Home Aktualitet Nuk e futën l...

Nuk e futën ligjin e “anti-shpifjes” nga dera, tani po e fusin nga dritarja

10
0
Nga Jonila Godole
Nuk e futën ligjin e “anti-shpifjes” nga dera, tani po e fusin nga dritarja.

Kështu mund të lexohej iniciativa e fundit e Byrosë së Kuvendit për të miratuar një rregullore për „akreditimin, akomodimin dhe orientimin e masmedieve“ (neni 1). Ç’orientim do t’i bëjë Kuvendi masmedias shqiptare? Ky lapsus frojdian që me gjasë është keqkuptim përkthimi tregon shumë nuk është shenjë e mirë .

Rregullorja do të zbatohet për median audiovizive, median e shkruar, median elektronike dhe gazetarët në profesion të lirë.
Jam kurioze që të di motivin e një rregulloreje të re, në fund të mandatit të parlamentit të vjetër.
Çfarë shqetësimesh ka patur Kuvendi nga gazetarët, përse duhet ndryshuar praktika e deritanishme? A ka pasur konsultim me Unionin e Gazetarëve dhe shoqatat e tjera të gazetarëve? Në vendet demokratike këto rregullore përpilohen në bashkëpunim me Urdhërin e Gazetarëve, që në Shqipëri mungon.
Mosbërja transparente e këtyre aspekteve nga ana e Byrosë së Kuvendit hedh hije të forta dyshimi se rregullorja e re mund të synojë futjen nga dritarja të asaj që u njoh si paketa antishpifje për mediat online dhe që u kritikua nga organizmat lokalë dhe ndërkombëtarë si cënim I lirisë së shprehjes.
Nëse lexojmë rregulloren, neni 6, akreditimi jepet për: “gazetarë;
fotografë (fotoreporterë); ekipe xhirimi;
teknike; operatorë;
regjisorë;
kameramanë;
shoferë.”
Ajo që të bie në sy është se ndërsa akreditohen regjisorë e shoferë, nuk parashikohet të akreditohen p.sh. bloggerë?!
Koncepti i gazetarisë ka evoluar, zotërinj deputetë, gazetar nuk quhet sot vetëm ai që punon në një media tradicionale dhe ka një kartë gazetari. As përcaktimi „gazetar profesional“ nuk u atribuohet më vetëm gazetarëve në TV, shtyp dhe radio. Tregu i medias online dhe rrjeteve sociale është dinamik.
Ne sot u flasim studentëve për „gazetari qytetare“; „gazetari online dhe digitale“; „gazetari periferike“ (peripheral). Gazetarët i gjejmë si „Blogger“, si „influencer“ në rrjetet sociale Twitter apo Instagram dhe nuk mundemi t’i nënvlerësojmë sa kohë ata ndajnë të njëjtat vlera dhe kanë të njëjtin rol si kolegët e tjerë „profesionalë“ të mediave mainstream.
Nuk dua të vizatoj djallin në mur, por skenari më i keq që mund të ndodhë është një politikë tashmë zyrtare e diferencimit në dhënien e akreditimit. Gazetarët dhe mediat do të jenë në dorë të Kuvendit nëse do e marrin akreditimin apo jo, përsa kohë do e marrin. Kjo procedurë mund të shërbejë edhe si një mjet presioni mbi mediat. Pra, gazetarë dhe outlete kritike mund të përjashtohen nga akreditimi, mund t’u hiqet aksesi në një moment të dytë nëse ato raportojnë në mënyrë kritike mbi punën e qeverisë, etj. Praktikat ndëshkuese (nga privimi i informacionit) të qeverisë shqiptare ndaj gazetarëve dhe mediave kritike janë bërë shpesh objekt raportesh brenda dhe jashtë vendit. Mediat dhe portalet online që kritikojnë ose investigojnë punët e qeverisë besoj se do ta kenë veçanërisht të vështirë. Gazetarët e mediave mainstream do të favorizohen me gjasë me akreditim vjetor apo për gjithë legjislaturën, kurse “kritikët” me akreditime javore ose ditore që do t’ua bëjë të pamundur mbulimin spontan në rast ngjarjesh të papritura. Dhe tërë këto pengesa do ndikonin direkt në cënimin e lirisë së shprehjes.
Jonila Godole, pedagoge në Universitetin e Tiranës, Fakulteti: Histori-Filologji, Dega: Gazetari

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Aktualiteti

Më shumë nga Aktualiteti

Lajmet e Fundit

Te Fundit