Home Kultura Nesër më 1 pr...

Nesër më 1 prill në kinema Millenium, Mevlan Shanaj vjen me dokumentarin, “Rikard, përcjellja e fundit” në 80-vjetorin e lindjes

140
0

Nga Albert Vataj: 

NESER ME 1 PRILL, NE KINEMA MILLENIUM
Mevlan Shanaj vjen me dokumentarin, “Rikard, përcjellja e fundit” në 80-vjetorin e lindjes së Ljarjas së madh të kinematografisë

Një trëndafil për të përcjellë përmes një filmi dokumentar, përjetësinë prej korifeu të njw artisti unik tw artit tonë skenik, të mëkimit të hirshëm të krijimit, të të hyjshmit cak ku ne ngremë altare dhe shkrehemi në lutje, të Rikard Ljarjas. Një lule për të hyrë në Parajsën e një Purgatori të blatuar në akte shenjtërie. Një përulësi për t’u bërë pjesë e një universi krijues që lartësoi njeriun në eterin e asaj gjendjeje që pavdekësohet në një çast.
Më 1 prill 2023, Rikard Ljarja mbush 80 vjeç. I përkori i artit tonë skenik vjen përmes një përjetësimi krijues, për të ripërcaktuar caqet e njerëzores që na përbashkojnë, për të mëkuar shpirtëroren si të vetmen lëndë të hyjshme që këtë vullnet e shndërron në një kulmim përjetues.

Një ditëlindje si kjo për Rikard Ljarjan, është një përmasë tjetër e dimensionit të pavdekësisë së atij që Mevlan Shanaj e konsideron i një fenomen shqiptar. Erdhi si shëmbëllim i njeriut të përkorë për të ikur si një humbje që la zbrazëti dhe mungim, anipse opurtunizmit të sotëm asgjë si është mangët. E tashmja është e ndarë më dysh, ata që delirojnë me veten dhe ata që shndërrojnë mirënjohjen në altare.
Mevlan Shanaj në këtë qasje për të komunikuar siç ai mëton thellësisht dhe fisnikërisht, ka mirësinë të ndajë me të gjithë se Rikardi erdhi me një portret të ëmbël dhe me një mirësi të dëlirë. Askush si ai nuk mund të komunikonte kaq çiltërsisht dhe kaq rrjedhshëm me vështrimin e tij. Përmes syve ai hyri te çdo ëndje dhe zotëroi çdo magjepsje.
Tek ai fitoi njeriu, po kaq fisnikërisht dhe denjësisht sa dhe aktori sharmant, interpreti brilant, regjisori i kurajës krijuese, skenaristi i detajit dhe shkrimtari i shpirtjes përshkuese. Ajo që e beri Rikardin kaq të gjithëpranuar ishte dëlirësia, ëmbëlsia dhe butësia, komponentë të njerëzores që ai mëtoi bujarisht. Edhe vetë rolet të cilët i besuan, janë në një farë mënyre vetë ajo çfarë ai ishte thellë, në fondament të trinisë; mendje, shpirt, besim.

Edhe nëse shumë njerëz nuk qenë fatlum që ta njihnin personalisht, siç e njohën kolegët, miqtë dhe bashkëpunëtorët, ai kurrsesi nuk mbeti i panjohur. Ishin filmat që ai luajti, rolet të cilëve ju dha me mish e me shpirt, tipave dhe karaktereve, që ai i krijoi me një vërtetësi dhe forcë përjetuese, aq sa të ishte vetë ai që ofrohej në rol si në jetë. Nuk ka film që ai të mos ketë treguar pjesë të themeltë të karakterit, personalitetit, talentit, zgjuarsisë, të njerëzishmes që ai mishëroi.

Dhe kjo ditëlindje e 80-të e Rikardit nuk është si të tjerat, është ditë kremte, është “ringjallje” në dimensionin njerëzorë dhe krijues, është ai që ka mundur të plazmoj në kujtesë dhe që do të skalitet në përjetësi.

Pikërisht kjo përmasë e së njerëzishmes dhe krijueses është shndërruar në ngulm dhe punë me përkushtim, me të cilën, Mevlan Shanaj, sjell “Rikard, përcjellja e fundit”, film dokumentar që rreket të shpalojë petale pas petaleje jetën dhe veprën e Ljarjes së artit tonë skenik, shkodranin fisnik, “atë që Shkodrën nuk e pat kurrë larg zemrës, Shkodrën e deshti me tanë forcën e shpirtit dhe e nderoj me artin e veprën e tij … që deshti dheun e Shkodrës për shtrojë e mblojë në amshim.”

Njeriu i përkorë dhe vetëmohuesi i devotshëm ne besim të veprës dhe vlerave, ishte në simbiozë me modelin e fisnikut shkodran, atij shpirtëzimi, të cilit ai i dha gjithëçfarë do ta mbajnë të gjallë.

Refuzoi ndere dhe dalje publike edhe pse i meritoi si pakkush dhe kishte ç’të thoshte përtej mureve të heshtjes ku modestia e “burgosi”, gjithëpoaq ai mbeti zëshmërisht i veçantë i patëdytë në të gjithë trajtesën.

Besonte vetëm te puna me pasion dhe përkushtim, dhe arriti të krijonte një galeri ku dominonte aktori, por nuk qëndronte më në periferi të vlerësimeve edhe si regjisor, skenarist dhe shkrimtar… piktura dhe muzika gjithashtu, ku ai derdhi shpirtin e tij. Se te jesh shkodran tana i ban!

Lindi, jetoi, krijoi dhe vdiq si shkodranë fisnik, dhe këtë përkatësia ai kurrë nuk e përdori si akses dhe pedanë për t’u hedhur tej, por si një barrë të rëndë përgjegjësie që e mbajti dhe e trashëgoi, ndoshta edhe privilegjuar nga sharmi dhe hiri i tij i ëndshëm.
Kinematografia shqiptare dhe arti skenik në përgjithësi gjeti te Rikard Ljarja mishërimin e gjithë atyre vlerave dhe cilësive, mbi idilin e të cilit ai ngriti karakteristikat dalluese unike dhe veprat konkurruese të filmit shqiptar. Pikërisht për këtë ka shkruar Natasha Lako, skenaristja e “Rikard, përcjellja e fundit”. E kësisojtë është edhe gjithëprania dhe gjithëshpirtja, me të cilën Mevlan Shanaj e “ringjall” në një javë pashkësh, të “shenjtin” e hirit të Shkodrës.

Edhe pse ideologjia detyruese e realizmit socialist, e cila futi nën zgjedhën e rregullave të ngurta edhe artin skenik, rrekej ta zhbënte vezullimin e këtij ylli fame, ai mbeti i panjollosur, diti dhe mundi të ishte i mirë me të gjithë edhe kur kjo mbetej armiqësore. Dora e tij e ndihmës nuk kurseu asnjë pasion dhe përkushtim, qoftë edhe duke rrezikuar, sepse ai besonte se secili kishte një shpirt për të blatuar në themelet e artit. Dhe ishte ai që tregoi se cilët ishin caqet e së mundshmes së një njeriu të mirë, të një artisti të madh dhe të një shpirti që u ofrua të gjitha blatimeve, si një ofertë e përkorë dhe një sakrificë medituese.

“Rikard, përcjellja e fundit” është një monument mirënjohje dhe kujtese, që e ngriti me kaq punë dhe përkushtim, pasion dhe devocion, Mevlan Shanaj nw kwtw ditëlindje tw 80-tw tw Ljarjes. Në këtë panteon, Rikard Ljarja do të ketë një vend të privilegjuar, jo përfitimi, por angazhimi dhe kontributi, atë çfarë ai ishte në një lartësi adhurimi, wshtw dhe do tw mbetet nw obelisk.

Në këtë film dokumentar Mevlan Shanaj spariherw shpërfaq Rikardin në dimensionin njerëzor, atë që hezituam ta pranonim, nguruam ta njihnim, në krejt dimensionin qenësishëm, sepse artisti para se të jetë një blatim arti është një shenjuri krijimi, është e shkuar dhe tashme, që mishëron e ngjiz atë që memoria jonë kolektive duhet ta lejojë si një njohje, si një realitet, si një rrjedhojë të asaj që përfaqëson tradita jonë e artit skenik.
Rolet që jetësoi Rikard Ljarja, personazhet që pavdekësoi me shpirtje amshimi, episodet dhe ngjarjet, mëkimet e sheshxhirimeve dhe kumtimet e energjisë shprehëse artistike, ishin një përvojë e gjatë sprovash të vështira dhe ngulmesh shpërblyese, në të cilat ai la gjurmë eteri, krejtkjo është një lëndë në përjetësoren e gjithmonshmërisë së një fisniku mes nesh, në dokumentarin, “Rikard, përcjellja e fundit”.
Aktori, erdhi përmes tij mishërim i gjallë i një vullneti ngjizës, i një ligjësie krijuese, të denjë për çdo akt sublim që ai i dha frymën e gjalljes. Ai do të mbamendet në kujtesën e çdonjërit më shumë se si Rikard Ljarja, si Dritan Shkaba në “Komisari i dritës”,-(1966); si Skënderi në filmin “Duel i heshtur”,- (1967); Perlati në “Ngadhnjim mbi vdekjen”- (1967); Naimi në “Plagë të vjetra”, – (1968); Komisari te “Kur zbardhi një ditë”- (1971); xhandari italian në “Yjet e netëve të gjata” – (1972); Fitimi, te filmi “Ndërgjegja”- (1972); Inxhinier Iliri te, “Shpërthimi”- (1974), fillrojtësi Deda te “Rrugë të bardha”-(1974); Gaqo Tipografi te “Rrugicat që kërkonin diell”- (1975).
“Rikard, përcjellja e fundit” ëshë pse vjen në 80-vjetorin e lindjes, Ljarja nuk është më, megjithatë filmat e linçuar transmetohen, duke lënë koka mënjanë, cingëritje nervash dhe zemërata të atyre që kërkojnë te filmi shpagën e plagëve të diktaturës, që përndoqi lirinë e tyre. Ai ishte dhe iku pa asnjë mëkat, askush nuk tregoi gishtin nga ai, edhe pse pothuaj e gjithë karriera e tij ishte e kohështrirë në periudhën e diktaturës dhe përbënte aliazhin e një propagande, mund ta çlirojmë nga kjo molepsje për ta trajtuar, ai mbetet një aktor, regjisor dhe skenarist që e ruajti të pacenuar integritetin e tij. Së paku në kujtesën e nostalgjisë, me të cilën ushqehemi ende, ai mbetet përsëri ai; I deleguari i qarkorit në filmin, “Në fillim të verës” – (1975); Tosti në “Ilegalët”- (1976); Luka në “Në pyjet me borë ka jetë”- (1978); komandanti të “Radiostacioni”- (1979), Andrea në filmin “Skëterrë ’43”- (1980), Xha Teli te “Pranverë e hidhur”- (1985); Andrea te “Në prag të jetës”- (1985), Mjeku te “Rrethi i kujtesës”- (1987), Vasili në “Pesha e kohës”- (1988); Shoku Emir te “Fletë të bardha”- (1990), e shumë e shumë emra të roleve të tij në teatër që i bashkëngjiti vetes, deri te Gjoni në “Shën Gjon Kryepremi” të Stefan Çapalikut. Ai u dha këtyre pesonazheve, shumica e të cilëve pozitivë, pjesën e tij më të mirë, atë dlirësi dhe dritje, zërin e tij prej kumti, shprehinë e ëmbëltuar në një shpirt ambrozi, virtuozitetin mëtues, të cilat i nguliti thellë brenda nesh, duke e kthyer emrin e tij në sinonim të emrit të roleve, tek të cilat ai u mishërua artistikisht.
Gjithë këtë kolanë rolesh, personazhesh dhe karakteresh, Rikard Ljarja e mishëroi në mirësinë dhe dëlirësinë që e karakterizoi, në çiltërsinë dhe zhdërvjelltësinë, sinqeritetin dhe përkorjen, që mbeten deri në fund lënda përbërëse e shtatores së tij prej vlerash.
Rikard Ljarja në udhën e përjetësisë shkoi kaluar rrezeve që ngjizi, atij vërshimi drite që i ngre lart ato prehje që gjetën përshpirtje në çdo zë e zemër. Shkoi duke lënë pas edhe pak, fare pak, emra dhe veprimtarë që bashkërrugëtuan shtigjeve të zorshme të ngjizjes së shpirtit në ato vlera që mbeten të vërteta edhe pse të përgojuara nga zelltarët e gjuhëve të helmatisura që ngjyu shpirti i bjerrur prej së keqes. Kujtesa do ti përkundë këto emra dhe personazhe, kandje në ëndjen për t’i rigjetur brenda nostalgjive, tek të cilat takohemi jo vetëm me ta por edhe me kohën që la gjurmë në ne përmes grishjes së artit të tyre.
Por rivjen sot në “Rikard, përcjellja e fundit” më i gjallë se çdo gjallje që zëfill në të sotmen e çudirave dhe çmendurive. Vjen më vështrimin e tij të muruar në kujtesë, për të mëtuar se vlerat e së njerëzishmes meritojnë përjetësi. Dhe Mevlan Shanaj me këtë dokumentar të radhës tregon se vlerat janë ato që mbeten, e njerëzishmja është ajo që meriton përjetësinë. Në seknë dhe në jetë, në mes shënimesh e mëndimesh, zemërthyerjesh e dhembjesh shpirtërore, Rikardi ishte aty dhe nuk lejoi të largohej, por të mbetet i gjallë dhë të vijë në 80-vjetorin e lindjes siç ishte kur zgjodhi të ikte më 20 prill 2020.
Më 1 prill në kinema Millenium “Rikard, përcjellja e fundit”, filmi dokumentar që e risjell Ljarjen ashtu siç ishte, thelbësisht i njerëzishëm, përplotësisht si një korife i artit tonë skenik. Mund të vini edhe ju në këtë kremte, me një trëndafil, homazh dhe mirënjohje për atq që ishte njerëzor para se të aktronte, ishte si çdonjëri prej nesh përpara se të vishte petkat e një shpirtjeje që e përjetësuan. Ai është në “Rikard, përcjellja e fundit” një tashmëri që duam të jetë një portë që çelet dhe ne të tajkohemi me atë që edhe pse nuk e njohëm, e deshëm sepse na deshi, e adhuruam sepse bëri gjithçka që rrëmbeu shpirtin dhe qënien tonë.
Albert Vataj

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit