Reja: U ndëshkuam nga gabime individuale, Broja ende jo gati
Shqipëria pësoi një humbje 2-1 ndaj Izraelit, duke djegur shansin e fundit për të zënë vendin e parë në Ligën e Kombeve. Trajneri Edy Reja vuri theksin sërish te gabimet individuale, duke deklaruar se lojtarët vazhdojnë të dhurojnë vetë golat, ashtu si në ndeshjet e kaluara.
“Skuadra dha shpirtin për të fituar sot, por u ndëshkuam sërish nga gabimet individuale. Janë të njëjtat gabime që na kanë ndëshkuar vazhdimisht dhe që i bëmë edhe sonte. Si gjithmonë, e komplikojmë vetë ndeshjen dhe sot dhuruam të dy golat. Po shpresonim për një barazim, që do të ishte një rezultat i mirë, megjithatë nuk kemi kthjelltësinë për të zgjidhur mirë situatat në momente të caktuara. Flasim gjithmonë për të njëjtat gjëra, për të njëjtat gabime, por vazhdojmë t’i përsëritim. Izraeli ishte shumë mirë fizikisht dhe na vuri në vështirësi. Rikthimi te mbrojtja me 5 na dha më shumë ekuilibër, por vendosën gabimet individuale.
Broa? Nuk është ende gati dhe duhet të rritet ende. Ka filluar të rritet dhe të përmirësohet, por është vetëm 21 vjeç dhe ka nevojë të piqet. Po e aktivizoj edhe më shumë, për t’i bërë të kuptojë se nuk është e lehtë të jesh titullar. Duhet të jetë më vendimtar, por ka aftësitë e duhura për të krijuar raste goli nga momenti në moment.
Me katër kishim pak kohë për t’u përgatitur, ndaj nuk ishte e lehtë. Me pesë patëm tjetër ekuilibër, pasi e njohim më mirë si skemë. Më vjen keq pasi krijuam edhe raste, siç ishin ato të Brojës, por edhe një aksion me Hysaj, që shërbeu Uzunin, por Broja nuk e kuptoi që po ia linte topin. Gjithsesi tani duhet të shohim përpara dhe të kërkojmë fitoren ndaj Islandës”, u shpreh Reja.
KOHA JONË SONDAZH

