Home Aktualitet Kreu i KMSH, ...

Kreu i KMSH, Bujar Spahiu uron besimtarët myslimanë: Gëzuar Fiter Bajramin

169
0

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, uron të gjithë besimtarët myslimanë dhe shqiptarët kudo që ndodhen, Gëzuar Fitër Bajramin!

Urimi i plotë:

Të dashur motra dhe vëllezër!

Ashtu si çdo gjë që ka një fillim dhe një fund, përveç Zotit, i Cili është i pafillim e i pafund, sakrificës tonë shpirtërore dhe fizike të këtij muaji të begatë i erdhi fundi.

Për një muaj kemi agjëruar me besimin dhe shpresën e fitimit të kënaqësisë së Zotit.

Zoti i gjithësisë qoftë i kënaqur me ne dhe na e pastë pranuar agjërimin, lutjet dhe të gjitha adhurimet gjatë këtij muaji të bekuar, të cilin po e përcjellim sot.

Nesër kemi festë, kemi Fitër Bajram!

Fitër Bajrami është festa e përmbylljes me sukses, me lejen e Zotit, të një rrugëtimi të përsosjes shpirtërore.

Bajrami është lumturia që ne ndiejmë me plotësimin e agjërimit të Ramazanit si dhe falenderimi ndaj Zotit për mirësitë që na ka begatuar.

Profeti Muhamed (a.s.) ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe duke qenë i bindur në shpërblimin e Zotit, atij i falen të gjitha gjynahet e kaluara.”

E lusim Zotin të na ketë falur të gjitha mëkatet, ashtu siç Ai na ka premtuar.

E lusim Zotin për të sëmurët, që t’u jap shëndet.

E lusim Zotin për rininë tonë, që ta udhëzojë atë.

E lusim Zotin për prindërit, të moshuarit e çdo njeri në nevojë, që t’ia largojë brengat dhe vuajtjet.

E lusim Zotin që vendi ynë, Shqipëria, të bëhet një vend më i mirë, më i begatë e më shpresëdhënës për shqiptarët.

E lusim Zotin që luftërat që po marrin jetë civilësh e fëmijësh në Gaza, Ukrainë e kudo, të marrin fund sa më parë.

Motra dhe vëllezër, ngrohtësia e Bajramit le të sjellë lumturi dhe të mbushë jetën tuaj me gëzim dhe hare.

Zoti i Madhëruar ju bekoftë sot, nesër dhe gjithmonë.

Paçi një Bajram të begatë!
Gëzuar!

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit