Kupa e Botës mbetet në atdheun e futbollit, triumfon Anglia (1966)
Nga Skifter Këllici, Boston
Ç’ishte Anglia deri më 1966 në arenën e futbollit? Vetëm atdheu ku kishte lindur kjo lojë magjike, që kishte pushtuar edhe fiset që jetonin deri atëherë ende në kushtet e bashkësisë primitive, siç dëshmonte shumë vite më parë një grup studentësh brazilianë. Kur kishin shkuar në thellësi të viseve tropikale të Brazilit, për t’u njohur më shumë me kushtet e jetës së tyre dhe për t’u miqësuar me ta, kishin dashur t’u mësonin futbollin. Dhe befas, në një ndeshje ishin shpartalluar nga ata, as më shumë e as më pak, por… 16-0. Nuk kishin haber nga shumë gjëra të botës së qytetëruar, por ama futbollin e njihnin…
Anglia deri atë vit nuk kishte në muzetë e saj as edhe një trofe, jo më në botërorët e futbollit, ku kishte denjuar të merrte pjesë vetëm më 1950 në edicionin brazilian, për t’u përulur nga diletantët amerikano-veriorë 1-0, por as në kampionatet evropiane, as në kupat e Evropës… askund! Por në të gjitha librat që i kushtohen historisë së futbollit, si dhe enciklopeditë e tërë botës, shkruhet se më 26 tetor të vitit 1863, në një nga lokalet e Londrës të quajtur “Freemasons Tavern” (Taverna e muratorëve të lirë), përfaqësuesit e 11 klubeve angleze diskutuan dhe përcaktuan përfundimisht rregulloren e parë të futbollit, e cila ndante futbollin nga regbia, lojë ku, siç dihet, topi luhet me këmbë dhe duar.
Mirëpo Botërori i 8-të zhvillohej pikërisht në Angli. Dhe më tepër se kurrë ishte rasti që atdheu i futbollit ta zotëronte Kupën e Botës! Arenat e ndeshjeve të këtij botërori u bënë stadiumet e Londrës, Birminghemit, Shefildit, Liverpulit, Mançesterit, Midëlsbroos dhe Sanderlendit.
Fillimi ishte i vështirë, madje jo premtues për anglezët. Një barazim i varfër 0-0 me Uruguain, i cili pak të kujton skuadrën dy herë kampione të botës. Madje, i inatosur ngaqë nuk mund të shënonin, anglezi Stajllz godet me grusht një futbollist uruguajan. Gjyqtari hungarez, Zholt, e zgjidh këtë situatë me një “top të disputueshëm”, kur sot Stajllzi do të fluturonte jashtë me karton të kuq.
Por në takimin e dytë “valvolën” e golave për anglezët e hapi Bobi Çarltoni, pikërisht ai që pati shpëtuar në katastrofën e Mynihut, ku më 1958 mbetën të vdekur tërë lojtarët e “Mançester Junajtidit”, shumica e të cilëve pjesëtarë të kombëtares. Gol të cilit Hanti iu përgjigj me një gol tjetër që u dha fitoren 2-0 të zotëve të botërorit. Si t’i shtohej oreksi, Hanti shënoi dy gola në portën e Francës, kundërshtare tradicionale e anglezëve, dhe kështu anglezët u ndodhën në çerekfinale.
Por në grupet e tjera do të ndodhnin të papritura tronditëse. Duket se pas fitores me Bullgarinë 2-0, me gola të Pelesë dhe Garinçës, Brazili nuk do ta kishte fushën të shtruar me lule. Vjen kështu takimi i dytë me Hungarinë. Që nga viti 1954 Hungaria ishte kalamendur përjetësisht si një fëmijë që mbetet në zhgënjim, por jo në këtë Botëror. Mos po ndodhte rilindja e Hungarisë së viteve ’50-të, të Pushkashit me shokë? Takimi me Brazilin e vërtetoi këtë.
Tashmë të shihje ndeshje në televizorët e miqve ishte më lehtë, sepse edhe numri i tyre po rritej. Kur të nesërmen e ndeshjes takova Anton Mazrekun, pashë që ai ishte shumë entuziast. “Nuk di nëse kjo Hungari do të luajë kështu të ardhmen”, – më tha ai. Këtë përshtypje krijova edhe kur lexova shtypin sovjetik. Kjo ndeshje u cilësua si një ndër më të bukurat që ishin zhvilluar deri atëherë në botërorët e futbollit. Golave të Benes, Farkashit dhe Mesolit, brazilianët iu përgjigjën vetëm me një gol të vogël të Tostaos. “Ne luajtëm keq, hungarezët – shkëlqyeshëm”, qenë fjalët e trajnerit Feola që kishte ardhur sërish në krye të skuadrës braziliane.
