Home Aktualitet Pse LSI nuk s...

Pse LSI nuk sulmon më kryebashkiakun Erion Veliaj?

320
0

Nga Daniel Muçaku-

Ka disa javë që LSI nuk sulmon më kryebashkiakun Erion Veliaj, por përkundrazi ka rritur nëpërmjet Petrit Vasilit dozën e kritikës kundrejt kryeministrit Rama.

Dhe mirë bën Vasili, por nga gjuajtja me “topa” ndaj kryeministrit dhe heshtja për kryebashkiakun e Tiranës, duket se diçka luan.

Nëse janë fajtorë për mjerimin, korrupsionin apo shkeljen e ligjit, sipas opozitës, duhet të jenë të dy bashkëpërgjegjës, pra Edi Rama dhe Erion Veliaj. Të dy janë de facto numrat vendimmarrës në PS dhe në qeverisjen e vendit. Natyrisht që kryeministri vendos, por Erion Veliaj mbetet zbatuesi i çdo porosie apo vendimi të Rilindjes. Ndaj PD-ja i sulmon të dy, Ramën dhe Veliaj, për çdo gjë, ndërsa LSI ka pak javë që nuk e përmend më Erion Veliajn.

Deri para zgjedhjeve, sipas LSI, kryebashkiaku Tiranës ishte pjesë e “kupolës së mafies”, “ku pastrohen paratë e krimit në lejet e ndërtimit”, etj. etj., akuza të tmerrshme.

Ndarja këto ditë si me thikë nga LSI se “kryeministri duhet për në burg”, se “ka vjedhur”,etj., ndërkohë që kryebashkiaku nuk përmendet fare, sikur nuk ekziston, sjellë plot aludime pazaresh nën tavolinë.

Në PS, realisht, nuk janë ndjerë mirë se përse Erion Veliaj u takua në Budapest më presidentin Meta. Takimi formal dhe korrekt në ceremoni mbetet protokollar dhe tregon civilizim të të dyve. Por futja në skuta restorantesh i të dyve në Budapest, tregon se diçka kanë kurdisur, të dy. Dyshimet në selinë rozë shtohen se para Budapestit, kryebashkiaku Erion Veliaj ishte në SHBA. Vizita e tij ishte realisht e suksesshme, të paktën nisur nga fotot dhe videot që dërgonte Erioni nga përtej Oqeanit. U takua edhe me djalin e legjendës botërore, Xhorxh Soros. Pra me Aleksandër Soros që do jetë pasardhësi i Sorosit të famshëm.

Deri këtu vizitë e zgjuar dhe mediatike. Por në ato ditë ishte në SHBA, edhe Monika Kryemadhi, shefja e LSI. Natyrisht që të bësh deduksion alogjik se ishte Monika në SHBA dhe duhet patjetër të jenë takuar, kjo nuk përtypet kollaj. Por në kohën e teknologjisë së lartë mobile, edhe komunikohet për takime politike. Nuk është çudi apo sakrilegj!

Zakonisht politikanët shqiptarë pazaret i bëjnë jashtë vendit.

Të thuash nëse janë takuar Kryemadhi dhe Veliaj në SHBA mbetet një përpjekje e kotë, pasi edhe nëse “po”, nuk ka fakte. Por nëse dy vizitat e tyre i analizon me vizitën në Hungari (Budapest) ku ishin Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe Erion Veliaj mund të thuash se një pazar mes tyre po “piqet”. Fotografia e Ilir Metës në Budapest që e shikonte Erion Veliajn si yll dhe kënaqësia e Presidentit që e kishte pranë kryebashkiakun ndryshe nga sa Meta e sulmonte Erion Veliajn me mediat e tij para zgjedhjeve, të jep të kuptosh se “muaji i dashurisë” së re ka filluar mes Metës dhe Veliajt.

PD dhe LSI duken të ndara përfundimisht me njera tjetrën. LSI ka difektet e saj në zgjedhje, por një nga arësyet e humbjes katastrofike të saj mbetet edhe PD. Ndaj nuk duken se do puqen më PD dhe LSI. Edhe nëse e bëjnë do jetë formalisht dhe me thika ndër duar.

Edi Rama ka informacion të plotë se ç’ndodh mes dy partive të opozitës, ndaj mbreteron i qetë.

Burime të besueshme tregojnë se kryeministri po shikon mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme vendore që të zbus paksa zemërimin dhe urinë në PD për pak pushtet vendor, të cilin e kishin por e humbën për mend! Ndaj mundet që Erion Veliaj për të siguruar mandat tjetër personal në Bashkinë e Tiranës, po luan fshehtas me LSI. Pra që LSI nën pretekstin e gjoja “pavarësisë” nga PD të fus vetë kandidat në bashki që të sigurojë humbjen e demokratëve (edhe si hakmarrje).

Nëse është kështu kjo heshtje e LSI ndaj kryebashkiakut të Tiranës, mbetet vendim politik i tyre, por duhet të sqarojnë elektorarin e tyre, por edhe publikun. Që të kërkosh nga mediat afër teje që “sulmoni këtë qenin e bashkisë se po vjedh miliona nga lejet e pallatëve” dhe nga ana tjetër të shkosh vetë e të bësh pazar me të; ky është pisllëk.

Hipoteza ka plot pse hesht LSI-ja në raport me Erion Veliajn…

 

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit