Home Bota Serbia në mak...

Serbia në makthin kosovar, nga Nikola Krëstiq

42
0
Berisha ka postuar sot një shkrim të gazetarit serb.
VËSHTRIME: Serbia në makthin kosovar, nga Nikola Krëstiq.
29 SHTATOR 2023
Shoqëria në Serbi qysh më 1998-n në Kosovë e humbi rrugën nëpër të cilën hapëron krenueshëm edhe sot e kësaj dite. Nga Gazimestani i kobshëm i Milosheviqit kaluan tridhjetë vjet e ne nuk kemi lëvizur as edhe për një sekondë prej atje. Mbetëm të ngujuar në atë makthin kosovar, e shkaku i hakmarrjes sonë të etur për gjak, prej antifashistëve krenarë u shndërruam në shërbëtorë të gërditshëm të ideve nacionaliste
Natyrisht që nuk është për çudi përse fëmijët nëpër Serbi, menjëherë pasi e përfundojnë vitin shkollor, dalin rrugëve e këndojnë për Kosovën, Ratko Mladiqin, Srebrenicën dhe, po, se si t’i vrasin shqiptarët. Nuk është më aq mister as edhe që Uroshin e vrarë nga Nishi publiku në fakt e gjykon që barti kanotiere provokuese, në të cilën shkruan “antifashist”. Më nuk është edhe aspak shqetësuese që, pak e nga pak, kemi dhunë në bazë fetare, racore apo nacionaliste. Njëmend nuk e di se prej nga përnjëherë kaq çudira. Kësisoj ndodh tërë kohës këtu, vetëm se nganjëherë u kushtojmë vëmendje, e shumicën e kohës ua kthejmë kokat. Shoqëria në Serbi qysh më 1998-n në Kosovë e humbi rrugën nëpër të cilën hapëron krenueshëm edhe sot e kësaj dite. Nga Gazimestani i kobshëm i Milosheviqit kaluan tridhjetë vjet e ne nuk kemi lëvizur as edhe për një sekondë prej atje. Mbetëm të ngujuar në atë makthin kosovar, e shkaku i hakmarrjes sonë të etur për gjak, prej antifashistëve krenarë u shndërruam në shërbëtorë të gërditshëm të ideve nacionaliste. Secila copëz e anatomisë së Serbisë së atëhershme ishte e infektuar me nacionalizmin serbomadh. Nisur nga vetë partitë politike, nëpërmjet Akademisë e Kishës, e krejt deri te qytetarët e thjeshtë, të cilët me anë të zërit të tyre të paktën kontribuan që e keqja të bluhet pandërprerë. Helmimi sistematik i gjithçkaje ishte aq radioaktiv saqë të gjithë popujt përreth nesh është dashur që për këtë shkak të vriteshin. I gjithë ky akumulim i mllefit, i dëshpërimit, i korrozionit shpirtëror, mizorisë e monstruozitetit shpërtheu më së shumti ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve nga Kosova.
Nga lart e teposhtë, Serbia i gllabëroi të gjithë ata që ishin të papërshtatshëm dhe nuk iu përputhën modelit të Serbisë së madhe. Një djallëzi e tillë që u shpërfaq nëpërmjet morbiditetit horrorik, sadizmit të errët dhe krimeve të tmerrshme e shtyu këtë vend në një çosh të vockël, në të cilin po pret e strukur që të zhduket. Ngase sot nuk mund të vazhdosh të evoluosh normalisht me pjesën e mbetur të botës nëse të gjithë një dekadë e ke kaluar duke e krijuar një ferr nazist midis Evropës. Nëse Sarajevën e ke maltretuar për vite. Vukovarin e ka rrafshuar përtokë. Dubrovnikun e ke granatuar. Në Prijedor i shtyre “joserbët” të bartnin shami të bardha. Hape kampe përqendrimi nëpër Bosnjë-Hercegovinë, e për të cilat askush nuk di gjë. Në Srebrenicë kreve gjenocid. I dëbove me qindra mijëra shqiptarë nga Kosova. Transportove kufoma fëmijësh, grash, pleqsh nëpër Serbi, duke i fshehur nëpër vrima. Dhe pikërisht shkaku i mungesës së dekontaminimit të shoqërisë serbe po ndodhin këto mikro-çmenduri. Të gjithë ata fëmijë që sot këndojnë për Kosovën dhe çuditë e tjera u rritën në këtë gërmadhë të lënë pas dore e të përhumbur. I mësuan, kudo që kthyen kokat, që t’i urrejnë të gjithë përreth vetes. Janë të bindur se për varfërinë e tyre fajtor është shqiptari i Kosovës. Ua ngulitën në koka se është e nderme të vdesësh për një copëz toke. Derisa krimi iu prezantua si vepër heroike.
Nuk është aspak çudi që edhe gjenerata ime, e lindur gjatë të nëntëdhjetave, e mbron emërtimin e qendrës studentore sipas një krimineli lufte. Që bëjnë be në Milan Nediqin, Dimitrije Lotiqin dhe Nikola Velimiroviqin. Që në vend se të shkojnë pas botës së bardhë, flenë në manastiret nëpër Kosovë. I bezdisin të gjithë përreth vetes me ciriliken, ortodoksinë dhe natalitetin.
Andaj edhe ndodhi Borça. Prandaj u rrahën shqiptarët në Novi-Sad. Prandaj u nisën me shkopinj drejt romëve në Leskovc. Ngase këtu më askush nuk mund të pajtohet me faktin se serbët, për shkak të frustrimeve të tyre megalomane dhe çrregullimit psikotik, u bënë vrima e fundit në kavallin evropian.
*Autori është gazetar serb. Vështrimi është botuar në të përditshmen beogradase “Danas”.
©️ KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Bota

Më shumë nga Bota

Lajmet e Fundit

Te Fundit