Erdhi dhe takimi i dytë i brazilianëve me Portugalinë. Edhe këtë ndeshje e kam parë në TV. Kam parë Portugalinë e Euzebios, këtij futbollisti të quajtur “perla e zezë”, me origjinë nga Mozambiku. Mos ndoshta ndeshje midis miqsh, po të marrim parasysh se të dy palët flasin të njëjtën gjuhë, portugalisht? Aspak! Nga garda e vjetër Feola mbajti vetëm Orlandon. Peleja, i vënë në shenjëstër nga mbrojtësit kundërshtarë (ashtu si Maradona më 1982 nga mbrojtësit italianë), u dëmtua dhe u largua. Edhe sot më kujtohen sytë gati të përlotur të Peles që po linte fushën e lojës dhe këtë botëror. Sidoqoftë, fitorja e Portugalisë (3-1), siç dëshmoi pas ndeshjes Feola, ishte e ligjshme.
Kur shihja këtë ndeshje, kujtova shprehjet e goditura të Martelinit, si kjo e mësipërmja, gjithnjë në bisedën e gjatë në Radio “Dimensione Suono”, në Romë, më 1994, shprehje që ishte përdorur për këtë skuadër, fituese e botërorit kilian më 1962, ku shkëlqimi i saj po venitej.
“Në fakt nuk ishte ndonjë profeci, po të marrim parasysh se Brazili nuk ndryshoi mendësitë duke pandehur se skuadrat evropiane do të mbeteshin në hije”, – më shpjegoi ai.

Por po kaq keq do t’i ndodhte Italisë, sidoqë ndeshja kundër B. Sovjetik premtonte shumë pas fitores kundër Kilit 2-0, që ishte hakmarrje pas humbjes në botërorin e katër vjetëve të shkuara, në atë ndeshje që, siç e kam përshkruar në shkrimin kushtuar botërorit ’62 në Kili, edhe sot mbetet më skandalozja në historinë e botërorëve. Mirëpo kjo ndeshje ishte paralajmërim se në qiellin italian po grumbulloheshin të zeza që do të shpërthenin në stuhinë. Italia humbi 1-0 pas një gjuajtjeje të saktë të Çislenkos.
Sidoqoftë, nuk ishte hataja, se në fund të fundit nga koreanët diletantë axurrëve nuk do t’u vinte ndonjë rrezik, ndonëse kishin barazuar me Kilin 1-1, por kishin “gëlltitur” plot tre gola nga rusët, aq më tepër që për t’u gjendur në fazën finale, atyre u mjaftonte edhe barazimi. Por ndodhi çudia. Në minutat e fundit të pjesës së parë, Pak Du Iku shënoi një gol “antologjie”. U duk i rastit, por, sado që u përpoqën axurrët, sado që u rrekën Macola, Rivera me shokë, rezultati mbeti po ai. Pas Brazilit u varros kështu edhe një skuadër tjetër, dy herë kampione e botës.
“Sapo skuadra u kthye në Itali, – më shpjegoi Martelini, – shpërtheu skandali. Madje edhe në parlament. Kurse RAI gjeti rast të shfaqte skeçe, ku vinte në lojë skuadrën që pësoi humbjen më të turpshme në historinë e futbollit italian”.
“Mbaj mend, – kujton Riva, atëherë 22-vjeçar, lojtar rezervë, por që pas katër vjetësh në botërorin Meksikë ’66 do të bëhej nga më të mirët në botë, – se kur ndonjë nga tanët merrte topin, menjëherë i suleshin 4 a 5 koreanë shtatshkurtër. Ne ishim krejtësisht të hutuar, të çoroditur… Kurse shikuesit anglezë në stadium ishin të pamëshirshëm me ngërdheshjet e tyre cinike ndaj nesh. Nuk mjaftoi kjo, por kur pas ndeshjes po futeshim në tunel, hëngra në kokë një flamurkë. Ktheva sytë dhe në shkallët pashë një emigrant italian që më vështronte me kërcënim, kur unë nuk kisha luajtur as edhe një minutë në këtë ndeshje”.
