Home Aktualitet Mungesa e paz...

Mungesa e pazëvendësueshme e Kiço Blushit në 80-vjetorin e tij të lindjes

116
0

Si sot, 80 vite më parë në qytetin e Korçës lindi një prej shkrimtarëve, skenaristëve, publicistëve dhe gazetarëve më të shquar dhe më me ndikim të Shqipërisë, i cili ndriçoi shoqërinë në një nga periudhat më të errëta dhe më të turbullta për vendin, i paharruari Kiço Blushi.

Ikja e tij fizike katër vite më parë solli natyrshëm një ndërprerje të krijimtarisë dhe veprimtarisë së tij të spikatur publicisitike, gazetareske, politike, qytetare dhe patriotike, një zbrazëtirë të pazëvendësueshme për familjen, për miqtë dhe shokët e tij, për dashamirësit e panumërt të artit të veprave të tij të mrekullueshme dhe të papërsëritshme.

Por pavarësisht largimit fizik prej nesh, Kiço Blushi kujtohet sot nga të gjithë ata që e njohën dhe patën fatin të njihen me krijimtarinë e tij, që e ka përjetësuar Kiçon mes nesh me veprat, mesazhet dhe kumtet e vërteta që ai na la trashëgim.

Kiço Blushi hyri në historinë e letrave shqipe si shkrimtari i një brezi të ri, që vinte në letërsinë shqiptare mbas Luftës së Dytë Botërore krahas emrave dhe veprave të njohura të Vath Koreshit, Nasi Lerës, Teodor Laços e Bardhyl Londos.

Poezitë, tregimet e botuara në gazetën “Drita” dhe revistën “Nëntori” si dhe romani i tij i parë “Pajtoni i fundit” i dhanë atij që në nisje të krijimtarisë një vend nderi në panteonin e letrave shqipe.

Emri i madh i shkrimtarit të ri Kiço Blushi do të firmoste reportazhet dhe artikujt më të rëndësishëm në shtypin e viteve ‘60-‘70 dhe në emisionet e Radio-Televizionit Shqiptar, që dallonin pikërisht për realitetin që pasqyronin, duke thyer edhe tabutë e kohës.

Emisioni i Radio Tiranës “Historia e popullit tonë në shekuj” e përgatitur mjeshtërisht prej tij do të thyente çdo audiencë në Shqipërinë e izoluar të viteve ’70 duke e kthyer këtë emision tepër të ndjekur dhe të pëlqyer prej të gjithëve.

Nga vepra e tij madhore si shkrimtar nuk mund të harrohen librat e tij “Koka e prerë”, kushtuar momenteve të fundit në jetën e Ali Pashë Tepelena. Libri për fëmijë “Mos” apo romani i fundit i botuar “Gjuha e gjakut”.

Kiço Blushi ishte jo vetëm shkrimtar protagonist i brezit të ndryshimit modernizues në letërsinë shqipe, prozator përfaqësues, por edhe skenarist me rol të shquar në historinë e kinemasë shqiptare.

Në total ai ka shkruar 14 skenarë filmash artistikë dhe dy skenarë filmash dokumentarë dhe vizatimorë.

Skenari i tij i parë ishte ai i filmit “Çifti i lumtur” në vitin 1975 si bashkëautor. Me skenarin e filmit “Beni ecën vetë” në vitin 1975 u vlerësua me Çmimin e Republikës së Klasit të III-të, dhe po atë vit në ceremoninë mbyllëse të edicionit të VIII të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Giffoni, në Salerno, Itali, filmi shqiptar BENI ECËN VETË fiton çmimin e nderit.

Romani dhe filmi “Beni ecën vetë” janë vepra të arrira të kulturës, që kurdoherë do të pëlqehen e shërbejnë për edukimin sidomos të fëmijëve dhe të rinjve për dashurinë ndaj natyrës dhe njeriut. Ashtu siç ndodh shpesh në kinematografinë botërore, do të vijë një ditë që realizues të pasionuar dhe me talent do t’i kthehen këtij skenari të shkruar prej Kiço Blushit, me realizime të një teknologjie të re e moderne dhe kjo nuk do të ulë në asnjë mënyrë vlerat artistike të realizimit të tij të parë prej regjisores Xhanfize Keko, aktorëve Pandi Raidhi, Erion Mustafaraj, Yllka Mujo etj.

Kiço Blushi ka firmën e tij edhe tek filmi “Nëntori i Dytë” që solli mjeshtërisht në ekranin shqiptar një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e shtetformimit, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Mendimi kritik dhe ndihma e këtij mendimi për progresin e një shoqërie është tipar kryesor i tij.

Kiço Blushi nuk e zhvilloi këtë mendim vetën në publicistikë, por edhe në veprat artistike që realizoi, si në filmin e paharruar “Koncert në vitin 1936”.

Mendimin kritik ai e zhvilloi edhe në të gjithë artikujt e botuar mbas viteve ‘90, ku pavarësisht se i zgjedhur si deputet i Parlamentit shqiptar, ai spikati si një publicist i guximshëm, i qartë dhe kontributor i palodhur i mendimit qytetar dhe të drejtë progresist.

Me argumente bindëse, artikujt e tij me qëndrime të drejta ishin një zë i fuqishëm e dritë shprese në kaosin tranzicionit dhe zhvillimeve politike të vendit.

Jeta dhe vepra e Kiço Blushit eshte e lidhur pandashem edhe me arritjet dhe historine e gazetarise shqiptare, sidomos asaj te shkruar, ne me shume se 60 vjet rresht.

Ai kontribuoi si gazetar, redaktor, kryeredaktor dhe drejtues ne shumicen e mediave me te rendesishme kulturologjike te Shqiperise ne 50 vitet e fundit. Kiço Blushi ishte shkrimtari i rendesishem i letersise per te rritur dhe per femije. Ai la nje kontribut te pashlyeshem dhe u shqua per publicistiken e tij analitike dhe polemistike.

Per dhjetra dhe qindra gazetare, Kiço Blushi do te kujtohet per pervojen, kontributin dhe penen e vet te shquar.

Kiço Blushi ka qenë një ndër personalitet me ndikim cilësor qytetar dhe intelektual, që mori dhe ushtroi me përkushtim e përgjegjësi publike në momente kyçe për fatet e vendit.

Më 20 shkurt të vitit 1991 ai u thirr nga Presidenti Ramiz Alia që të marrë pjesë në Këshillin Presidencial. Kiço Blushi ka qenë gjithashtu deputet i Kuvendit pluralist të Shqipërisë.

Më pas Kiço Blushi u bë kryeredaktor i gazetës “Koha Jonë” dhe kur i dha fund kësaj eksperience, ai u bë anëtar i bordit drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.

Kiço Blushi ka qenë edhe anëtar i Bordit të “KOHA JONE”, krahas emrave të tjerë si Dritero Agolli, Edi Rama, Fatos Lubonja.

Edhe pas dorëheqjes nga posti i Kryetarit të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Publik Shqiptar, ai mbeti në politikën aktive. Shkrimtari i shquar ishte anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës nga viti 2007 deri në 2015. Në nder të tij, emrin e tij të madh e mban edhe një shkollë 9-vjecare në kryeqytet.

Krijues, sfidant, polemist dhe stoik, fisnik dhe modest në heshtjen e vet e uragan kur fjalës i jepte përmasën e përjetimit të tij shpirtëror, Kiço Blushi është ndër ne, siç me të drejtë e kanë cilësuar, modeli për të na dëshmuar angazhim qytetar dhe përgjegjësi intelektuale, fisnikëri e dinjitet, mbi të cilat lartohet njeriu si bartës vlerash jo vetëm për vete.

Së fundmi, por edhe së pari, për ne gazetën “KOHA JONE”, e cila mbetet e para media e shkruar, e lirë, e krijuar në Shqipëri, akoma pa u rrëzuar plotësisht komunizmi (maj 1991) pasi pena e Kiço Blushit i ka bërë nder historisë së emrit të kësaj gazete.

/redaksia e “KOHA JONE”/

Në foto: Kiço Blushi kur ishte kryeredaktor në gazetën “KOHA JONE”.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit