U shpall lojtari i muajt, Mala komenton edhe ofertën e Shtutgartit
Esat Mala është përzgjedhur lojtari më i mirë i muajit mars nga shoqata “Sporti na bashkon”. Për këtë qëllim klubi i kuq ka organizuar edhe një konferencë për shtyp me lojtarin, i cili i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Ai ka folur për mbështetjen që i është dhënë në klub, interesimin e Shtutgartit, si dhe objektivat e tij personale dhe të klubit.
Çfarë ka ndryshuar te Partizani me ardhjen e trajnerit Dalipi?
Nuk më pëlqen të bëj krahasime, jam ndihem mjaft mirë me të dy trainerët, por gjithsesi siç edhe ka deklaruar kapiteni Batha në intervistën pas ndeshjes me Kamzën, me Dalipin në skuadër ka një dëshirë më të madhe lojtarët po ndjehen më të lirë dhe po shprehin atë që dinë të bëjnë më mirë. Kanë fituar besim në vetvete po kalojmë një formë të mirë dhe shpresojmë ta ruajmë këtë gjendje.
Është thënë se fundmi që emisarë të klubit të Shtutgartit do të jenë për ju në ndeshje me Kamzën. Ka diçka konkrete në dijeninë tuaj apo të Partizanit?
Nuk ka gjë në dijeninë time, realisht tani jam i fokusuar te Partizani. Kam një kontratë dhe klubi në bashkëpunim me mua do të vendosim. Për momentin shoh të tashmen, jo të ardhmen.
I druheni konkurrencës në skuadër, tashmë edhe me rikthimin e Telushit?
Konkurrenca në skuadër të detyron të përmirësohesh më mirë si lojtar. Përgjatë gjithë kohës Telushi më ka përkrahur vazhdimisht. E theksoj që konkurrenca në skuadër na bën edhe më të fortë si mua edhe Telushin dhe do vazhdojmë të punojmë së bashku.
A ndjeheni tashmë në presion pasi drejt jush është rritur interesimi?
Mendoj se është një bast për tu fituar. Absolutisht nuk e ndjej veten në presion pasi si çdo lojtar kur futet në fushë i harron të gjitha dhe mendon të shpreh atë që di të bëj më së miri.
Preferoni rolin në mesfushë apo do të dëshironit të luani më përpara?
Fillimisht jam aktivizuar si mesfushor përpara mbrojtjes , më pas jam aktivizuar më shumë si mesfushor krahu, por gjithsesi ndjehem mirë në çdo pozicion të repartit të mesfushës.
Si e pret Partizani përballjen e së dielës ndaj Laçit ?
Është një ndeshje e vështirë dhe shumë e rëndësishme për të dyja ekipet. Si ne dhe Laçi do të japim shpirtin në fushë për të arritur rezultat pozitiv. Shpresoj shumë që të vazhdojmë këtë ecuri tonën pozitive dhe kam besim që do të arrijmë të marrim 3 pikë shumë të rëndësishme në Laç.
Objektivi i klubit mbetet thjesht pjesëmarrja në Kupat e Europës, apo do të synohet edhe vendi i dytë ?
Duke marrë parasysh ecurinë e mirë që ekipi po tregon , pse jo mendoj që edhe vendi i dytë do të jetë objektivi ynë. Jemi një kandidat shumë i fortë edhe për vendin e dytë, por e rëndësishme është të sigurojmë pjesëmarrjen në Kupat e Evropës.
KOHA JONË SONDAZH