Dhe të mendosh se Koreja e Veriut ishte kualifikuar rastësisht, pasi të gjitha federatat e vendeve aziatike dhe Zelandës së Re, për shkak të diskriminimit racial në Afrikën e Jugut, ishin tërhequr nga turneu eliminator i këtij botërori. Si pasojë, përfaqësuesja e Koresë komuniste ishte ndeshur me Australinë, atëherë pa emër në futboll, madje në një vend asnjanës… në Phnom Penh të Kamboxhias, ku futbolli ishte një çudi!
Më kujtohet se gjatë një gare ciklistike, që jepej në TV RAI, një tifoz kishte ngritur një pankartë në të cilën shkruhej: “Forca Taconi (çiklist), se nuk është Fabbri që të drejton”. I gjori Fabbri, trajneri i axurrëve, që ato ditë nuk dinte se ku të futej!..
Por me këtë situatë, më shumë se kushdo tjetër fërkonte duart trajneri anglez Remsi. Në rrugën drejt titullit kishte dy kundërshtarë më pak, Brazilin dhe Italinë. Sidoqoftë, rivalë të rrezikshëm për anglezët mbeteshin skuadra të tjera latino-amerikane, kryesisht Argjentina, që ende nuk kishte arritur në finale që më 1930, kur kishte humbur me Uruguain në Montevideo.
Edhe ndeshjet çerekfinale sollën të papritura. Skuadra verikoreane dëshmoi se jo më kot kishte fituar kundër Italisë. “Unë që po ndiqja këtë ndeshje nga stadiumi, nuk u besoja syve kur shihja se verikoreanët udhëhiqnin 3-0 pas minutës së 22-të të pjesës së parë, – më rrëfente Martelini. – Për mendimin tim, të mos ishte Euzebio, skuadra portugeze do të fundosej dhe kjo do të ishte një ndër të papriturat më të habitshme në historinë e futbollit botëror.”
Por Euzebio shënoi në minutën e 27-të. Tri minuta para mbarimit të kësaj pjese, po ai me 11-metërsh shkurtoi edhe më shumë largësinë. Vetëm atëherë portugezët e ndien se po ktheheshin në jetë. Në minutën e 58-të Euzebio barazoi. Portugezët morën frymë lirisht. Por kjo aventurë nuk kishte të mbaruar. Përsëri Euzebio shënoi golin e katërt. Portugezët sa nuk fluturonin. Dhe ishin në eufori kur Augusto “saldoi” fitoren e skuadrës së tij 5-3. E pabesueshme, por e vërtetë!.. Katër gola radhazi! E paparë në botërorët e futbollit!
“Ec e mos thuaj se në sport historinë nuk e bëjnë udhëheqësit, – mendoja. – Ç’do të bënte Portugalia po të mos kishte luajtur Euzebio?”
“Verikoreanëve u mungoi përvoja, sepse me pak kujdes do të kishin mundur të ruanin fitoren, – shpjeguan specialistët”. Por kjo nuk ia ul meritat Portugalisë së Euzebios.
Çerekfinalet qenë të ashpra dhe jo pa polemika. Sidomos takimet Angli–Argjentinë dhe RF Gjermane–Uruguai. Skuadrat latino-amerikane u ankuan se FIFA kishte caktuar gjyqtarin gjerman, Kretlein, për të gjykuar ndeshjen Angli–Argjentinë dhe anglezin Fini për ndeshjen RF Gjermane–Uruguai.
Ndeshjen Argjentinë–Angli e mbaj mend shumë mirë. Atë e gjykoi gjermano-perëndimori Kretlein. Pati ndërprerje për lojë të rëndë dhe dëbim nga fusha të argjentinasit Ratín. Siç u dëshmua më pas, Ratini e kishte sharë “vendçe” Kretleinin, i cili paskësh ditur aq llafe të nevojshme në spanjisht, gjuhë që flitet në Argjentinë dhe vende të tjera latino-amerikane, sa për ta degdisur atë nga fusha e lojës. Kështu, në takimin tjetër RF Gjermane–Uruguai, gjyqtari anglez Fini dëboi futbollistët uruguajanë Troçe dhe Silva.
Vëzhguesit sportivë arritën në përfundimin se në ndeshje të këtij niveli nuk duhej të gjykonin gjyqtarë të vendeve pjesëtare në çerekfinale.
Në gjysmëfinale Anglia nuk u la shteg portugezëve të bënin çudira. Më kujtohet se pas një aksioni të shpejtë Bobi Çarltoni shënoi nga larg në portën e boshatisur. Pastaj ishte përsëri po ky mesfushor, edhe sot i rrallë në historinë e futbollit, që shënoi golin e dytë. Goli i Euzebios me 11-metërsh qe një gol ngushëllimi, por që i siguroi “perlës së zezë” vendin e parë si golshënuesi më i mirë me 9 të shtëna të sakta.
