Nga Tokyo ku ndodhet në një vizitë zyrtare, kryeministri shqiptar Edi Rama ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktores së shquar shqiptare, Mimika Luca. Mesazhin e ngushëllimit e ka publikuar në Facebook, ku e ka shoqëruar me një foto të Mimikës në krah të të shoqit, Ndrekë Lucës.
“Lamtumirë e dashur Mimika, tanimë je përqafuar me Ndrekën dhe kjo do ta bëjë Gjergjin më të fortë shpresoj”, shkruan Rama.
Luca u lind në Gjirokastër më 24 dhjetor të vitit 1937. Luca interpretoi në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, si balerinë, nga 1951-1962.
Më 1962 pranohet aktore në Teatrin Popullor, ku ka interpretuar rreth 30 role në 15 vjet, si: Suzana, Luçia, Tjen Ny te “Muri i madh”, Dila te drama Cuca e maleve, Sonja, Nica te filmi Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Laja te Kur hidheshin themelet, etj.