Shpërthimi brazilian, Suedi (1958)
Nga Skifter Këlliçi
Në prag të këtij botërori që zhvillohej në Suedia nga data 1-23 qershor të vitit 1958, thuajse në tërë rruzullin tokësor jehonin tingujt e këngës “Volare” (“Fluturo”), të këngëtarit dhe kompozitorit të madh italian, Domenico Modugno, që triumfonte në Festivali i Sanremos dhe do të quhej në Amerikë mister “Volare”, si të ishte ogur i mirë për uljen e tensionit ndërkombëtar, të nisur me garën e çarmatimit që shpalli Nikita Hrushovi në Kongresin e 20-të të PK të Bashkimit Sovjetik më 1956, ndonëse ishte po ai dhe pasuesit e tij, të cilët dhanë urdhër që tanket e tyre në nëntor të atij viti të mbytnin në gjak revolucionin antikomunist që shpërtheu në Budapesti.
Megjithatë, këtë atmosferë dritë-hijesh që sillnin ngjarjet e mësipërme, e mugëtoi eliminimi i Italisë që në ndeshjet kualifikuese të këtij botërori nga Irlanda e Veriut dhe katastrofa ajrore e Fatkeqësia ajrore e Mynihut (shkurt 1958), ku gjetën vdekjen thuajse tërë futbollistët e skuadrës angleze Manchester United, që po kthehej nga Beogradi, ku kishte zhvilluar një ndeshje për çerekfinalet e Kupës së Kampionëve me Partizani të këtij qyteti. Arriti të shpëtonte çuditërisht futbollisti 19-vjeçar, Bobby Charlton, që më pas, siç do të shohim në këtë rrugëtim të gjatë dhe të këndshëm, do të bëhej një nga futbollistët më të mirë të disa botërorëve të ardhshëm.
Trishtimi i komentatorit të madh italian, Nando Martellini, në bisedën që vazhdoja të bëja me të në Romë, lidhej pikërisht me këto dy ngjarje dhe sidomos me mënjanimin skandaloz të skuadrës “azzurra”. Ishte 5 dhjetori i vitit 1957 dhe ajo do të zhvillonte ndeshjen e fundit mënjanuese me Irlandën e Veriut në Belfast. I duhej vetëm një pikë.
E fitoi, sepse takimi u mbyll në barazim. Dhe ky barazim mjaftonte për të kaluar në fazën finale. Por ç’mëkat!… Kjo ndeshje nga zyrtare u shndërrua në… miqësore. Arsyeja ishte banale: gjyqtari hungarez, Solt, nuk arriti të fluturonte nga Londra në Belfast për shkak të mjegullës së dendur. Kështu ndeshja e gjykuar nga një gjyqtar vendas, Miçell, përfundoi paqësisht 2-2, për t’u përsëritur këtë radhë zyrtarisht më 15 janar të vitit 1958.

“I kam ndjekur me radio të dyja ndeshjet,” – i thashë Martellinit – “të komentuara nga Niccolò Carosio.”
Mbeti i habitur për përmendjen e kësaj ngjarjeje kaq të largët, që kujtohej pas 46 vjetësh, në një nga ditët e para të shkurtit të vitit 1994.
“Mbaj mend që pas golit të dytë, i cili u dha fitoren veriirlandezëve dhe bashkë me të edhe pasaportën për në botërorin suedez,” – vazhdova – “Niccolò Carosio mbeti për një kohë të gjatë pa shqiptuar as edhe një fjalë…”
“Ishte me të vërtetë një goditje e madhe për futbollin italian,” – shpjegoi pastaj Martellini. – “Atë mbrëmje e tërë Italia ishte në zi. Dështim më 1950 në Brazil, dështim më 1954 në Zvicër, por të paktën në fazën finale. Kurse tani nuk futnim këmbët as në këtë prag, për ta ndjekur botërorin në radio dhe televizion. E vërteta është se Italia humbi edhe për gabime të trajnerit Foni, që renditi në fushë tre sulmues dhe disa gjysmëmbrojtës me prirje sulmuese – Gixha, Skiafino, Pivateli, Monti, Da Kosta – duke i dhënë përparësi sulmit, kur mjaftonte që Italia, me një variant mbrojtës, ta mbyllte takimin në barazim. Veç të tjerash, kolegët e mi gazetarë, italianë dhe të huaj, kritikuan me të drejtë skuadrën “azzurra”, ku bënin pjesë të ashtuquajturit oriundë, pra me origjinë… italiane, si Gixha, Skiafino, Montuori, Da Kosta, sidomos dy të parët që kishin luajtur në radhët e Uruguait, kampion botëror i vitit 1950.”
E veçanta e këtij botërori… triumfi i sistemit 4-2-4
Më 1958 unë isha 20 vjeç dhe ndiqja ngjarjet sportive botërore jo vetëm nga Radio RAI, Radio Beogradi ose Radio Zagrebi, ku komentonin përkatësisht Radevoje Markoviçi dhe Mladen Deliçi, komentatorë me të vërtetë të zotë, ndonëse pak kuptoja serbo-kroatisht dhe nga rusishtja, por lexoja vazhdimisht gazetën “Sovjetskij Sport” dhe revistën “Sportivnye Igrëj” (“Lojërat sportive”), që më hapnin shumë horizontin tim sportiv.
Kështu, para fillimit të këtij botërori, shkrova disa artikuj në gazetën “Zëri i Rinisë”, kushtuar këtij botërori, që ngjallën jehonë te lexuesit. Dhe arsyeja ishte sepse për herë të parë një gazetë shqiptare nuk jepte thjesht njoftime të marra nga TASS-i, që ishte Agjencia Telegrafike e Bashkimit Sovjetik, ose botonte përkthime nga shtypi sovjetik, sidomos nga “Sovjetskij Sport”, por dilte me një autor shqiptar. I jam mirënjohës shefit të redaksisë së kulturës, Luan Dibra, dhe kryeredaktorit të “Zërit të Rinisë”, Dhimitër Verli, që më dhanë zemër të shkruaja artikuj të tillë, nga të cilët veçoj shkrimin e gjatë në dy numra, kushtuar këtij botërori dhe triumfit të skuadrës braziliane, që zbulonte para botës fenomenin 17-vjeçar, Pelé, botuar në ditët e para të korrikut të vitit 1958.
Ishte vërtet i Pelés dhe i Brazilit ky botëror, që aq shumë ishte admiruar më 1950 në Rio de Zhaneiro, kur humbi çuditërisht në finale me Uruguain, ashtu siç kishte humbur po kaq çuditërisht edhe Hungaria më Bernë në Gjermaninë Perëndimore. Ishte gjithashtu botërori i trajnerit të saj, Visente Feola, i cili, duke e armatosur skuadrën e tij me rreshtimin taktik 4-2-4, varrosi përfundimisht sistemin WM (3-2-2-3), duke i dhënë botës këtë sistem të ri.
Në ditët e qershorit të vitit 1958, kur suedezët përjetonin hijeshinë e rrallë të netëve të bardha (kujtoni tregimin e Dostojevskit me të njëjtin titull), brazilianët sollën flladitjen e pyjeve tropikale të viseve të tyre, të hijeshuar me ngjyrimet ekzotike të sambas, këtij kërcimi tradicional, të luajtur me kaq temperament në fushë, sa dukej sikur shoqërohej edhe me aromën aq të parapëlqyer që sillte “Café du Brasil”.

Por një të papritur të këndshme solli në këtë botëror edhe skuadra e Bashkimit Sovjetik, futbollin e së cilës kisha filluar ta ndiqja me shumë vëmendje, siç thashë, falë leximit të shtypit të këtij vendi me sport shumë të zhvilluar. Rusët, të mbyllur në bedenat e tyre të vetizolimit që predikonte Stalini, ashtu siç do të vepronte më pas edhe nxënësi i tij fanatik, Enver Hoxha, vepruan ngadalë, por me pjekuri para se të shfaqeshin në arenën e futbollit botëror.
Në nëntor të vitit 1951 sollën në Tiranë ekipin “Spartak”, një përzgjedhje e kombëtares, që e mbylli takimin me përfaqësuesen e Tiranës në barazim 1-1. “Vërtet ekipet hungareze që luajtën në vitin 1948 në Tiranë ishin të kalibrit të lartë ndërkombëtar, pa përmendur përfaqësuesen e tyre që na mundi 12-0 në Budapest me Pushkashin, Ciborin, Koçishin… por edhe ekipi i ‘Spartakut’ të Moskës ishte i rrallë,” – më thoshte Anton Mazreku gjatë bisedave që patëm zhvilluar për kampionatet botërore pas vitit 1960. Madje, për këtë turne të “Spartakut”, ai pati shkruar një artikull shumë tërheqës në “Sporti Popullor”.
Si edhe tani më kujtohen futbollistët e njohur, jo vetëm të “Spartakut” të Moskës, por edhe të skuadrës tjetër ushtarake CSKA: portieri Nikanorov, lojtarët Sokolov, Bazhashkin, Dementjev, Paramanov, Tatushin, Isajev, Simonian, Ilin dhe, veçanërisht, gjysmësulmuesi Neto, i cili u shqua në botërorin suedez që po përshkruajmë, si dhe në botërorin kilian të vitit 1962. Në këtë përfaqësuese mungonin vetëm portieri legjendar Jashin dhe sulmuesi i njohur Bobrov. Ndaj edhe barazimi më 7 nëntor të atij viti i përfaqësueses së Tiranës, pa Loro Boriçin e dëmtuar, ishte sukses i futbollit tonë.
Pastaj sovjetikët matën pulsin e futbollit botëror më 1952, kur morën pjesë në Olimpiadën e Helsinkit, ku arritën deri në gjysmëfinale. Por aty u thyen nga jugosllavët e Titos. (Sa shumë u qortuan dhe madje u dënuan të ngratët futbollistë për këtë humbje të quajtur politike, siç kujtonte më pas Kostandin Beskovi, ish-futbollist i olimpikes sovjetike dhe më vonë trajner i shquar, në kujtimet e botuara vite më pas.)
Rusët nuk morën pjesë në botërorin e vitit 1954, por më 1956 fituan medaljet e arta në turneun e futbollit të Olimpiadës së Melburnit dhe më 1958 në Suedi zbritën me ambicie të mëdha. Për kureshtje, kishin në gjirin e tyre edhe futbollistët që përmenda më sipër. Por grupi ku bënin pjesë ishte “grupi i ferrit dantesk”, sepse u vunë përballë Austrisë, e katërta në botërorin zviceran më 1954, së bashku me Anglinë dhe Brazilin. U cilësuan nga shtypi botëror debutantë, por barazuan 2-2 me anglezët, natyrisht të drobitur dhe të pikëlluar pas katastrofës ajrore të Mynihut, dhe ndonëse u rezistuan brazilianëve falë edhe pritjeve të portierit të tyre të mahnitshëm Jashin, mposhtën austriakët 2-1.
Kur rezultati ishte i barabartë 1-1, Jashini priti 11-metërshin e gjuajtur nga qendërsulmuesi i njohur austriak Bucek dhe, pas pak minutash, rezultati u shndërrua 2-1 për ata. Meqë kishin pikë të barabarta me Anglinë, sipas rregullores së atëhershme, u rindeshën me Anglinë, fituan 1-0 me gol të Ilinit dhe kaluan në fazën çerekfinale, ku u ndodhën përballë suedezëve, pritës të këtij botërori.
“Këtë ndeshje, – i thashë gjatë bisedës Martelinit, – e kam ndjekur nga Radio Moska, të komentuar nga komentatori i madh sovjetik Nikollai Ozerov, sepse RAI nuk e transmetoi në radio. Suedia fitoi 2-0 me gola të Hamrinit, që kishte nisur të luante me ‘Juventusin’ në Itali, dhe Simonsonit, një tjetër futbollist i njohur suedez, që do të rrëmbehej më pas nga ‘Reali’ i Madridit.”
“Dhe unë e mbaj mend mirë këtë ndeshje, – më ndërpreu Martelini. – Por në humbjen e sovjetikëve ndikoi edhe lodhja e madhe, sepse u desh që në shtatë ditë të luanin kundër Anglisë, Brazilit, Austrisë dhe përsëri një ndeshje suplementare kundër Anglisë.”
Zhgënjim të madh solli në këtë botëror Hungaria, që u mënjanua që në ndeshjet e grupit të vet, ku barazoi me Uellsin e panjohur 1-1, u mposht nga Suedia 2-1 dhe, ndonëse fitoi 4-0 kundër Meksikës, në ndeshje suplementare u mund nga Uellsi 2-1.
