Home Aktualitet Jonila Godole...

Jonila Godole: Autoriteti i Dosjeve rrezikon të përdoret për të shantazhuar me mjete alla Sigurimi

103
0

Nga Jonila Godole

Në kohën kur Enveri e shpalli Mehmet Shehun poliagjent, një anonim pati dorëzuar disa fotokopje dokumentash në ambasadën tonë në Vjenë që e rëndonin kryeministrin në detyrë. Fundi dihet.

Kjo m’u kujtua dje kur u njoha nga media me statusin e Autoritetit të Dosjeve të Sigurimit, se kishin zbuluar dosjen e një ish-bashkëpunëtori të Sigurimit, një figurë e lartë publike e politike, me inicialet I.M ( ?).

Mendimi im, siç e njihni publikisht, ka qenë dhe mbetet i palëkundur që duhet të ndahemi nga e shkuara. Një mënyrë për ta bërë këtë është bërja transparente e emrave të politikanëve apo zyrtarëve të lartë që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit. Ata kanë uzurpuar jetën politike dhe e mbajnë peng tranzicionin dhe zhvillimin e vendit, pikërisht sepse janë të shantazhueshëm: kush me dosje, kush me „skelete“ të tjera në qilar gjatë komunizmit apo demokracisë!

Nuk e mohoj që një lajm i tillë, në një vend normal ku demokracia, shteti ligjor dhe institucionet publike funksionojne, do të ishte një arritje pozitive në zbardhjen e krimeve të diktaturës. Por Shqipëria nuk është një vend normal, dhe asnjë nga institucionet më sipër nuk funksionon siç do duhej. Autoriteti i Dosjeve, për shembull, deri më sot mund të ketë marrë përsipër të kryejë disa misione, por vetëm hapje të Dosjeve nuk ka bërë! Oficerët e Sigurimit gëlojnë në administratë, në polici, në organet e drejtësisë dhe nuk u ka hyrë një gjemb në këmbë.

Të kuptohemi drejt, do të ishte një lajm dhe shërbim i shkëlqyer ndaj taksapaguesve shqiptarë, nëse Autoriteti i Dosjeve më në fund do të zbulonte një „peshk të madh“.

Por, fakt është që ende nuk dimë ASGJË çfarë ka ndodhur!

Duke njohur nga afër problematikat e punës së Autoritetit të Dosjeve, kjo deklaratë ngre disa pikëpyetje në interes të opinionit publik:

A operon Autoriteti dhe vihet në lëvizje gjithnjë me e-maile apo letra anonime?
Sa orë apo ditë ka pasur në dispozicion Autoriteti për të kontrolluar dhe verifikuar informacionet e marra?
Cili është pseudonimi i I.M.? Në çfarë rrethanash është rekrutuar ai? Në çfarë moshe? Çfarë represioni ka kryer, kundrejt kujt, me cilat pasoja?
Për subjektin I.M. është informuar Kuvendi i Shqipërisë ndërkohë që subjekti nuk është deputet dhe Kuvendi nuk ka shfaqur asnjë interes për ta verifikuar atë. Pse nuk ka informuar Kuvendin më herët, p.sh. kur ish-drejtori i ISKK, Agron Tufa, publikisht botoi dokumente rënduese për rastin „Cingarja” (Gramoz Ruçi), bazuar në protokollet e Komisionit „Mezini“?
Pse pikërisht problematika e komisioneve të mëparshme të figurës del sot në skenë, kur vendimmarrja e tyre ka pasur karakter ekzekutiv dhe jo informativ si sot?
Rastet e tjera që janë shënuar në njoftim me iniciale i takojnë oficerëve dhe bashkëpunëtorëve të Sigurimit që mbajnë sot poste të larta në polici, për të cilët Autoriteti nuk ka qenë dhe aq bashkëpunues në procesin e vetingut të tyre. A mos u përdorën këto raste thjesht për ilustrim për të mos lënë thatë tekstin e bërë gati për subjektin I.M.?!
Për rëndësinë që ka rasti, Autoriteti duhet të bëjë transparente gjithë dosjen dhe të bëjë publik identitetin e vërtetë të personit me gjithë rrethanat e rekrutimit të tij – nëse realisht rezulton si ish-bashkëpunëtor. Statusi në FaceBook është një gjë dhe transparenca për publikun është diçka tjetër.

Përndryshe ekziston rreziku që në vend të përdorë Autoriteti pushtetin e ligjit dhe të dokumenteve arkivore për të denoncuar një ish-bashkëpunëtor – të përdoret Autoriteti si një bashkëpunëtor për të shantazhuar me mjete alla Sigurimi!

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit