartë drejt perëndimit, paqes dhe respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të popujve qofshin këta afër apo larg nesh.
Është e para herë, që për shkak vetëm të Edi Ramës, Shqiperia në mënyrë të padrejtë dhe të pamerituar vendoset në pozicionin e saj më të shëmtuar dhe më negativ duke përkrahur Vuçiçin dhe interesat e Serbisë, në të kundërt të paqes por edhe interesave të vetë shqiptarëve, që po vuajnë pasojat e Ballkanit të Hapur e ku mijëra fermerë shqiptarë po i vuajnë dhimbshëm në kurrizin e tyre.
Ndaj Rezoluta e Kuvendit për daljen e menjëhershme nga Ballkani i Hapur do të ishte një akt kombëtar i hapur përgjëgjshmërie ndaj vendit, distancimi të qartë dhe të prerë nga Vuçiçi dhe politika e tij, por edhe rivendosjes se imazhit të Shqipërisë, që është deformuar rëndë për shkak të lojës së interesave të errëta të Edi Ramës.
Kuvendi i Shqipërisë ka përgjegjësinë historike të mbrojë vendin dhe interesat e tij.
Kuvendi ka rastin të tregojë se përfaqëson interesat e shqiptarëve dhe jo të Edi Ramës.
Kuvendi ka mundesinë t’i tregojë të gjithë opinionit botëror se shqiptarët duan paqen dhe demokracinë.
Kuvendi ka shansin historik ti heqë vendit njollën e errët proserbe dhe proruse, që i ka vënë padrejtësisht Edi Rama.
Kuvendi mund ta bëjë këtë vetëm duke votuar me 139 vota Rezolutën pë daljen e menjëhershme nga Ballkani i Hapur dhe kjo duhet bërë tani sepse nesër do të jetë shumë vonë!

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit