Home Aktualitet Kryeministri ...

Kryeministri katolik i munguem i Shqipnisë

430
0

Nga Nest Zefi-

Kryeministri katolik i munguem i Shqipnisë
77 vite ma parë vritej (vetëvritej) Kapidan Mark Gjon Gjomarku, pinjoll i familjes të Gjomarkajve, prijsëve të Mirditës, ndoshta, ndër të paktit në historinë e Shqipnisë me parametrat cilësor, modern dhe europian të shtetarit të kompletuem. Kam ndigjue herët mbi historinë e tij, persona të afërt e të largët, sigurisht edhe histori të tjera me patetizëm të tepruem dhe emnuesi i përbashkët apo konkluzioni mbi të cilin kam arritë me përfundue, asht se, ky gjigand i qëndresës antikomuniste, meriton nji histori të shkrueme ma të strukturueme e afër të vërtetës të profilit te tij dinjitoz.
Vetmia me të cilën u përballë, madje edhe tradhtia në momentet e fundit të jetës të tij heroike, reflekton tendencën e vegjëlisë tonë meskine ordinere, në bashkëpunim me disa demek “emisarët shëlbues” ndërkombtar, me u rreshtue me zell me të keqen endemike të ktij vendi. Zbehja ne skakierën ndërkombtare të rolit përcaktues të fuqive katolike, si psh Austro-Hungaria, e cila me kontributin e saj stoik krijoi shtetin shqiptar apo pozicioni i dobt i shteteve katolike fill mbas luftës të dytë botnore në favor të fuqive masone protestante euro-atlantike, fitimtare dhe negociuese dinake me perandorinë e të keqes, pra, Bashkimin Sovjetik, u dëshmue fatale për fatin e projektit modern të rreshtimit të Shqipnisë të Marka Gjonit me botën e lirisë.
Bota demokratike e asaj kohe me Anglezët in primis, falë atij relativizmi nikilist të modelit të tyne kulturor, mbështetetën haptazi nji të pashkollë me vese dhe mason otoman si Enver Hoxha dhe jo nji përfaqësies të avampostit perëndimor të Shqipnisë, prijës modern, të supershkolluem, me sens shtetari e patriot si Kapidan Marka Gjoni. E ripërsëris se konteksti i vetmisë dëshpëruese i kapedanit në malet e Mirditës, në të cilin ndoshta edhe nji pjesë e “bashkëluftëtarëve” të tij ishin të inflitruem të Enver Hoxhës, duhet të shërbejë si reflektim për komunitetin katolik shqiptar, i cili megjithë historinë e vet të lavdishme dhe dimensionin e vogël numerik, vazhdon shpesh herë të jete i ndamë ndër vedi për shkak të nji sektarizmi dylekësh në raport me mesazhet që përfton historia shqiptare dhe ajo dinjitoze e qëndresës të Marka Gjonit. Ndryshe nga çka asht thanë apo nuk asht shkrue deri tash për historinë e personalitetit të tij, Marka Gjoni asht kenë krejt afër objektivit me u ba Kryeministri i Shqipnisë të mbas luftës të dytë botnore, por nji naivitet i pafalshëm i tij, me njetin bashkëpunues me disa otoman që hiqeshin si properëndimor, ia prenë në mes këtë andërr e mision shëlbues për rreshtimin e Shqipnisë, qysh mbas vdekjes të Gjergj Kastriotit me botën e mirë demokratike perëndimore.
Ky naivitet i mundësisë të nji bashkëpunimi të ndershëm parimor me eksponentet e maskuem të trashigimisë otomane, asht “mëkati i dytë i rrjedhshëm” i shumicës të njerzëve të kulturës katolike dhe vetë klerit katolik mbas pavarsisë të Shqipnisë, e radikalizueme në nivele mjerane në kto 30 vite post moniste.
Shqipnia ka nevoje urgjente për nji model idealist politikani me parametrat e Marka Gjonit, patjetër i depuruem prej naivitetit dhe i azhornuem me leximin realist të historisë, për me u ba Europë dhe për sa kohë pengohet kjo mundësi, të jena të sigurt se do mbesim province periferike otomane me katolikët patericë e dekorit të haremit të tyne.
Për historinë e Marka Gjon Gjomarkut e shumë idealistëve të tjerë si ai, duhet folë e diskutue në mënyrë që krijohen premisat e duhuna ushqyese të nji vetëdije realiste mbi negociimin mbi baza korrektësie të nji kontrate te re organizuese të diversitetit kulturor e fetar shqiptar. Ka ardhë koha për nji dizinfektim kapilar e vetëpastrim prej “buzhgareve” të historiografisë moniste, e cila vazhdon të njejtin avaz manipulues me rrogtarët e vet të leverdisë pragamtike në institucionet kulturore të Shqipnisë.
Sigurisht histori të tilla frymëzuese do të ishte mirë të baheshin pjesë e kurrikulave shkollore, mbasi aty kullon patriotizmi autentik deri ne vetëmartirizim.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit