Home Forum “Maldiv...

“Maldivet e Europës”/ Turistët e huaj: KSAMILI i shtrenjtë, i ndotur dhe plot me mashtrues

22
0

Nga Mentor Kikia:

Erdhën, panë, ikën: “E shtrenjtë, e ndotur dhe plot me mashtrues”.

Një fushatë promovimi nën etiketimin “Maldivet e Europës” nxiti shumë turistë të vizitojnë skajin më jugor të vendit, Ksamilin. Padyshim që të gjithëve na u përkëdhel ndjenja e krenarisë nga këto etiketime të mediave të huaja dhe agjencive të mëdha turistike.
Nisur nga qëllimi i mirë, qeveria shtyu një promocion në rrjet dhe mbulim maksimalisht pozitiv mediatik të fluksit të turistëve dhe “çmimeve të ulëta në Maldivet Shqiptare”, dhe nëpër ekrane nuk u ekspozua thuajse asnjë problematikë mbi sektorin.

Por ndodhi ajo që pritej.

Ata që erdhën e panë se as Ksamili nuk është Maldive apo Karaibe as Saranda nuk është Majemi. Këtë ne e dimë, madje dimë se Ksamili është zona më tipike e kaosit urban informal, shembulli më tipik i modelit “Bathore”, një xhungël që më shumë se me Maldivet ngjan me periferitë e qyteteve të mbipopulluara indiane.

Komentet e pushuesve të huaj dhe eksperiencat e tyre që dëshmojnë “kaos, arrogancë të pronarëve, çmime aspak të arsyeshme, mungesë të plazheve publike, mashtrues në çdo cep”…. ulën vlerësimin e platformës turistike “Trip Advisor” nga 5 në 2 për Ksamilin, vetëm brenda kësaj vere. Ja njeri prej vlerësimeve, një pushues britanik:

“Mos u besoni videove në internet. Edhe pse apartamentet janë ‘të lira’, ju do të humbni një shumë të çmendur parash në ‘restorante’ (zgara me ushqim të shpejtë me cilësi të ulët në fakt). Pothuajse të gjithë këtu do të përpiqen t’ju mashtrojnë, veçanërisht tregtarët dhe shoferët e taksive (këta të fundit vijnë te njerëzit në stacionin e autobusit, duke u thënë turistëve se autobusi është anuluar në mënyrë që ata të mund të paguajnë 30+ € për udhëtim 15-20 minutash). Plazhet janë të mbipopulluara dhe nëse nuk paguani 25 € për shezlong, do t’ju vizitojnë rojet e sigurisë, megjithëse asnjë plazh nuk është privat”.

“Maldive” nuk të bën vetëm natyra e bukur, aq më shumë vetëm një cep i zonës turistike që reklamohet anë e kënd mediave e portaleve edhe ndërkombëtare. Maldivet janë simboli i turizmit elitar botëror, i shtrenjtë padyshim dhe ku shërbimi është i shkallës superiore.

E mendoni dot një vend turistik ku pushuesi nga Gjermania prenoton në Prill dhe kur vjen në Korrik nuk e gjen dhomën të lirë, sepse erdhi dikush tjetër që i dha pronarit pazar më të mirë?
Ndërkohë, promovimi i fortë i çmimeve të ulëta (që s’janë të ulëta në fakt) rrezikon të shkaktojë një rritje të fortë të çmimeve vitin tjetër, edhe pa koeficentin e mashtrimeve.

Të shesësh diçka që nuk e ke, është mashtrim. Ksamili dëshmoi se kjo strategji ecën vetëm një sezon. Reklama “fake” kthehet shpejt në bomerang. Ndaj duhet të ndryshojmë strategji sa nuk është vonë, duke synuar përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e standardit të shërbimeve, ndryshe vitin tjetër e në vazhdim bëjini shu…. Maldiveve.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Politika

Më shumë nga Politika

Lajmet e Fundit

Te Fundit