Home Aktualitet Refugjatët në...

Refugjatët në Gjadër, Gjykata Kushtetuese rrëzon Ramën. Pezullohet ratifikimi në Kuvend

997
0

Gjykata Kushtetuese rrëzon Edi Ramën, pasi bën me dije se ka marrë në shqyrtim padinë e bërë nga deputetët e opozitës kundër marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët. Në këtë mënyrë, pezullohet automatikisht procedura e ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes me Italinë.

Seanca për shqyrtimin e padisë së opozitës do të mbahet në 18 janar, në orën 10:00. 30 deputetë të Bardhit dhe Berishës dorëzuan në gjykatën Kushtetuese padinë kundër marrëveshjes me Italinë për emigrantët, duke e cilësuar si anti-kushtetuese.

Pak orë para se Gjykata Kushtetuese të dilte me njoftimin ku sqaron se ka marrë në shqyrtim padinë e bërë nga deputetët kundër marrëveshjes me Italinë, Gazment Bardhi akuzoi institucionin nëpërmjet një deklarate ku shprehej se vonesa për të marrë në shqyrtim kërkesën është e koordinuar me Ramën.

“Në datën 06 dhjetor 2023, 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, kanë paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për kontrollin e kushtetutshmërisë së Protokollit të nënshkruar midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Italiane, “Për forcimin e bashkëpunimit ne fushën e migracionit”. Kjo kërkesë është paraqitur para ratifikimit të këtij Protokolli, bazuar në nenin 131, pika 1, shkronja “b”, të Kushtetutës. Grupi i deputetëve ka ngritur pretendime se nuk është respektuar procedura e negocimit dhe e nënshkrimit, pasi Protokolli i bashkëpunimit bën pjesë në ato kategori marrëveshjesh që kërkojnë autorizimin e Presidentit, pasi prek çështje të territorit dhe të të drejtave themelore, sipas nenit 121, pika 1, shkronjat “a” dhe “b”, të Kushtetutës. Po ashtu, ata kanë paraqitur edhe tre kërkesa të njëjta për pezullimin e procedurave parlamentare për ratifikimin, mbi shkakun se shqyrtimi dhe votimi i Protokollit është planifikuar nga Kuvendi për seancën plenare të datës 14 dhjetor 2023. Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në datën 11 dhjetor 2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen, vendosi ta kalojë atë për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve. Mbledhja e Gjyqtarëve, e mbledhur sot, në datë 13 dhetor 2023, vlerësoi se kërkesa plotëson kriteret paraprake të pranueshmërisë dhe vendosi kalimin e çështjes per shqyrtim në seancë plenare, mbi bazë dokumentesh. Bazuar në nenin 52, pika 3, te ligjit nr. 8577/2000, shqyrtimi në seancë i çështjes pezullon automatikisht procedurat e ratifikimit në Kuvend të Protokollit të bashkëpunimit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Duke mbajtur parasysh parashikimin e së njëjtës dispozitë ligjore (neni 52, pika 3), që kërkon përfundimin e shqyrtimit të çështjes brenda 3 muajve nga paraqitja e kërkesës, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi që seanca të zhvillohet në datën 18 janar 2024, ora 10:00″, tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.

Më 6 nëntor kryeministri Edi Rama dhe homologia italiane, Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes për emigrantët porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj. Më 21 nëntor, Dhoma e Përfaqësuesve në Parlamentin Italian miratoi me 189 vota pro dhe 126 kundër rezolutën e mazhorancës italiane, pavarësisht kritikave të opozitës.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit