Kupa e Shqipërisë/ Vllaznia fiton në shtesë ndaj Flamurtarit, kualifikohen Tirana dhe Partizani
Në Kupën e Shqipërisë janë luajtur ndeshjet e kthimit të raundit të 1/16-ve. Tirana nuk shkoi më shumë se barazim 2-2 ndaj Koplikut, një ndeshje ku Shehi bëri rotacion pas fitores 0-3 në duelin e parë.
Ekipi mik e pa veten në avantazh të dyfishtë falë dygolëshit të Arsen Hajdarit në pjesën e parë, por Realf Zhivanaj iu përgjigj me të njëjtën mënyrë sulmuesit shkodran dhe evitoi disfatën e bardhebluve.
Vllaznia eliminoi Flamurtarin në kohën shtesë. Kuqezinjtë fituan 2-1 përballjen e parë, ndërkohë 90 minutat e rregullta të sfidës së kthimit u mbyllën 1-0 për ekipin e Josës (Marko Juric), që realizoi edhe dy gola të tjerë në 30 minutat shtesë me anë të Ante Aralicës dhe Arsid Krujës.
Në raundin tjetër kaluan edhe Partizani dhe Kukësi, që fituan përballë Orikut dhe Labërisë me të njëjtin rezultat: 2-0. “Demat” e kishin mbyllur në barazim takimin e parë në stadiumin e ri, por sot fituan dhe u kualifikuan falë golave të shënuar nga Menich dhe Xhuliano Skukës.
Skuadra verilindore mposhti vlonjatët falë golave të Altin Bytyçit dhe Agnaldo Moraes, duke kaluar në turin tjetër me rezultatin e përgjithshëm 5-0.

KOHA JONË SONDAZH