“Natyrisht, në këtë dramë të futbollit të njohur hungarez, – më tha Martelini, – ndikoi mungesa e futbollistëve të mëdhenj Pushkash, Cibor, Koçish etj., që gjatë Revolucionit kundërkomunist të vitit 1956, pjesëtarë të ‘Honvedit’ të Budapestit, ndodheshin në turne jashtë shtetit. Në shenjë proteste kundër pushtimit rus, ata kërkuan strehim politik: tre të mësipërmit shkuan në Spanjë, ku u shqua Pushkashi, që luajti vite me radhë me ‘Realin’ e Madridit dhe madje, në botërorin e vitit 1962, edhe me përfaqësuesen e Spanjës.”
… Si për të treguar se jo rastësisht është kampione e botës në fuqi, RF Gjermane, e drejtuar përsëri nga Herbergeri, midis të tjerëve, paraqet një futbollist të ri, Uve Zeeler, emri i të cilit do të dominojë deri më 1970 në tri botërorë të futbollit.

Është pastaj edhe Franca që do t’i dhurojë botës një shënues të rrallë, Zhyst Fontenin, i cili me 13 goditjet e tij të sakta mbeti edhe më i miri në librin e artë të botërorëve. Franca, duke mundur në gjysmëfinale RF Gjermane 6-3, dëshmoi se do të shfaqej jo rrallë në tapetin e blertë të skuadrave më të mira të Evropës dhe botës.
Pasi mundi, jo pa vështirësi, Uellsin 1-0 me gol të debutuesit Pelé, Brazili zbrazi tërë arsenalin e vet në takimin gjysmëfinal me Francën (5-2), ku Pelé shënoi edhe tre gola të tjerë. Këtyre, ky djalosh fenomenal do t’u shtonte edhe dy golat e fundit në finalen e bujshme, përsëri 5-2, këtë radhë kundër Suedisë, fitore që për herë të parë e çoi Brazilin në Olimpin e futbollit. Veçanërisht i mahnitshëm ishte goli me të cilin Brazili thelloi rezultatin 4-1: Pelé ia kaloi topin mbrojtësit kundërshtar mbi kokë dhe e goditi pa rënë ai në tokë. Kur ndeshja po mbyllej 4-2, pasi suedezi Simonson kishte shënuar në minutën e 80-të, Pelé shënoi edhe golin e pestë.
Për suedezët, kënaqësi e çastit ishte goli i parë në minutën e katërt, i shënuar nga Lidholmi, që zgjati vetëm pesë minuta, sepse Vava shënoi golin e barazimit dhe më pas golin e dytë në minutën e 32-të, që u pasua nga një gol tjetër i Zagalos.
“Brazili i markës 1958, – më tha Martelini, – ishte pa dyshim skuadra më e mirë e të gjithë botërorëve të zhvilluar deri atëherë.”
Një veçori tjetër e këtij botërori ishte se të katër skuadrat e Britanisë së Madhe – Anglia, Skocia, Irlanda e Veriut dhe Uellsi – arritën të kualifikoheshin, por vetëm Uellsi dhe Irlanda e Veriut, që nuk parashikoheshin, kaluan në çerekfinale.
Rezultatet e fazës finale
Çerekfinale
RF Gjermane – Jugosllavi 1-0
Francë – Irlandë e Veriut 4-0
Suedi – Bashkimi Sovjetik 2-0
Brazil – Uells 1-0
Gjysmëfinale
Suedi – RF Gjermane 3-1
Brazil – Francë 5-2
Finalja
Brazil – Suedi 5-2
Brazili
Zhilmar, Xhalma Santos, Nilton Santos, Zito, Belini, Orlando, Garrincha, Didi, Vava, Pele, Zagalo
Suedia
Svenson, Bergmark, Aksbom, Bjornson, Gustavson, Parling, Hamrin, Green, Simonson, Lidholm, Skoglund
Golashënuesi më i mirë: Zhyst Fonten, 13 gola
Nga galeria e yjeve:
Pele, Garrincha, Didi (Brazil), Jashin (Bashkimi Sovjetik), Kopa, Fonten (Francë)
Ndeshje: 35
Gola: 126 (3.6 për ndeshje)
Shikues: 919,274 (26,274 për ndeshje)

KOHA JONË SONDAZH

