Manaj: Ka shumë faktorë që kam munguar në Kombëtare
Rei Manaj e ka nisur pikërisht me Kosovë tre vite më parë , aventurën e tij te Shqipëria, duke gjetur edhe rrugën e rrjetës. Sulmuesi lushnjar, tashmë më i pjekur, fillimin e ri me Kombëtare e sheh tek ajo që mund të bëjë në eliminatoret e ardhshme.
A është ky një fillim i ri për ju në Kombëtare?
Fillimi i ri duhet të jetë nga shtatori. Duhet të përgatitemi fort për këto dy ndeshje miqësore, sepse janë të rëndësishme. Nuk them dot se me Kosovën do të jetë më e lehtë, çdo futbollist dëshiron të fitojë.
Ishte zgjedhja e duhur transferimi te Granada?
Zgjedhja ishte e mirë. Patëm disa vështirësi në 5-6 ndeshjet e fundit, humbëm ritmin e fillimit. Kemi edhe disa ndeshje dhe shpresoj të futemi në play off, e pse jo, të ngjitemi në La Liga
Keni pasur oferta nga ekipe të ndryshme?
Menaxheri më ka dhënë se kam disa oferta, mendjen e kam te Kombëtareja, kur të barojë gjithçka do të flas me menaxherin dhe do të bëjmë zgjedhjen më të mirë.
Mendoni se keni besimin e Panuçit dhe a keni komunikuar me të?
Kam folur me Panuçin, e ka bërë edhe menaxheri im. Fjalët që më ka thënë ishin pozitive, ato që kemi folur i dimë vetëm unë dhe ai.
Edhe Sadiku po has shumë vështirësi te Levante, kaq i vështirë është futbolli spanjoll?
La Liga ka dy ekipet më të mira në botë, Realin dhe Barcelonën. Edhe në Itali kampionati është i fortë, s’është e thënë se futbolli spanjoll është më cilësor se të tjerët.
Keni debutuar me Shqipërinë duke i shënuar gol Kosovës pas vetëm pak sekondave në fushë…
Gjërat që kanë kaluar nuk i mban mend njeri, duhet të përqendrohemi tek e sotmja dhe e ardhmja, të harrohen atë që kanë ndodhur para tre viteve. E mendoj shpesh golin me Kosovën pas 10 sekondave në fushë, por duhet të shohim përpara. Në mos grumbullimin tim në kombëtare kanë ndikuar disa faktorë, ka qenë zgjedhje e të tjerëve. Unë do të mundohem të bëj më të mirën.
Ju vini nga Kombëtare si lider i U-21, mendoni se do të jeni i rëndësishëm edhe këtu?
Lideri i U-21? S’më pëlqen ky etiketim. Të Shpresat ka shumë lojtarë premtues, si Bare etj, pas dy-tre vitesh do të jenë me Kombëtaren A. Të mos flasim përpara kohe, e lëmë me pikëpyetje, se gjërat nuk ndodhin pastaj.
KOHA JONË SONDAZH

