Coutinho dhe Neymar, Brazili shpërthen në shtesë ndaj Kosta Rikës (VIDEO)

Brazili ka vuajtur shumë për të marrë 3 pikët e para në Kupën e Botës. Selecao fitoi 2-0 ndaj Kosta Rikës, në një ndeshje që pritej një goledë, por që në fakt rezultoi aq e vështirë, aq sa goli i çlirimit erdhi vetëm në minutën e parë shtesë. 45 minutat e para u mbyllën pa gola, teksa rastet ishin sporadike nga disa goditje nga distanca të Willian apo Marcelos.
Në fillimin e pjesës së dytë Gabriel Jesus trondit shtyllën me një goditje me kokë në minutën e 48-të, ndërkohë që disa sekonda më pas goditja e Coutinhos devijohet nga mbrojtësit e Kosta Rikës në vijën e portës. Brazili vijon të dhurojë spektakël, ndërkohë që në minutën e 56-të, Keylor Navas bën një pritje fantastike, duke shpëtuar ekipin e tij. Në minutën e 72-të, Neymar i rrëmben një top Gaboas dhe më pas godet menjëherë me të djathtën në hyrje të zonës, por tentativa e tij përfundon jashtë kuadratit.
Bjorn Kuipers akordoi fillimisht penallti për Brazilin në minutën e 78-të, por arbitri shkoi për të riparë pamjet, dhe më pas ndryshoi vendimin e tij. Neymar ka simuluar, pasi prekja e mbrojtësit nuk ishte aq e fortë sa për të dhënë penallti. Në minutën e parë shtesë, Brazili shënoi golin e avantazhit dhe të fitores. Coutinho shtyn topin në rrjetë, pasi u shërbye mjaft mirë në zonë nga Gabriel Jesus. Në sekondat e fundit të kohës shtesë, Neymar gjeti rrugën e rrjetës, pas një asisti mjaft të mirë të Douglas Costës.
KOHA JONË SONDAZH

