“Vëllazërorja” Shqipëri-Kosovë, ja si pritet që të luajë sonte Panuçi
Shqipëria dhe Kosova do të sfidojnë njëra-tjetrën në Zurih të Zvicrës, aty ku stadiumi i Letzingrund sot në orën 20:00 do të jetë i tejmbushur me shqiptarët. Ky është testi i parë gjeneral për djemtë e drejtuar nga Kristian Panuçi për Ligën e Kombeve që do të nisë në shtator.
Risi të shumta në formacionin e kuqezinjve të cilët do të zbresin në fushë me një skuadër shumë herë më të re në moshë. Lenjani nuk ja ka dalë të rikuperohet në kohë nga dëmtimi ndërsa Mavraj edhe për faktin se është me Ramazan do të ulet në stol nga trajneri Panuçi.
Berisha e nis ndeshjen në portë, ndërkohë që në mbrojtje do të luajnë Hysaj në të djathtë, Xhimshitin dhe Veselin në qendër dhe do të improvizojë Bujar Likën si mbrojtës të majtë në debutimin e këtij të fundit si titullar. Mesfusha do të përbëhet nga tre lojtarë shumë të rinj në moshë si Ramadani, Qaka dhe Ndoj, të cilët do të duhet të mbulojnë mungesat e emrave me peshë si Xhaka e Abrashi për shkak dëmtimi.
Për mesfushorin e Breshias, Ndoj ky ndaj Kosovës do të jetë një debutim absolut me kombëtaren A. Në sulm përveç Roshit e Cikalleshit do të ketë vend edhe për Sindrit Gurin i cili grumbullohet për herë të parë nga kuqezinjtë pas sezonit spektakolar që zhvilloi me Kukësin.

KOHA JONË SONDAZH

