Home Aktualitet Shqipëri, shp...

Shqipëri, shpërthimi i koronavirusit, në korrik 6-fishohen rastet

85
0

Nga VOA-

Në Shqipëri rastet me koronavirus shpërthyen gjatë muajit korrik me një rritje të madhe të rasteve të reja por dhe të vdekjeve. Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës tregojnë se krahasuar me qershorin, rastet thuajse janë 6-fishuar. Në fund të muajit numëroheshin mbi 30,900 të infektuar rishtazi, nga 5,248 të prekur në total përgjatë gjithë qershorit.

Që prej 12 korrikut, numri i rasteve të reja ditore ka qenë mbi 1 mijë, me përjashtim të ditëve të fundjavës, kur numri i testimeve bie ndjeshëm. Tregues i përhapjes së gjerë të virusit është pozitiviteti (raporti mes rasteve të infektuarve dhe testimeve). Mesatarja mujore ishte 45.4 për qind, nga 4 për qind në qershor, ndërkohë që javën e fundit arriti në 48.2 për qind, ose gati 1 person i prekur në çdo dy testime të kryera. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.

Shifrat e rritura të rasteve të reja, u shoqëruan dhe me një shumëfishim të numrit të viktimave. Pas një periudhe gati dy mujore, që prej fillimit të majit, në fund të qershorit u njoftua për vdekjen e një 72 vjeçari. Më pas njoftimet për humbje jetë filluan të bëhen sërish thuajse të përditshme. Përgjatë muajit korrik vetëm në 7 ditë nuk ka patur viktima. Në total llogariten 47 vdekje, nga të cilat 19 vetëm javën e fundit. Të hënën Ministria e Shëndetësisë njoftoi për tre humbje jete: dy qytetarë nga Tirana të moshave 66-75 vjeç dhe një qytetare nga Fieri 80 vjeçe. Në muajin prill pati vetëm 4 viktima, në maj 1 dhe në qershor 4 të tjerë.

Në rritje, por jo të lartë, ka qenë dhe numri i të shtruarve në spitale. Nëse në fillim të muajit ishin 21 pacientë, të hënën Ministria e Shëndetësisë njoftoi për 35 persona që kanë patur nevojë për trajtim të specializuar.

Përhapja e shpejtë e virusit, ka bërë që autoritetet të shtojnë përpjekjet për vaksinimin e popullatës, një proces i cili, veçanërisht pas heqjes së masave kufizuese thuajse ka mbetur në vend. Ende as 60 përqind e popullatës mbi 16 vjeç, nuk ka marrë më shumë se një dozë. Përveç qendrave shëndetësore ku ofrohet vaksinimi janë dhe 7 njësi të lëvizshme të shpërndara në territor. Madje autoritetet kanë vendosur dhe një numër jeshil, përmes të cilit mund të kërkohet vaksinimi në banesë.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit