Home Aktualitet Revolta në PD...

Revolta në PD të zyrtarizohet dhe rruga është një e vetme

334
0

Nga: Redjon Shtylla

Në Partinë Demokratike ka nisur një revoltë, që nëse nuk zyrtarizohet do të jetë e vonuar. Zhgënjimi i deputetëve, madje edhe i njerëzve që cilëson si krahu i Bashës, sërish nuk e ndihmon PD-në që doli e dërrmuar nga votimet e së dielës, nëse nuk merren hapa sot, urgjentisht. Kështu, në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, PD-ja doli forcë e tretë. Në Vlorë mori një rezultat qesharak, 700 vota. U tha që këto zgjedhje ishin për të treguar forcë dhe se kush është opozita që do populli.

Kolacioni ”Shtëpia e Lirisë” që mbështeti ligjërisht kandidatët e Komisonit të Rithemelimit të PD-së, drejtuar nga Sali Berisha, doli forcë e dytë dhe me një fitore. Mori Bashkinë e Shkodrës me kandidatin Bardh Spahia.

Ervin Salianji, krahu i djathtë i Bashës dhe kritik i Berishës, sot thotë se Lulzim Basha e ka humbur mbështetjen, dhe se fatkeqësisht si kryetar partie është barrë e rëndë për opozitën. Agron Gjekmarkaj, Grida Duma, Flutura Açka kanë hequr dorë nga çdo funksion në PD, përveç mandatit si deputet.

Basha ka përsëritur se nuk ka humbur asnjë garë, por ato janë vjedhur. ”Dy rrugë ka. Ose rrimë bashkë e bëjmë riorganizim, ose ia dorëzojmë Sali Berishës partinë. Synimi i Berishës është që ta marrë PD-në, për t’u mbrojtur nga ”non-grata””.

Statuti i PD-së i ndryshuar vitin e kaluar, nuk njeh asnjë përgjegjësi të kryetarit të partisë në rastin e humbjes së zgjedhjeve. Por ka një rrugë për të shkarkuar Lulzim Bashën si kryetar i PD, dhe është mocion mosbesimi në Këshillin Kombëtar. Vendimi i shkarkimit nga Kuvendi i PD-së merret vetëm nëse më shumë sesa gjysma e Këshillit Kombëtar kanë votuar pro një mocioni mosbesimi ndaj kryetarit të partisë.

Grupi anti-Basha duhet të sigurojë fillimisht shumicën e votave në Këshillin Kombëtar dhe më pas në Kuvendin Kombëtar, për të mundësuar shkarkimin e Bashës. Mbledhja e Këshillit Kombëtar kushtëzohet nga vullneti i Bashës ose i Kryesisë së PD-së. Statuti parashikon që Këshilli Kombëtar i PD-së mblidhet vetëm kur e thërret Basha, kryesia e PD-së ose nëse mbledhjen e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të tij.

Ndaj revolta e vonuar e deputetëve nuk e ndihmon PD-në, por qeverinë që të rrijë sa më gjatë në pushtet. Pa një parti të fortë e jo të përçarë, nuk mund të rrëzohet një pushtet. Revolta nuk duhet të bëhet me deklarata mediatike por me një veprim konkret, të menjëherëshëm.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit