Home Aktualitet Vijnë, pinë, ...

Vijnë, pinë, rrinë, darkohen dhe ikin me premtime si tash dy dekada!

15
0

BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, pasi aktorë si Rusia dhe Kina po hedhin investime në ekonomi, por edhe destabilitet në Rajon që jugu i Europës të jetë nën kontrollin e shtetëve jo mike të BE dhe SHBA.

Natyrisht që edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor duan integrimin dhe anëtarsimin në BE.

Por BE vetëm premton dhe nuk ec para në krijimin e kushteve për anëtarsim. Japin ca miliona euro sa për të thënë, sepse prapë i marrin vetë në forma të ndryshme. Nëse e kanë seriozisht të financojnë projekte rrugësh, zhvillimi e punësimi e jo leksione demokracie.

Edhe dje ishin mbledhur Ministrat e Ekonomisë të Bashkimit Europian dhe ata të Ballkanit Perëndimor.

Në forumin e Ministrave të Ekonomisë, “Tregu i përbashkët rajonal, një hap drejt Tregut Unik të BE” të zhvilluar të martën, (26.09) në Tiranë, në kuadër të Procesit të Berlinit u diskutua  forcimi i ekonomive të vendeve të rajonit përmes përfshirjes në sferën ekonomike të BE. Diskutimet vunë në dukje kontekstin e ri gjeo-politik për përshpejtimin e integrimit rajonal dhe afrimit me BE.

Në forum të dyja palët, BE dhe BP u shprehën se lufta e Rusisë kundër Ukrainës e ka shndërruar në një emergjencë gjeopolitike progresin e rajonit drejt hyrjes në BE. “Gjërat kanë ndryshuar. Në BE ka një bindje shumë të fortë dhe janë më syhapur karshi rëndësisë që Ballkani Perëndimor për BE. Besoj se nuk e teproj nëse them që sot Bashkimi Europian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për Bashkimin Europian”, tha në fjalën e hapjes se forumit kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, në përshëndetjen e tij, theksoi se “në kontekstin aktual gjeopolitik, zgjerimi i BE në BP është më shumë se kurrë një investim për paqen, sigurinë dhe prosperitetin në kontinentin tone.” Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Olivier Becht, ministër i Tregtisë me Jashtë dhe Ekonomisë në Francë. “Ne kemi një objektiv, përshpejtimin e ndërlidhjes mes Ballkanit Perëndimor dhe BE. Do lehtësohet sektori privat dhe përshpejtohet procesi i anëtarësisë në BE”, theksoi ai në Tiranë.

Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi bëri me dije detaje të këtij plani. “Plani i ri i BE për rritjen ekonomike do të përshpejtojë ritmin e konvergjencës social ekonomike të rajonit me BE dhe duke e bërë këtë, do të përshpejtojë përgatitjet për anëtarësimin në BE, Është koha për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të BP duke përfshirë integrimin tonë ekonomik. Konvergjenca ekonomike është në qendër të përfitimeve të anëtarësimit në BE. Konvergjenca e BP është e ulët, me të ardhura për frymë midis 30% dhe 50% të mesatares së BE,” bëri me dije komisioneri i BE. Varhelyi. Fjala është për një paketë që “do të ofrojë përfitime të menjëhershme dhe do të stimulojë progresin në Ballkanin Perëndimor”, sipas Varhelyi.

Forumi i Ministrave të Ekonomisë të BE dhe të BP bën pjesë në serinë e takimeve parapërgatitore për Samitin e Procesit të Berlinit, 2023, që do të zhvillohet më 16 tetor në Tiranë, nën presidencën e Shqipërisë. Për herë të parë, që nga fillimi i Procesit të Berlinit në verën e vitit 2014, ky Samit do të zhvillohet në një vend që nuk është anëtar i BE. Procesi i Berlinit është një nismë diplomatike e ish-Kancelares gjermane, Angela Merkel, që nisi në verën e vitit 2014 për t’i dhënë impulse të reja procesit të hyrjes në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Por si përherë vijnë, pijnë, darkohen dhe ikin me premtime si tash dy dekada!

Ballkani Perëndimor shikon me sytë nga Brukseli ndërsa BE mbetet një endërr si për të vajtur në planetin Mars.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit