Përfundon kursi i përgatitësit atletik, diplomohen 21 trajnerë të rinj
Sektori i Edukimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka përmbyllur me sukses kursin e parë për përgatitës atletikë për vitin 2023, ku u diplomuan 21 trajnerë të rinj nga Shqipëria dhe Kosova.
Ky kurs që nisi në muajin janar të këtij viti zgjati tre muaj, me rreth 100 orë në total dhe në ndryshim nga edicionet e kaluara, veç lektorëve shqiptarë, studentët e regjistruar kanë pasur mundësinë të mësojnë edhe nga profesorë të përgatitjes atletike nga Italia, por edhe nga vende të tjera të Euroës.
Gjithashtu, edhe përgatitësit atletikë të licencuar nga FSHF, të cilët punojnë në klubet shqiptare kanë ndarë me studentët e këtij kursi eksperiencat e tyre në këtë profesion.
Ditën e sotme u zhvillua edhe ceremonia e shpërndarjes së diplomave për 21 pjesëmarrësit në ambientet e stadiumit ‘Air Albania’, teksa të pranishëm ishin drejtuesi e Sektorit të Edukimit në FSHF, Sulejman Starova, si edhe trajneri i përgatitjes atletike, Iris Selimi.
Në një prononcim për fshf.org, Selimi tregoi edhe risitë e këtij kursi, ndërsa nënvizoi edhe njëherë tjetër rëndësinë e figurës së përgatitësit atletik. Ndër të tjera, trajneri i mirënjohur theksoi se duke nisur nga ky vit, çdo ekip duhet të ketë në stafet e tyre një figurë të tillë, çka rrit edhe mundësinë e punësimit.
“Sot përfunduam me sukses kursin e radhës të përgatitësit atletik për vitin 2023. Një kurs intensiv që zgjati katër javë, rreth 100 orë në total, ku kanë marrë pjesë rreth 25 studentë nga Shqipëria dhe Kosova. Në këtë kurs kanë dhënë mësim lektorë shqiptarë dhe të huaj, përgatitës atletikë të ekipeve më të njohura të Italisë, po ashtu edhe internacionalë. Sot e dimë rëndësinë e përgatitësit atletik, që po kthehet edhe në një figurë shumë të kërkuar edhe në stafet e ekipeve. Po të shikojmë në klubet e mëdha, ky rol është i mbuluar nga 4 ose 5 përgatitës atletikë. Në Shqipëri nis nga ky vit, pasi Federata Shqiptare e Futbollit e ka vendosur si kusht që çdo ekip të ketë një përgatitës atletik në stafet e tyre në kampionatet e ‘Abissnet Superiore’ dhe Kategorisë së Parë. Kjo gjë do të rrisë sigurisht edhe mundësinë për t’u punësuar” tha trajneri Iris Selimi.
KOHA JONË SONDAZH