“Kjo ishte ndeshja më e mirë e skuadrës sime, – tha Remsi. – Portugezët demonstruan një futboll të lartë. Por kupa nuk mund të ndahet përgjysmë. Të dyja skuadrat ishin të denja për të dalë në finale”.
Ndërkohë, në takimin RF Gjermane–B. Sovjetik (2-1), ra në sy 20-vjeçari Bekenbauer, i cili që aty u bë nga futbollistët më të mirë të botës. Sovjetikët u ngushëlluan, sepse, vërtet u mundën nga Portugalia, por zunë vendin e katërt dhe Jashini, si më 1958, ishte përsëri ndër portierët më të mirë të botës.

Kështu finalja u luajt midis zotëve të fushës dhe gjermano-perëndimorëve, një finale që edhe sot bart diskutime për golin e tretë të anglezëve, i cili ndikoi në ecurinë e minutave të fundit. Kur po mbaronte e gjithë ndeshja, Veberi barazoi 2-2.
Në shtesë gjuan Hërsti, topi përplaset në tra, bie në tokë. Por brenda apo jashtë saj? Gjyqtari zviceran Dinst i drejtohet anësorit sovjetik, Bahramov, që shqipton “GOL”. Por nuk binden gjermanët. Dhe si për të dëshmuar të kundërtën, Hërsti shënon golin e katërt, i treti për të në këtë ndeshje, 4-2.
Edhe sot diskutohet për këtë gol “fantazmë”. Ka edhe shpjegime anekdotike. Në një artikull të shkruar nga një gazetar italian thuhet se sovjetiku Bahramov, me dy konserva haviari, ia prishi mendjen njërit prej anëtarëve të komisionit për caktimin e gjyqtarëve, që ishte nga Mali (Afrikë), që të ishte gjyqtar anësor. Dhe arsyeja ishte se ai donte të hakmerrej ndaj gjermano-perëndimorëve që kishin mënjanuar skuadrën sovjetike. Dhe e gjeti rastin. Meqë topi u largua nga një mbrojtës gjerman, Dinsti fillimisht dha korner. Por Bahramovi ngriti flamurin për gol. Atëherë Dinsti shkoi te Bahramovi që të merrej vesh me të. Mirëpo ky i fundit nuk dinte as gjermanisht dhe anglisht si Dinsti, i cili, nga ana tjetër, nuk dinte rusisht. U morën vesh kështu me shenja. Si memecët…
Sidoqoftë, Anglia fitoi botërorin ’66. Dhe solli edhe një të re: evoluimin e sistemit 4-2-4, të nisur nga brazilianët, të cilin e shndërruan përfundimisht në 4-3-3. Për meritë edhe të trajnerit të saj, Alf Remsi, i cili, pasi qysh nga viti 1956 drejtoi skuadrën modeste “Ipswich”, që ndodhej në kategorinë e tretë, e kaloi në kategorinë e dytë, pastaj në të parën, për t’u bërë trajner i kombëtares angleze më 1963.
Rezultatet e fazës finale
Angli – Argjentinë 1-0
RF Gjermane – Uruguai 4-0
Portugali – RDP e Koresë 5-3
Gjysmëfinale
RF Gjermane – B. Sovjetik 2-1
Angli – Portugali 2-1
Finale për vendin e tretë
Portugali – B. Sovjetik 2-1
Finalja
Angli – RF Gjermane 4-2, me shtesë loje
Anglia
Benks, Koen, Xh. Çarlton, Mur, Uillson, Staillz, B. Çarlton, Pitërs, Boll, Hant, Hërst
RF Gjermane
Tilkovski, Hëtges, Shulc, Veber, Shnelinger, Overath, Zeeler, Bekenbauer, Hale, Emerih
Gjyqtar: Dinst (Zvicër)
Golshënuesi më i mirë – Euzebio (Portugali), 9 gola
Nga galeria e yjeve:
Bobi Çarlton (Angli), Euzebio (Portugali), Zeeler (Gjermani), Jashin (B. Sovjetik), B. Mur (Angli), Bekenbauer (RF Gjermane), Hërst (Angli)
Statistika
Ndeshje: 32
Gola: 89 (3.78 për ndeshje)
Shikues: 1.608.723 (50.273 mesatarisht)

KOHA JONË SONDAZH

